Home KRYESORE Ardian Isufi: GKA është kthyer një institucion anemik, Kumbaro bën gjëra të...

Ardian Isufi: GKA është kthyer një institucion anemik, Kumbaro bën gjëra të reja por të dështuara

Galeria Kombëtare e Arteve sipas artistëve është kthyer në një institucioni anemik për sa i përket promovimit të vlerave artistike kulturore në vend. Prof. asc. Ardian Isufi dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura pohon se fatkeqësisht shohim që kjo lloj anemie vjen nga një platformë jo e qartë. Në intervistën për “SOT” dekani Isufi rendit një sërë problemesh dhe sipas tij Galeria Kombëtare e Arteve po kalon në mes të verës “Dimrin e vetmisë së madhe” për sa i përket në radhë të parë vizionit dhe funksionalitetit të saj. Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj jo vetëm me situatën që ndodhet sot GKA, por dhe më gjerë në jetën artistike në vend. Për dekanin Ardian Isufi ministrja e Kulturës është e paaftë, nuk ka një vizion të qartë ajo dhe gjithë stafi i saj për sa i përket çështjes se ku duhet të jetë ardhmëria e artit pamor dhe kulturës në përgjithësi.

-Në galerinë e artit FAB janë hapur ekspozita të ndryshme, autorë të ndryshëm janë bërë pjesë e aktivitetit, nuk kanë munguar dhe artistë të huaj. Sa rëndësi ka pasur kjo për ju?

Galeria FAB është padyshim pjesë e rëndësishme e Fakultetit të Arteve të Bukura për promovimin si dhe publikimin në radhë të parë të veprave të artit që studentët tanë realizojnë përgjatë viti akademik, sëbashku me prezantimin e çdo fundviti të diplomave bachelor dhe master, dhe në këtë kontekst ka qenë në një moment kulmor.  Jo vetëm që veprat dhe aktivitetet e studentëve janë shfaqur në maksimumin e përshfaqjes profesionale të ekspozimit, si në kuptimin didaktik dhe të një kujdesi të rëndësishëm estetik, që ka qenë dhe përballja e tyre jo vetëm me audiencën e universitetit, por mbi të gjitha edhe me audiencën e publikut artdashës. Pra galeria FAB është tamam një urë ndërmjet programeve tona të studimit dhe publikut që jo vetëm informohet, por dhe analizon çfarë ndodh sot nëpërmjet veprës së artit dhe aktiviteteve zinxhir që ne kemi, sepse janë edhe shumë aktivitete të tjera, si ekspozita e përvitshme e pedagogëve te fakultetit tonë me tema të veçanta që këtë vit do kulmojë me disa ekspozita satelit të shpërndara nëpër Tiranë. Së dyti, ka pasur dhe vijon të ketë një axhende të ngjeshur të ekspozitave që janë bërë nga artistë ose grupe artistësh me anë të një seleksionimi të kujdesshëm përsa i takon këtyre ngjarjeve që janë të orientuara në artin bashkëkohor. Kjo do të thotë që në mënyrë paralele me promovimin e studentëve dhe artistëve të rinj ne kemi ecur edhe me promovimin e vlera kombëtare dhe ndërkombëtare, ku kemi pasur dhe ekspozita historike të konceptuara nga dekanati FAB siç ka qenë ekspozita retrospektivë e pedagogut dhe grafistit  Pandi Meles që është pjesë e një programi alternativ për të evidentuar vlerat pedagogjike dhe artistike të Universitetit të Arteve. Të gjitha këto informacione do ti gjeni në Broshurën e re të FAB- Fakulteti i Arteve të Bukura që tashmë publikohet për çdo vit të ri akademik.

-Keni reaguar fort për institucionin e GKA. Pohoni se po kalon një stanjacion. Çfarë sjell kjo situatë?

E kam thënë dhe më parë publikisht, që Galeria Kombëtare e Arteve po kalon në mes të verës  “Dimrin e vetmisë së madhe” për sa i përket në radhë të parë vizionit dhe funksionalitetit të saj. Tashmë është institucioni më anemik për sa i përket promovimit të vlerave artistike kulturore në vend dhe që në fakt duhet të ishte lider për sa i përket promovimit të këtyre vlerave. Fatkeqësisht ne shohim që kjo lloj anemie vjen nga një platformë jo e qartë, e cila padyshim duhet të kishte disa faza, nga afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Unë e kam thënë dhe herë tjetër që kjo platformë jo vetëm që duhet të ishte publike, por duhet të ngjallte një debat të shëndetshëm kulturor të fjalës intelektuale dhe artistike. Fatkeqësisht ne nuk kemi asgjë përveçse kam përshtypjen e një lloj monologu që bën drejtori i GKA brenda kullës së tij të vrojtimit, dhe dashje-padashje dhe vetë ky institucion arti është futur brenda mureve të tij pa kuptuar çfarë kërkesash ka publiku dhe çfarë duhet ti servirim, që të mos kemi vetëm një ekspozitë për 7 muaj, por disa karaktere aktivitetesh përgjatë kësaj kohe për të aktivizuar një lloj “Brain Storming” për çështjet e artit dhe kulturës në përgjithësi. Gjithashtu, dhe bordi i galerisë ka pjesën e tij të keqkuptimit, por mbi të gjitha mendoj që në këtë rast ajo çfarë duhet të diskutojmë dhe del ne pah është paqartësia e madhe që ka Ministria e Kulturës. Pra, këto keqkuptime janë zinxhir, ku mendoj që këtu vazhdohet akoma me mentalitete të vjetra dhe uzurpuese individësh që kanë si model “idenë e njëshit”.

-Ka munguar deri tani një reagim i titullarit të GKA përballë akuzave për institucionin?

Unë mendoj që një institucion nuk ka një marrëdhënie sistematike me median, ka probleme të mëdha brenda vetes së tij. Në këtë rast kuptohet lehtësisht që drejtori i GKA duke mos pasur kontakt sistematik me median për të bërë transparent punën e tij dhe përtej saj me informimin aktiv publik është derivat i paqartësisë së platformës që ne po e bashkëbisedojmë. Ka edhe këtu dy momente për tu diskutuar: I pari është që një drejtues institucioni vjen në bazë të një platforme dhe të një vizioni shumë të qartë, që e ka që në fillim të herës. Kam përshtypjen që me drejtorin e radhës së GKA po ndodh e kundërta. Ka ardhur me një platformë skematike të cilën ka filluar ta njohë dhe përmirësojë duke e futur brenda GKA. Ky në fakt është “momentum-i” që e bën jo funksionale dhe aspak vizionare orientimin e politikave të reja në artet pamore. Pra, e thënë më thjesht, për mendimin tim nuk duhet kurrë më që një drejtues i tillë institucioni qendror në arte të futet në GKA dhe pastaj të shohë dhe të kuptojë çfarë është arti shqiptar dhe çfarë duhet të bëjë me sfidat e reja të kohës. Unë mendoj që duhet të ishte një platformë e qartë që në fillim të herës, pavarësisht analizave të detajuara që bëhen përgjatë mandatit të tij përgjatë viteve. Pse, GKA është në zgrip?!… Shikoni website të këtij institucioni dhe po të klikoni butonin “Të ardhmet” nuk do të gjeni asnjë informacion çdo bëhet me aktivitet e ardhshme. Pra, kjo situatë flet vetë dhe nuk ka shumë nevojë për komente të gjata. Gjithashtu,  GKA-në e shikoj sërish shumë anemike në rrjetet sociale gati se nuk ekziston, duke i bashkangjitur për sa i përket marrëdhënies jo aktive që ka me median e shkruar dhe elektronike, etj. Pra, në vend që të kishim një institucion qëndror aktiv, po kthehet në një institucion në periferi të debatit artistik. Kjo më së shumti po dëmton artistët dhe promovimin e kulturës, dhe ata që dëmtohen edhe më shumë në fund të fundit është publiku dhe e gjithë skena artistike, që nuk po kupton nga po shkon kjo anije e GKA!!!

-Deri tani nuk kemi asnjë njoftim për punën me konkursin “Onufri”?

Në këtë rast fatkeqësia dhe keqkuptimi vazhdon. Edhe në çështjen e “Onufrit” ne duhet të kishim padyshim të qartë jo vetëm kohën dhe kuratorin, apo stafin organizues, por vijojmë në stanjacionin e marrjes të vendimit “Last Minute” dhe ky mentalitet nuk duhej në GKA të vazhdonte. Padiskutim që vendime për çështje të tilla duhet të merren në kohë, sepse ka nevojë që një kurator apo grup organizativ të njihet më mirë dhe konkretisht me skenën artistike. Për “Onufrin” duhet të ishte shpallur me kohë stafi organizues dhe kuratori dhe jo të përdoren këto forma djallëzore ku merret një vendim i shpejtë dhe gjendet një kurator në momentin e fundit dhe kjo situatë e ka degraduar proçesin e konkurrimit të ideve në artet pamore.

 -Ministrja e Kulturës gjatë këtij mandati të dytë ka premtuar investime në GKA. Sa shpresë ka kjo për ju?

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është e paaftë të kuptojë thelbin e çështjes. Ministrja flet lart e poshtë fjalë në dukje të kohës, fjalë që në dukje lidhen me investimet ose mbështetjen e artit, por në thelb nuk ka një vizion të qartë ajo dhe gjithë stafi i saj për sa i përket çështjes se ku duhet të jetë ardhmëria e artit pamor dhe kulturës në përgjithësi. Nëse flasim për çështje të vogla dhe ku përdorin shumë mirë foltoret me fjalë boshe kjo nuk është thelbi i asaj që kërkojnë artistët dhe sfidat e reja në artin bashkëkohor. Ajo që kërkojnë artistët është pse nuk kemi akoma një qendër të artit bashkëkohor? Pse merremi thjesht me emra GKA apo Muze i Arteve të Bukura, kur galeria në fakt e ka statusin muzeal? Ku është pavioni pas viteve ’90 në GKA që u zhduk nga Kumbaro me shokë? Këto janë pyetje që ministrja nuk i jep dot përgjigje, sepse do ti kishte dhënë që në mandatin e parë.

-Grupimet e piktorëve akuzojnë Ministrinë e Kulturës për mungesë mbështetjeje me aktivitetet. Sa bashkoheni?

Unë mendoj që këtu luhet më shumë me fjalë se sa me vepra. Ministria e Kulturës inicioi një Bienale të Mesdheut, që ishte e nivelit të dobët. Pra, nëse po flasim për gjëra të reja dhe njëkohësisht të dështuara nuk kemi gjë në vijë… dhe për sa i përket këtyre vlerave të grupimeve të artistëve duhet të kenë vendin e  tyre për tu ekspozuar dhe promovuar. Duhet të mos harrojmë atë që Viktor Zgarbi e thotë në një nga pohimet e tij që “padyshim duhet të kemi avangardën, por në të njëjtën kohë duhet të kemi edhe retrogardën”. Një politikan i mençur dhe i qartë në politikat kulturore të një vendi duhet të dijë se si ti mbështesë fenomenet dhe rrymat që ndodhin në art dhe kulturë, dhe pasi i mbështet grupimet artistike fillojnë dhe promovohen vetë. Tashmë është i copëtuar i gjithë sistemi i artit dhe situata është në një çoroditje totale me shumë e shumë probleme në profesione si ne menaxhimin e artit, etj. Kjo histori e denjë për burokratë provincialë vazhdon edhe për kontributet që duhej të jepte ky institucion për sa i sa i takon marrëdhënies që duhet të kenë artistët me aplikimet ndërkombëtare. Ne kemi dëgjuar që kanë realizuar takime të vogla dhe workshope, por që nuk bëhet asnjëherë një gjë e madhe. Janë bërë tek-tuk gjëra të vogla dhe më shumë me karakter propagandistik duke afruar në pjesën dërrmuese individë apo shoqata që kanë interesa direkte ministrinë. E kam pohuar dhe më parë Ministria e Kulturës është kthyer si një “bunker” duke pasur parasysh faktin dhe argumentin se nuk kanë borde gjithëpërfshirëse për politikat kulturore, por është një bord që kjo ministre vulos me vartësit e vet dhe për shkak-pasojë asnjëherë nuk u bë një analizë reale se çfarë problemesh akute ka arti dhe kultura duke krijuar një situatë kaq paradoksale. Thelbi është që kjo ministre Kulture nuk dëgjon.

 -Mungesë konsultimesh mes ministrisë dhe artistëve, mungesë transparence, u kërkua pezullimi i ligjit të artit?

Ndërhyrjet në ligjin e artit kishin centralizimin total të ministrit të radhës, dhe kjo ishte shumë e dukshme. Kishte shumë nga pikat që jepnin në mënyrë absurde një fuqi të jashtëzakonshme ministrit. Por unë jam me idenë që çfarëdolloj projekti apo elementi, që lidhet me artin dhe kulturën duhet të lëvizë përmes bordeve se sa direkt nën firmën e një ministri, që më pas kthehet duke e përdorur si pushtet bëhet i njëanshëm dhe politik. Akuzat për mungesë transparence vazhdojnë dhe Kumbaro shquhet si kampione e njoftimeve dhe e kundërnjoftimeve që i bën vetë. Në rastin e teatrit ishte shumë e qartë kakofonia ndërmjet institucioneve që në COD u shfaq projekti i ri i teatrit dhe pas një javë del Kumbaro thotë që nuk është ky projekti i ri, por presim të tjera. Kjo ndoshta ka të bëjë më paqartësinë që ndodh të një aspekti vizionar. Duke lëvizur në forma të tilla padyshim që i bën nder vetëm grupimeve të vogla afër politikës dhe nuk i bëjmë nder komunitetit artistik dhe publikut. Objektivi më i rëndësishëm është që të krijojmë ura të vërteta bashkëpunimi dhe të vërteta me artin dhe institucionet ndërkombëtare. Po të shohim se si nga ministria menaxhohet Bienalen e Venecias kuptohet qartë që nuk krijon vazhdimësi të vlerave kulturore. Të krijosh vazhdimësi do të thotë të kesh struktura solide dhe funksionale, që ne fatkeqësisht i ngremë vetëm kur vjen aktiviteti i radhës. Kjo është pjesë jo profesionale e ministrisë, që këto struktura duhet që nga viti në vit të promovojnë vlerat artistike, dhe turizmin kulturor. Të mos na ndodhi si dikur në EkspoMilano, ku Shqipëria është prezantuar për faqe të zezë dhe ku fondet publike ose u shpërdoruan, apo u hodhën kot nga pa-aftësia institucionale./ Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Share: