Kompania ajrore e fluturimeve Air Albania do të nisë fluturimet brenda javës së parë të shtatorit.
Fillimisht, lajmi është bërë me dije nga 2 portale turke të specializuara në fushën e fluturimeve, duke e shoqëruar postimin e edhe me avionin që mban ngjyrat shqiptare dhe duke saktësuar se ngritja e parë do të bëhet në datën 31 gusht.
Ndërkaq, gjithçka konfirmohet edhe nga Autoriteti i Aviacionit Civili, i cili bëri me dije për TV SCAN se, aktualisht ky dikaster ka dërguar në Turqi 2 specialistë për inspektimin e avionit nga ana teknike.
Ndërkohë që, vetëm aksioneri shqiptar i Air Albania, Sinan Idrizi bëri me dije për TV SCAN detajet, duke rikonfirmuar faktin se nisja e operimit të linjës luhatet në ditët e para të muajit shtator.
Sipas Idrizit, avioni i parë që po përfundon është një Airbus 319 dhe do të operojë me fluturime në linjën Stamboll-Tiranë-Stamboll.
Ndërkohë që, pas tij do të vihen në përdorim edhe 2 avionë të tjerë të tipit A320, që do të sjellin një rritje të standardit të fluturimeve.
Ndërkaq, nisja e operimit të kësaj linje pritet të sjellë edhe çmime më të lira për biletat drejt Turqisë, pasi sipas Idrizit tashmë është dakordësuar ngritja e një ndërmarrjeje paralele, që do të bëjë furnizimin me lëndë të parë.
Kjo duke marrë në konsideratë faktin se çmimi i vajgurit, me të cilin furnizohen sot avionët është më i shtrenjti jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, ndërkohë që 30% e kostos së biletës varet pikërisht nga lënda djegëse.
“Ne kemi kërkuar që për të ulur çmimet e biletave të vetëfurnizohemi me lëndë të parë. Kjo do të thotë se do të ndërtojmë një ndërmarrje paralele, që të na ofrohet i njëjti shërbim dhe cilësi. Kjo është një praktikë që e kanë edhe kompanitë e tjera, përshembull kompania jonë mbështetëse “Turkish Airlines”, u shpreh Idriz për SCAN.
Referuar vendimit të qeverisë për ngritjen e kësaj kompanie, 51% e aksioneve të kompanisë ‘Air Albania’ janë shqiptare, ndërsa 49% i takojnë kompanisë turke të fluturimeve ‘Turkish Airline”.
360grade.al