Home KRYESORE Video/ Apeli rrënqethës i prindërve të 24-vjeçarit që u vra në Bari

Video/ Apeli rrënqethës i prindërve të 24-vjeçarit që u vra në Bari

Familja e Lek Picakut, nga Mirdita dhe me banim në ish-kënetë të Durrësit ka hapur dyer e mortit. Djali i tyre, Viktorian Picaku, u vra në Bari të Italisë mbrëmjen e 1 Gushtit. Rrethanat dhe shkaqet mbeten ende të paqarta plotësisht, por dyshimet e para janë se është konfliktuar me një italian për një vajzë, e më pas ai është hakmarrë duke e vrarë në mes të sheshit të Coratos mes dhjetëra njerëzve.

Viktorian Picaku ka qenë nën shoqërinë e vëllait të madh dhe kunatës kur dy persona me skuter qëlluan me pistoletë ndaj tij, duke i marrë jetën. Apeli i prindërve të tij, Lek dhe Kristina Picaku është i fortë për institucionet shtetëtore, nis nga presidenti, kryeministri, ministri i jashtëm: Ata kërkojnë ndihmë për kthimin e trupit në atdhe. “Nuk i duam tjetër zotit vetëm të na sjellin trupin e djalit”, thonë mes lotësh prindërit e dërrmuar nga dhimja.

Intervista e plotë për televizionin Report tv:

Si e mësuat lajmin për vrasjen e djalit tuaj?

Lek Picaku: Lajmin për vrasjen e djalit e mora vesh kur djali nuk më hapte telefonin. U vra, e kanë vrarë, djali s’merrte frymë më thanë. E kuptova direkt që ishte vrasje apo therje. Djalin nuk e lanë ta prekte. Po vdes, djalin se lanë ta prekte vëllain.

Me kë ishte djali ditën kur u vra?

Ditën kur u vra, djali ishte me dy vëllezërit.

Kanë qenë dy vëllezërit dhe bashkëshortja e njërit prej tyre?

Po.

Prej sa kohësh Viktori kishte shkuar në Itali dhe çfarë pune bënte?

Prej dy vitesh. Është martuar djali i madh në Itali me një gocë, ka bërë martesën. Shkoi djali se dhe këtu s’kishte çfarë të bënte, pa punë.

Keni informacion pse ka ndodhur ngjarja e rëndë? Nga biseda që keni bërë me djalin tjetër?

Me djalin e madh s’kuptohem dot se është vetëm është mërzitur. Di që është grindur për një gocë është ngatërruar me një tjetër.

Aktualisht trupi i pajetë i Viktorian Picakut ndodhet në morgun e spitalit të qytetit ku u vra. Ka patur reagime nga miqtë, qytetarë dhe kryetari i Bashkisë atje. Keni një apel, apo një kërkesë për organet shtetërore për të sjellë trupin e djalit?

Kisha një kërkesë kush të ketë mundësi që ka pak dhimbje për fëmijën, të më ndihmojë të sjellë trupin e djalit. As kemi vrarë as kemi prerë. Ministria e Brendshme, e Jashtme kush të ketë mundësi. E kanë vrarë, ngeli aty… Kam 30 vite me astmë. Kush të ketë mundësi të më ndihmojë të sjell djalin këtu. Ju erdhët në shtëpinë tonë, ngushëllimin tonë, faleminderit.

Nënë e Viktorianit shprehet: Vrasjen e djalit e morëm vesh nga djali i madh. Kanë qenë të tre kur u vra. Ata e vranë dhe nuk e lanë të vëllain ta prekte me dorë. Ata e vranë e i thanë “Mos e prek se do të të vrasim dhe ty”. Këtë na tha djali, këtë na thanë të gjithë. Bëj apel, kush ka dorë, të na ndihmojë të sjellin kufomën. Të paktën kufomën… Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Presidenti, Kryeministri të na sjellin djalin.

Prej sa kohësh djali ndodhej në Itali? Kur keni folur për herë të fundit me djalin?

Për herë të fundit kemi folur parmbrëmë, një natë para se ta vrisnin. Atë natë që e vranë, kishte ditëlindjen e mbesës.

Momentin kur u vra kishte ditëlindjen e mbesës?

Po kemi folur me të shkruar jo me zë.

Me se punonte aty?

Punonte në të zezë, si në Plati të kohës. Pa letra, pa asgjë. Veç në mëshirë të fatit, në mëshirë të Zotit.

Keni njerëz të tjerë aty?

Jo, janë larg, janë shumë larg ata të dy. Zefi është i vetëm, kërkoi ndihmë motrave familjes. Ka mundësi ju lutem, aman veç të sillni kufomën. S’duam tjetër gjë.

Share: