Home KRYESORE Thaçi flet për “Der Standard”: Kosova nuk do të ndahet!

Thaçi flet për “Der Standard”: Kosova nuk do të ndahet!

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se marrëveshja finale me Serbinë nuk do të konsistojë në ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Ai tha në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” se ideja për korrigjimin e kufijve me Serbinë nuk ka qenë deri më tani në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Çdo marrëveshje ka kuptim vetëm kur bëhet fjalë për njohjen dypalëshe, dhe Kosova të bëhet anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Thaçi.

Ai pohoi se ideja për korrigjimin e kufijve (përfshirja e Luginës së Preshevës në Kosovë) është e tij, dhe se nuk ka qenë në asnjë moment subjekt i bisedimeve me Vuçiçin.

“Por ne do të flasim për këtë. Unë dua të veproj në mënyrë racionale. Ka dallime të mëdha, por e vetmja rrugë është të vazhdosh dialogun. Pa një marrëveshje, ne pengojmë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së” u shpreh më tutje Thaçi.

I pyetur se çfarë pret nga paraqitja e presidentit serb në veri të Kosovës, vizitë kjo e paralajmëruar në datë 8-9 shtator, presidenti kosovar tha se vendi i tij nuk do të ndahet.

“Kosova do të ruajë frymën multietnike. Por ne duhet të punojmë për të zgjidhur armiqësitë që kanë ekzistuar për 200 vjet. Ne nuk duhet të jemi peng të kufijve të vendosur gjatë Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia nuk ekziston më. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Prandaj, askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

s.a/dita

Share: