Home KRYESORE Thaçi: Jo ndarje të Kosovës, por korrigjim të kufijve

Thaçi: Jo ndarje të Kosovës, por korrigjim të kufijve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e kundërshton idenë për ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike, por është i hapur për të diskutuar “korrigjimin” e kufijve gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Asocciated Press, presidenti Thaçi tha se “pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në. Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”.

Zyrtarë të lartë serbë kane hedhur idenë e ndarjes tokësore të Kosovës, që nënkupton shkëputjen e veriut të banuar me shumicë serbe, por edhe atë të shkëmbimit të mundshëm të territoreve, veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare ne jug të Serbisë.

Presidenti Thaçi tha se “nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve”, por pa e saktësuar nëse kjo nënkupton edhe ndryshimin e kufijve në veriun e Kosovës.

“Ndërkombëtarët janë duke na dëgjuar, ndërkombëtarët janë duke lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi – Bashkimi Evropian me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlerësoj se korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi dhe marrëveshja finale e njohjes reciproke që do të ndodhë… nëse kjo marrëveshje është e vullnetit të dyanshëm të palëve dhe një marrëveshje e balancuar, që nënkupton ‘win-win’ për të dyja palët, atëherë askush nuk mund të jetë kundër”, tha ai për agjencinë e lajme AP.

Në Shkup ndërkaq zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Matthew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht ndërmjet presidentëve (Aleksandër) Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

“Nuk varet nga ne që të përcaktojmë shtrirjen e këtyre negociatave. Ne jemi duke punuar me të gjitha palët e përfshira për të theksuar mbështetjen tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtoj pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian.

Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve.

a.s/dita

Share: