Home KRYESORE Naun Shundi: Me ka kaluar koha…? Kushdo le te replikoje me mua!

Naun Shundi: Me ka kaluar koha…? Kushdo le te replikoje me mua!

Më lejoni t’ju them që populli shqiptar i ka përkëdhëlur të gjithë njerëzit që meren me art duke i quajtur artistë. Jo cdo aktor, jo cdo piktor, jo cdo balerin, jo cdo kompozitor.. etj etj.. është artist. Shumica janë njërëz të zakonshëm që fati dhe talenti i tyre në një drejtim të caktuar i kanë bërë të aftë te merren me profesionet përkatëse.

Artisti është tjetër gjë. Na vjen mirë kur na quajnë të tillë, por nuk jemi të tërë. Aktorët kanë fatkeqësinë që në skenë flasin me gjuhën e autorit, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël. Publiku i vlerëson “artsitët” në bazë të asaj cka ai ka parë në ekranë ose skenë.

Gjykimi për një aktor është i sakt në bazë të krijimtarisë dhe emocioneve që ai ka përcjellë. Por, kur dëgjon aktorin “X“ të flasë jo me gjuhën e autorit ose dramaturgut, por me gjuhën e tij atëherë fillon një gjykom i dyfisht. Gjykimi si aktor dhe gjykimi si njeri.

Lum ai aktor që mundet të jetë i barazvlefshëm. është i njohur fakti që populli beson më tepër fjalët dhe gjykimet e një artisti se sa ato të një politikani, i cfarë do ngjyre qoftë. Pra, artistët nuk janë politikanë. Ato synojnë të bëjnë politikën e tyre gjithmonë antagoniste me cfarëdolloj shteti ose pushteti dhe kjo i ka bërë të dëgjueshëm dhe të besueshëm.

Por, kur artistët kalojnë nga një llogore në tjetrën, nga një “po” në një “jo”, nga një qëndrim patetik në mbrojtje të godinës së teatrit kombëtar, e mira do të ishte të na bënin publike arsyet e ndërrimit të llogores. Disave pushka i ka mbetur ngrehur në llogoren e tyre.

Nuk dinë kë të qëllojnë dhe pse ta qëllojnë. Vetëvrasja është rruga më fatlume për ata që ndërrojnë llogoren. Ose shantazhi, ose joshja, ose premtimet për favore të mëpastajme mund ta detyrojnë qënien njerëzore të cedojë. Por jo 180 gradë. Kjo është mungesë karakteri dhe populli që ka besuar tek ne si artistë, nuk do të na besojë më, sic nuk beson politikanët tanë.

Ajo për të cilën më vjen keq është fakti që komuniteti teatror është i përcarë dhe i përdorur, qoftë nga e majta , qoftë nga e djathta. Fakti që aktorët e teatrit kombëtarë sikundër edhe unë meremi me politikë, vjen nga fakti që politika ka ndërhyrë tek ne.

Nuk dua të jem njeri politik, por kam detyrim moral të përdor politikën time kundër politikës së mbrapshtë. Peticjonet pro ose kundër shëmbjes së teatrit, për mua nuk vlejnë asnjë grosh. Nuk kam nënshkruar asnjë peticjon sepse më mjafton zëri im.

Nëqoftëse gjithsekush do të përdorte zërin e tij dhe fjalën e tij, nuk do kishim nevojë për peticjone false. Shëmbja e Teatrit Kombëtar do të jetë një mëkat i madh për ata që do të vendosin dhe do ta ekzekutojnë. Nuk është, sic thonë, e vetmja alternativë që duhet të shëmbur ky teatër dhe po aty të ndërtojmë një i ri bashkëkohor.

Kush e garanton që ky teatri i vjetër 70 vjecar, i zëvendësuar nga një teatër bashkëkohorë sipas tyre , mbas 100 vjetësh nuk do të konsiderohet teatër i vjetër i cili duhët shëmbur dhe mbi të të ndërtohet nje i ri me parametrat bashkëkohor të asaj periudhe.

Pra, “bashkëkohorja” gjithmonë mund të kthehet në vjetërsirë. I bëj thirje cdo ndërgjegjeje artistike të prononcohet me argumenta, qofshin këto pro ose kundër, që të mundemi të kemi një refleksion të qartë dhe transparent për atë cka mendojnë artistët.

Një firmë nuk vlen asgjë përpara një prononcimi publik. Duke qenë njerëz publik , e kemi për detyrë të jemi publik edhe me mendimet dhe gjykimet tona për cka po ndodh dhe cfarë mund të ndodh me godinën e Teatrit Kombëtar.

Ju ftoj të tërëve të replikoni dhe mirëpres cdo mendim kundër. Vëtëm ju lutem jo nëpërmjet portaleve apo faqeve personale cosiale, sepse unë nuk kam as facebook, as adres emaili, as instagram, as tuiter, asgjë virtuale. Pra, nuk jam “bashkëkohor” dhe vjetërsira si unë mbase duhen shëmbur se i ka kaluar koha.

Share: