Home KRYESORE 5 përparësitë kryesore të parkut diellor të Akërnisë.

5 përparësitë kryesore të parkut diellor të Akërnisë.

Nga Dr. Lorenc Gordani

Panorama e sektorit energjetik shqiptar kohët e fundit ka parë fillimin e një tenderi të rëndësishëm ndërkombëtar për ndërtimin e një impianti diellor me kapacitet të instaluar mbi 50 MW në zonën e Akërnisë (Valona). Një garë që, si në pak raste deri me këtu, ka tërhequr vëmendjen e mbi 30 kompanive ndërkombëtare dhe rezultatet reale të secilës do ta kemi në 17 shtator 2018, nga vlerësimi qe do të kryhet pranë ministrinë se energjisë. Për këtë arsye, në këtë analizë do të përpiqemi të përqendrohemi në përfitimet që ky projekt paraqet nga këndvështrimi i kompanive të interesuara për projektet fotovoltaike.

Në këtë rast, qe në fazën e parë të konceptimit për sa i përket formulës se përzgjedhur, për herë të parë është nisur një projekt si garë ndërkombëtare “tender për kapacitete”. Në fakt, garë ka pasur gjithmonë, të paktën për koncesionet në hidroenergjetikë është zbatuar që në gjeneratën e tyre të parë në fillim të viteve 2000, por në këtë rast ajo vjen me ndryshime të qenësishme krahasuar me të kaluarën. Kjo do të thotë, se projekti nuk vjen me si një propozim i pakërkuar nga një kompani private që për këtë merr një bonus që e “projekton” atë si fitues potencial, por gjithçka ofrohet në paketë nga autoriteti publik, duke dhëne kështu edhe mbështetjen maksimale për kompanitë e interesuara.

Për sa i përket projektit, duke iu referuar karakteristikave kryesore që ndikojnë në një investitor drejtpërsëdrejti, avantazhet e tij janë të lidhura me vendin e përzgjedhur me një rrezatimin diellor nga më të lartat në Evropë për një potencial prej mbi 1600 kWh/m2. Për më tepër, lidhur me pozitën gjeografike, duke u vendosur në një zonë shumë larg burimeve të tjera kryesore dhe me një perspektivë të madhe për rritjen e kërkesës për energji në vazhdimësi, ai ofron një mundësi shumë të mirë furnizimi direkt duke shmangur humbjet aktuale të larta të rrjetit të shpërndarjes.

Gara parashikon për herë të parë jo vetëm përzgjedhjen e fituesit, por edhe mbështetjen që do të merret për 15 vjet. Pra çmimin e shitjes së energjisë së prodhuar, zhvilluesit do ta përcaktojnë deri diku vetë, brenda kufirit prej 100 Eur/MWh. Mbështetje që garantohet me një PPA paraprake, e shprehur në monedhë të fortë, e cila duke u përfshirë në marrëveshjen e garës së ndërtimit të projektit PV Akernia e bën atë potencialisht, në varësi edhe të planit të biznesit të propozuar, të financueshëm nga bankat (bancable). Energji që do të shitet drejtpërdrejti në bursën e energjisë pa kaluar nëpër OSHEE, e cila gjithashtu ndihmon në hapjen e tregut dhe ofron një mundësi të artë për kompaninë për t’u bërë edhe aktor i rëndësishëm në tregun e energjisë.

Lidhur me këtë aspekt të fundit, parku diellor do të lidhet direkt me një nga “autostradat” e sistemit energjetik shqiptar (linjën unazore të jugut prej 110 kV), duke e bërë transmetimin e energjisë në të gjithë rajonin shumë praktik. Për më tepër, procedura siguron mbështetje me garanci më të mëdha për investitorët, ku si kurrë më parë parashikohet një fond specifik dhe afate të mirëpërcaktuara deri edhe me kamatvonesa për pagesat e vonuara, etj.

Përveç kësaj, teknologjia diellore konsiderohet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare që mbështesin sektorin si BERZH-i, Sekretariati i Energjisë, IRENA, etj., si teknologjia më e mirë për të diversifikuar prodhimin e ardhshëm të vendit. Një fakt shtesë që krijon një klimë shumë të favorshme për bizneset, që duke marrë parasysh edhe madhësinë e rëndësishme të centralit mbi 50 MW, me siguri do ta bëjnë këtë projekt shumë tërheqës për shumë kompani ndërkombëtare të sektorit fotovoltaik.

Ky artikull bazohet kryesisht në intervistën “Zhvillimet më të fundit në fotovoltaikë dhe parku diellor në zonën e Akernisë“, dhëne për emisionin “Për të Fol”, te drejtuar nga z. Omer Saraci, pranë Radio Televizionit Scan, më 4 shtator 2018.

Share: