Nga Dom Artur Jaku
“Shkova në Tepelen sepse aty ishin të internuem P. Viktor Volaj e P. Ferdinand Pali. U ngjita mbi një kodrine kundruell kalasë së Ali Pashë Tepelenës. Në grykë të Bënçës, ishin katër kazerma të mëdha të ndërtueme prej ushtrisë italiane. Në atë vend ishin internue dikund 2.500 vetë: pleq, gra e fëmijë.
Më hyni trishtim i madh kur u avita derës së rrethimit! Aty takova P.Ferdinandin, duke u kthyer nga puna. Ishte i lodhun e i rraskapitun prej vujtjeve.
U përqafuem, mandej i dhashë ato pak tesha e ushqime që ja pata sjell nga Shkodra. Ai filloi me bërtitë: “Pse kaq pak?! A e shef se jam gjysë i zhdeshun e gjithmonë i untë?!”
Ai kishte arsye me më bertitë, por edhe unë nuk kisha faj, se aq mujta me ba!
E filloi tuj me tregu. “Eh mor vlla, ushqimet këtu janë të prishuna e të kalbuna, në kamp kane vdek për 4-5 ditë rreth 83 fmijë! Kjajmë e nuk mund të flasim. Un përpiqem boll me fol por kush ma ven veshin, vetëm Zoti na u baft ndihmë”.
Pamja e sotme e kampit, duket sikur bart mallkimin e atyre jetëve që u fikën mes telave me gjëmba të tij. Por prapë, është vështirë ta masim dhimbjen e të peshojmë vuajtjen e shqiptarëve në to, kur i shohim me syrin e vizitorit.
Në muret gri, në barin e thatë, në fushën e gjerë, në dykatëshen e komandës jeta e tyre lodhej e fikej, luftonte e shuhej, guxonte e tkurrej, si shumatore e sfidave për ajër e frymë, për një ditë më shumë, për një kothere bukë e për një një tas ujë, për rroba kundër acarit e për një copë qiell.
E sigurtë është, që dokumentet nuk na e rrëfejnë si duhet e sa duhet tragjedinë e atij vendi. Me gjasë, rrekjes sonë për ta imagjinuar dhe nevojës për të mos harruar, do t’i vijë në ndihmë projekti i Gjon Radovanit e Autoritetit të Dosjeve për ta kthyer në një memorial për ata që nuk dolën të gjallë prej tij.
Njihet me emrin Kampi i Tepelenës, por cilindo kod t’i lëmë atij vendi torturash, ka për të qenë pak për çfarë ka ndodhur brenda mureve të tij. Boshi i paanë bart ende shpirtra.