Home KRYESORE Vajza 17-vjeçare u largua në luftë, familja e kërkon në kampin e...

Vajza 17-vjeçare u largua në luftë, familja e kërkon në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri

Një çift shtetasish kanadezë, por me kombësi iraniane, i kërkojnë shtetit shqiptar t’i lejojë takimin me vajzën e tyre, që kanë 21 vite pa e parë, e cila, sipas tyre, ndodhet në kampin e Manzës, ku janë strehuar muxhahedinët.

Çifti ka mbërritur në Shqipëri që në fillim të muajit korrik, por pas 20 ditësh sorollatje, ende nuk po mundin ta takojnë. Sipas tyre, ajo, në moshën 17- vjeçare, u largua nga familja pa dijeninë e tyre dhe shkoi në Iran për t’iu bashkuar organizatës së quajtur MEK. Vajza quhet Somayeh Mohammad dhe është e datëlindjes 8 shtator 1980. Ajo iu bashkua muxhahedinëve iranianë MEK në vitin 1997. Ata kanë mësuar se vajza e tyre, tashmë 38-vjeçare, ndodhet në kampin Ashraf 3 në Manzë, ku janë strehuar muxhahedinët iranianë të ardhur në Shqipëri. Prindërit e saj, Mostafa dhe Rubade Mohammad pretendojnë që vajza mbahet në këtë kamp kundër vullnetit të saj dhe kërkojnë që ta takojnë dhe ta marrin atë në Kanada.

Z. Mostafa, pse ndodheni në Shqipëri?

Ndodhemi në Shqipëri sepse jemi në kërkim të vajzës sonë, e cila është larguar nga familja 21 vite më parë. Ne jemi një çift me shtetësi kanadeze, por me etni iraniane. 21 vite me parë, në moshën 17-vjeçare, vajza jonë la Kanadanë për t’iu bashkua protestuesve në Iran, për të rrëzuar regjimin.

Si u largua nga Kanadaja, me dijeni apo pa dijeninë tuaj?

Sigurisht, pa dijeninë tonë. Nuk dinim asgjë rreth largimit të saj. Kur mbërriti në Lindjen e Mesme, ajo na kontaktoi dhe na tha se ndodhej aty për këtë qëllim, pra, për t’iu bashkuar protestuesve. U merakosëm shumë, sepse ishim në dijeni se çfarë ndodhte në Iran në vitin 1997, vendi ishte në luftë.

Me kë u largua, kush e priste?

Nuk di çfarë të them. Në momentin që arriti në Lindjen e Mesme, folëm shumë pak, vetëm na tha që ika për këtë qëllim dhe asnjë detaj tjetër, as se me kë iku, as se kush e priste. Ishte vetëm 17-vjeçare, mund të manipulohej kollaj. Ndoshta nëpërmjet kontakteve në internet.

Mbajtët kontakte me vajzën apo mbërritja në Lindjen e Mesme ishte i fundit?

Kur mbërriti në Iran, ajo nuk kontaktoi më me ne. Ndërsa ne nuk kishim asnjë mundësi si ta gjenim më. Siç thashë, ishim në merak se vendi ishte në luftë, ndërkohë që koha kalonte, kalonin ditët, muajt, vitet dhe ne nuk kishim dijeni se çfarë kishte ndodhur me vajzën tonë.

Pas sa kohësh ratë në kontakt me vajzën tuaj?

Pas rreth gjashtë vitesh, në momentin që SHBA mori kontrollin e kampit. Forcat e armatosura amerikane dhe autoritetet bënë identifikimin e personave që ndodheshin në kamp. Ne kishim humbur çdo shpresë se do ishte gjallë. Në një moment na lajmëruan autoritetet kanadeze se vajza ndodhej në këtë kamp, që asokohe ishte nën mbikëqyrje të SHBA-së.

Ju mendoni se vajza ndodhet në kampin e muxhahedinëve në Manzë?

Po, po, jemi të sigurt. Jemi të sigurt, sepse të gjithë pjesëtarët e kampit që kontrollonin autoritetet amerikane u transferuan këtu në Shqipëri dhe tani ndodhen në Kampin Ashraf 3 në Manzë, ku janë strehuar muxhahedinët irani anë të ardhur në Shqipëri nga Iraku, pasi fillimisht i çuan në Irak.

Si quhet vajza juaj dhe çfarë moshe ka?

Vajza quhet Somayeh Mohammad dhe është e datëlindjes 8 shtator 1980. Ajo iu bashkua muxhahedinëve iranianë MEK në Iran në vitin 1997. Vajza mbahet në Kampin Ashraf 3 në Manzë, kundër vullnetit të saj nga këta muxhahedinë.

Ju thatë se nuk keni kontaktuar më vajzën prej vitesh, nga e dini se mbahet kundër vullnetit të saj?

Po mbahet kundër vullnetit të saj, sepse misioni u krye. Regjimi ra dhe ky ishte objektivi i saj. Tashmë, ajo preferon t’i bashkohet familjes në Kanada, ku e presin prindërit dhe dy vëllezërit e saj.

Ju keni ardhur për të marrë vajzën dhe ta ktheni në Kanada?

Po, prandaj kemi ardhur, bashkë me gruan. Por jo vetëm që s’po e marrim dot, po nuk po mundemi as ta takojmë. Kemi ardhur nga Kanadaja posaçërisht, pasi kërkojmë vajzën tonë, e cila kemi mësuar se gjendet në kampin e muxhahedinëve në Durrës (Manzë). Jemi sorollatur institucioneve shqiptare dhe atyre të huaja dhe nuk kemi mbaruar dot punë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa të shikojmë vajzën tonë, që nuk e kemi parë që prej 21 vitesh. Ky takim le të bëhet edhe në prani të Policisë apo autoriteteve të tjera, vetëm të realizohet si takim. / Panorama (Leonidha Musaj)

Share: