Ndahet nga jeta Artisti i Popullit, Gaqo Çako.
Simboli historik i operas dhe baletit shqiptar u shua në moshën 83-vjeçare.
Njoftimi për ndarjen nga jeta të Artistit të Popullit, Gaqo Çako është bërë nga TKOB dhe në rrjetin social Facebook.
“Lamtumirë simboli historik i operas dhe muzikës shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako. Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se pak minuta me pare është ndare nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, simboli historik i muzikës operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako. Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tiranë. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegeve të Gaqo Çakos – “Nderit të Kombit”, shkruhet në njoftimin e TKOB.
Kush ishte Gaqo Çako
Gaqo Çako ka lini më 24 Janar 1935, dhe mbante titullin Artist i Popullit.
Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, ishte i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj.
Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova.
Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.
Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.
Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios.
a.s/dita