Home KRYESORE Herët në mëngjes…histori e jetuar

Herët në mëngjes…histori e jetuar

Tregim nga Perparim Kabo…

Kur zilja e alarmit në telefon ra si zakonisht në oren 6 të mëngjesit ndjeva një lloj dyshimi nëse duhej të ngrihesha nga shtrati si çdo mëngjes apo duhej ta thyeja rregullin duke vazhduar të mbetesha shtrirë në shtrat. E gjithë kjo gjendje më vinte sepse përtej derës së ballkonit që ishte e hapur nuk i shquaja rrezet e diellit.

Diçka kishte ndodhur që ato ishin vonuar. Jashtë ishte qetësi. Kafeteria poshte dhomës ku unë isha vendosur prej disa ditësh në qytetin e vogël të Himarës buzë detit ende nuk ishte hapur. E kuptoja sepse kur niste nga puna aroma e kafesë bashkuar me tymin e duahnit vinin brenda në dhomë si një përzjerje që krijonte një shije që kur nuk e kisha dëshiruar sepse as kafe dhe as duhan nuk pija…duhan kurrë ndërsa me kafenë isha ndarë prej vitesh mbase 30 vite të shkuara.

Ndërkohë u ngrita u vesha dhe dola në ballkonin e vogël përball detit. Qielli ishte me re të bardha që herë çaheshin për ti lënë hapsirën ngjyrës së kaltër.Ato shtëllunga mahmure më dukeshin të lodhura e si të pagjuma, që ishin zgjuar këtë mëngjes pa humor dhe që qëndronin ashtu të palëvizura nga një lloj pafuqie. Deti nuk lëvizte.Mu në hyrje të rrugës këmbësore nga lindja e qytetit atje ku rruga merr kthesën dhe ngjitet në malore një çift pleqsh kishin zënë vend. Ishin veshur me hijeshi si për ceremoni.

Gruaja e shëndetshme ishte ulur mu mbi shtyllën cilindrike që pengon hyrjen e mjeteve në rrugën për këmbësorët. Nga tre të tilla njerën ajo e kishte pushtuar me të ndenjurat e saja të bëshme. Flokët i kishte mbledhur me një ryp dhe kishte sajuar një lloj si thonë fjalës. Mbante syze me skelet të verdhë. Plaku ishte më i vjetër në moshë kuptohet, një trup i dobët dhe mbante veshur një palë pantallona të zeza, një këmishë bojëqielli me ngjyrë te feksur me mëngë të shkurtëra, një kasketë tipike të zezë nga ato që mbajnë pleqt e jugut dhe një bastun që i garantonte ekuilibrin në kushtet e moshës së thyer. Dukej rreth të 80 tave. Plaku hidhte tek tuk ndonjë fjalë me zë të lartë.Me sa duket nuk dëgjonte mirë nga veshët dhe si ndodh shpesh me njerëz të tillë për ta të folurit me zë të lartë është diçka krejt normale.

Plaka as që e prishte qejfin, hera herës as edhe i kthente përgjigje fare. Madje kurrë nuk e ktheu kokën nga ai. Plaku herë afrohej te ajo dhe herë bënte pas në trotuar duke mbajtur ekuilibrin me shkopin që mbate në dorë. Ishte nga ata bastunët tradicional që pleqtë i bëjnë vetë më dru të fortë duke i punuar për merak.I shikoja dhe mendoja kur kishin qënë të rinj, si ishte afruar plaku-djalë në atë kohë të largët kësaj plake-vajzë, si ishin njohur e kishin rënë në sevda, si ishin puthur dhe ishin ndukur dhe si ishin kokolepsur kur kishin rënë në shtrat. Plaku djalë kishte qënë i fuqishëm atëhere dhe plaka-vajzë që mrekulluar…Kushedi sa fëmijë kanë pyeta veten, kushedi se ku janë ata tani, ku janë nipërit dhe mbesat?! Çifi i pleqëve ishin zgjuar herët sot…Ishin për udhëtim drejt Sarandës dhe sigurisht veshja ceremoniale tregonte se shkonin atje për të bërë ndonjë qokë. Befas atje ja behu nje çift te huajsh nga ata që mbajnë në shpinë çanta të mëdha si maune. Ata u ndalën dhe pyetën…

Autobuzi për në Sarandë niset këtu?! Dy pleqtë u bën sy e vesh…nuk kuptonin anglisht por të dy, herë në një zë e herë veç e vç përsëritën disa herë në orën 7 madje plaka nazelie tregoi dhe 7 gishta. Zonjëza e re kishte veshur pantallona të bardha gati transparente, kishte një bluzë ngjyrë kremi si në pjepër dhe ajo e tejdukshme sepse dallohej ngjyra e zezë e të bredëshmeve të saja…mbante në kokë një kapele republike verore dhe kishte syze optike. Partneri ishte shtatlartë veshur sport me pantallona të shkurtra të zeza dhe tshirt në një tonalitet të grisë po të errët.. Në moment pasi u siguruan se autobuzi nisej prej andej ata ulën bagazhet dhe morën frymë të lehtësuar…i mbshtetën në tokë dhe buzëqeshën. Vajza me të bardha nxitoi të fliste…Unë jam spanjolle tha ajo në anglisht …ah Spanja përsëritën pleqt si të habitur, ky është nga Australia spjegoi ajo për partnerin e saja. Ah Australia u përsërit habia e pleqëve.

Mëngjes herët në mes të rrugës dy pleq nga Himara dhe dy të huaj për të njëjtin mision, të mernin autobuzin drejt Sarandës. Plaku u gjallërua…dhe nisi tu fliste “ise kalla ise kalla..e pastaj e perkthente po vete… të jeni mirë… të jeni mirë. Plaka e shihte vëngër e ndërkohë kthente kokën që të buzëqeshte me të huajt sikur donte tu thoshte:… është plak mos ja vini re është curufjasur. Spanjollja nxori nga një çantë e vogël telefonin celular dhe nisi të fotografonte detin në mëngjes…Ka diçka ndryshe deti kur dita është në orët e para, duket më i paqt më vetvetja sepse ska ende njerëz që lahen por dhe sepse vetëm anijet në thellësi krijojnë një dekor mes enigmës dhe kurjozitetit.

Mbase dhe deti fle natën dhe ai zgjohet në mëngjes. Edhe ai ëndërron dhe i përjeton ëndërrimet e tija. Pasi ndali me fotografimin spanjollja u afrua me “bandillin” e saja dhe nisën të putheshin. Plaku u afrua ashtu mbi bastun të shihte më nga afër. Plaka shqeu sytë dhe kruajti zërin…Pasi u ndanë nga puthja australiani nxori nga çanta një shishe të vogël me ujë dhe e kthehu nja dy herë. Plaka vazhdonte të kqyrte sikur donte ta maste se çfarë i bëntë ai asaj brishtësie të bardhë si e shkundte në krevat. Australiani azgan i afrojë shihshen me ujë .Plaka refuzoi. Mbase se atje ishte edhe puthja, mbase se nuk i pihej, por plaku e shtynte duke i thënë pije moj pije se po të jep ujë.

Ajo i hodhi një shikim shpotitës sikur donte ti thoshte,…mbylle atë kamare se e di unë se çdo të bëj…pa janë këta këtu. Spanjollja hoqi syzet i fshihu me cepin e bluzës. Përdori më tej një kartpecetë dhe kaloi rrugën e shkoi ta hidhte nga ana tjetër ku ndoheshin kazanët e plehrave. Pleqt u panë në sy…Eh menduan, puthet në rrugë po ama letrën se hodhi në shesh, e bija e botës shkoi dhe e hodhi mu në kazanin e mbeturinave. Të dy shfryn njëherësh sikur donin të nxirnin nga brenda qënieve të tyre fjalët e mbetura peng…” eh u nduk në rrugë po ama atë letrën e hodhi atje ku duhet”…Plaka mendonte se kur e kishte mare ajo puthjen e parë nën ndonjë pjerrgull apo havlli dhe ndoshta e kujtonte gjendjen… por ama jo në rrugë mazalla jo….nuk mund të puthesh në mes të rrugës! Ndoshta spanjollja është nga ato megjithëse nuk duket e tillë…

Ndërkohë ishin afruar edhe disa njerëz të tjerë që do mernin autobuzin Himarë Sarandë…Diku nga ora 6 e 45 mbriti autobuzi. Ndaloi në krahun tjetër atje në bri të shpellës që askush nuk e viziton, ka atje vetëm një tabelë që shpjegon në dy gjuhë por që është vështirë të lexohet.

Hyrja e shpellës është e bllokuar nga një parking makinash i improvizura si mos më keq, Tani nuk i shihja dot më nga ballkoni. Dëgjohej vetëm zhurma e motorrit të autobuzit, Ishte një zhurmë e butë dhe harmonike një lloj monotonie e mbytur që tregontë se ajo vegla punonte mirë. Mu kujtuan ata autobuzët e vegjël të dikurshëm si buburreca që në malore gati sa nuk mbyteshin dhe ti thoje me veten.. o bo bo do pëlcasi tani… mbetëm këtu. Minutat më dukeshin të gjata tek prisja me telefonin gati ti bëja poza autobuzit kur do shfaqej në fushëpamjen time atje ku udha merte kthesë dhe ngjitej në të përpjetë…Nuk e dija se ç’po ndodhte. Zërat nuk dëgjohesh më…Po me siguri që pasagjerët po rregullonin bagazhet e po hypnin një e nga një…Besoj se plaka zonja e rëndë kishte hypur e para dhe ishte ulur atje pas shoferit te dritarja. Të ndënjurat e saja të bëshme ishin rehatuar duke i lënë pak vend edhe plakut që do të vinte bastunin e drunjtë mes këmbëve. Edhe spanjollja me australianin do ishin rehatuar diku nga fundi për tu puthur rehat dhe pa u shqetësuar …Të tjerët do të ishin ulur diku… kur ja në momentin e fundit ja behën dy të rinj që u tremben kur nuk panë njeri atje dhe pastaj tek dalluan autobuzin thanë njëzëri…za Saranda dhe vrapuan drejt autobuzit. Mbase ishin polakë, kush dreqin e dinte mbase rus.

Në moment ai mjeti enigmatik që ishte shëndruar në të tillë se unë nuk e shihja… lëvizi dhe u shfaq tek po ngjiste atë malore. Dallova që ishte një mikrobuz i mirë, modern dhe disi i kohës. Në shpinë shkruhej City Himara…Mjeti lëvizte dhe dielli kishe gjetur pak të çara mes rrezeve..Kishte nisur një ditë e re…Imagjinoja se çmund t’i thoshte plaka plakut që qe strukur nga frika dhe se çafrë i çuçuriste spanjollja atij mashkulli të fuqishëm tek po udhëtonin drejt Sarandës qyteti që i priste dhe ku ata dy çifte në mosha të largëta ishin nisur për misione të ndryshme…Pleqt mbase për ndonjë kësodh e ata dy të rinjt e huaj për një trill në hartën e tyre të dashurisë nëpër botë…! Ka shumë nga ata që duan të lën gjurmë dashurie kudo madje edhe në vende ekzotike ku natyra është i vetmi dekor i modernitetit…

Pkabo 26 gusht 2018

Share: