Home KRYESORE Ndodhi ajo që nuk pritej: Sherr publik masakrues mes Thaçit dhe Berishës!

Ndodhi ajo që nuk pritej: Sherr publik masakrues mes Thaçit dhe Berishës!

Nga Qamil Xhani.

Edhe sherri publik mes Hashim Thaçit dhe Sali Berishës nuk kishte ndodhur. Por ndodhi dje, madje shumë më i rëndë se sa mund t’i shkonte mendja njeriu.

Në Prishtinë ka ditë që po flitet për një çështje ku preken interesat e gjithë shqiptarëve. Në shtator Kosova dhe Serbia do të ulen për bisedime dhe mes ideve që qarkullojnë janë ato për “shkëmbim territoresh”, “korrigjim kufijsh” apo “ndarje e Kosovës”. Tema të tilla të nxehta, gjatë viteve të kaluara, zakonisht janë hedhur për konsum publik nga Serbia. Por këtë herë çudia është se propozimi nuk vjen nga Beogradi, nga “institute të pavarura” dhe as nga ndërkombëtarët, por nga numri një i shtetit të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi. Ish-luftëtari i UÇK, Thaçi, ka marrë përsipër të bëhet zëdhënësi i një ideje që trazon jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin. Presidenti Thaçi thotë se nuk do të ketë ndarje territorit të Kosovës, por vetëm “korrigjim kufijsh”. Me këtë ide, Thaçi nënkupton se Lugina e Preshevës, Medvegja e Bujanovci në Serbi, një territor me shqiptarë etnikë, do të bëhen pjesë e shtetit të Kosovës. Parimisht, ideja e Thaçit edhe nga mënyra sesi e prezantoi ai, “jo ndarje”, por “bashkim me Luginën” duket joshëse. Banorët që jetojnë në këto zona dihet që janë historikisht shqiptarë dhe deri para krijimit të Jugosllavisë kanë qenë pjesë administrative e territorit të Kosovës.

Ideja e “korrigjimit të kufijve” mund t’i sjellë Kosovës, Luginën e Preshevës, por mund t’i humbasë asaj komunat serbe në veri të shtetit të Kosovës, ose edhe Mitrovicën. Pra “korrigjimi i kufijve” praktikisht është ndarje e Kosovës. Thaçi deri më sot flet për atë që fiton Kosova me këtë marrëveshje, por nuk e thotë çfarë humbet. Gjithashtu, të panjohurat e kësaj ideje lidhen dhe me faktin se lëvizje të tilla hapin probleme në gjithë rajonin. Pas Kosovës është gati Bosnja dhe Maqedonia, por në gjithë Ballkanin mund të lindin dëshira për “korrigjim kufijsh”. Kjo ide, deri më sot, ka mbështetës zyrtar Hashim Thaçin. Homologu i tij në Serbi, Aleksandër Vuçiç ka ndryshuar tonin e deklaratave dhe teksa mblodhi Këshillin e Sigurisë dhe ushtarakët e lartë foli për një Serbi që “garanton paqen” në rajon. Nga SHBA dhe BE, mesazhet që kanë ardhur kanë qenë në linjën e shmangies së tensioneve. As pro apo kundër kësaj ideje. Mesa duket janë duke testuar se deri ku shkojnë punët nëse marrëveshja lihet vetëm në dorën Vuçit dhe Thaçit.

Tema të tilla përfshijnë gjithë kombin shqiptar dhe ndërsa ndërkombëtarët heshtin, në Prishtinë dhe në Tiranë diplomacia dhe politika zyrtare është e hutuar. Në raste të tilla flet zyrtarisht diplomacia, ministritë e jashtme, akademitë, studiuesit, diplomatët e karrierës, media dhe institutet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Duhet të fliste ministria e jashtme e Shqipërisë. Edhe kryeministri. Por edhe kur në Prishtinë dhe Tiranë diskutohen tema të tilla, çdo gjë bëhet shqiptarçe, me sherr, hedhje balte dhe nxjerrje thonjsh. E tillë ishte dje replika mes Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Një replikë që mund të konsiderohet si më e ashpra mes dy politikanëve të lartë shqiptarë nga Prishtina dhe Tirana e cila do të lërë gjurmë për shumë kohë në raportet e forcave politike dhe simbolikës që dy personazhet përfaqësojnë në dy shtetet shqiptare.

Sali Berisha priti dje përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës në Serbi. Mes ideve për ndarje dhe shkëmbim, shqiptarët e Preshevës ndodhen sot në pikën me kritike, mes Serbisë, Kosovës dhe lidhjeve me Shqipërinë. Sali Berisha dje u bë politikani i parë i lartë i Tiranës që dënoi idetë e Thaçit për “korrigjim të kufijve”. Në qëndrimin e mbajtur pas takimit, Berisha tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të përdoren si plaçkë tregu. Duke goditur idenë e Thaçit për “korrigjim kufijsh” Berisha theksoi se ky është një projekt i vjetër i Serbisë për të realizuar ndarjen e Kosovës. Berisha shkoi dhe më tej në qëndrimin e tij, duke shtuar se ndryshimi i kufijve vë në pikëpyetje dhe pavarësinë e Kosovës që është njohur nga 115 shtete bashkë me integritetin territorial të saj. Por deklaratat e Berishës për pazare me shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë sjellë një reagim të ashpër të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në një deklaratë në rrjetet sociale, Presidenti i Kosovës duke refuzuar qëndrimin e Sali Berishës duke bërë një seri akuzash të forta ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha. Thaçi e akuzon Berishën për thyerjen e embargos ndaj Serbisë në vitet 1992-1996. Ai i kujton se në kohën kur gjithë bota kishte vendosur sanksione ekonomike ndaj Sllobodan Milosheviçit për masakrat në Bosnjë, ishte Shqipëria e Presidentit Berisha që lejonte furnizimin me naftë kontrabandë të makinerive të luftës serbe. Akuzat shkojnë edhe më tej, kur Hashim Thaçi deklaron se Berisha ka strehuar në Shqipëri kriminelin e luftës dhe vrasësin e shqiptarëve Arkanin (Zeljko Raznatoviç), apo dhe terroristin më famëkeq të botës, Osama Bin Laden. Në serinë sulmeve ndaj Sali Berishës, Thaçi nuk ndalet me kaq duke bërë dhe një tjetër akuzë të rëndë thënë se ish-presidenti ka arrestuar themeluesit e UÇK-së dhe nuk lejonte në Shqipëri Ibrahim Rugovën. Mes liderëve politikë në Prishtinë dhe në Tiranë ka pasur miqësi, por edhe mërira dhe inate. Ka pasur kulisa dhe sherre, por deri dje gjuha e përdorur ka qenë e kujdesshme. Në Kosovë, Berisha ka një reputacion të madh. Në Tiranë, Thaçi shihet si i pari i shtetit tjetër shqiptar, por edhe komandant i UÇK-së dhe simboli i njeriut të rezistencës. Ndaj sherri i djeshëm dhe akuzat e tensionuan edhe më shumë situatën në të cilën ndodhen shqiptarët në Kosovë, në Preshevë dhe në Shqipëri. E jo vetëm, por edhe në Maqedoni e në Mal të Zi.

Ajo çfarë po hidhet në diskutim nuk ka të bëjë vetëm me Thaçin apo Berishën. Është një çështje që shkon përtej një politikani, qoftë ky President apo ish-President. Nëse në tavolinë diskutohet “korrigjimi” apo “ndarja e kufijve”, kjo është një çështje që prek gjithë kombin. Ndaj, për dy shtetet, diplomacitë zyrtare dhe politikanët në Tiranë dhe Prishtinë është koha të kenë një qëndrim të përbashkët. Kjo është më e pakta që mund të bëjnë.

Sidomos duhet ti vënë drynin gjuhës së drunjtë dhe masakruese.

360grade.al

Share: