Home KRYESORE “Audio-përgjimi i Babales”, laboratori britanik sjell përgjigjen e ekspertizës në Shqipëri:

“Audio-përgjimi i Babales”, laboratori britanik sjell përgjigjen e ekspertizës në Shqipëri:

Autoritetet britanike kanë sjellë prej disa ditësh përgjigjen e letërporosisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për audio-përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafajt.

Burimet thonë për “Panoramën” se përgjigja e letërporosisë ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pritet që nga dita në ditë t’i përcillet Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Po kështu, materiali i dërguar në Britani për ekspertim nuk është origjinali, por një kopje e paplotë dhe me ndërhyrje.

Për këtë arsye, duke qenë se britanikët nuk kanë pasur në dispozicion audio-përgjimin bruto dhe origjinal, nuk janë shprehur për autenticitetin e tij.

Gjithashtu, pyetjes tjetër nëse zëri në audio-përgjim është i Agron Xhafajt, britanikët i janë përgjigjur me gjasa dhe jo përfundimisht. Sipas tyre, audioja që kishin në dispozicion është jo e pastër dhe zërat nuk mund të krahasohen lehtësisht me mostrat e vënë në dispozicion nga vetë Agron Xhafaj, përpara se të nisej në Itali për të sqaruar çështjen e dënimit.

Përveç audio-përgjimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë edhe të dhënat nga telefonat celularë të personave që supozohet se marrin pjesë në përgjim për të lokalizuar vendin ku ka qenë Agron Xhafaj në momentin kur supozohet të jetë konsumuar biseda.

Pasi përgjigja e letërporosisë të përkthehet nga Ministria e Drejtësisë në gjuhën shqipe, do të vihet në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mendohet se do të jetë përcaktuese për ecurinë e hetimit. Nga ana tjetër, Albert Veliu, njëri prej personazheve kryesore në audio-përgjim ndodhet ende në Kosovë, në procedura për të marrë azil politik, pasi pretendon se i rrezikohet jeta në Shqipëri.

HETIMI

Për Agron Xhafajn ka një vendim penal nga Gjykata italiane dhe ai u është dorëzuar autoriteteve atje, pas sulmeve të njëpasnjëshme të PD-së. Nga ana tjetër, Albert Veliu, i cilësuar si dëshmitari X, pretendon se e njeh Xhafajn që në Itali, para shumë vitesh dhe pasi ai ra në burg, Agron Xhafaj nuk u interesua më për të.

Veliu gjendet në Kosovë, në proces azili politik. Deri më tani, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë thirrur për dëshmi, Albert Veliu, i njohur si “Dëshmitari X” në video, dy deputetët e PD-së, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, si edhe Gazment Bardhi.

Gjithashtu, në Prokurori është pyetur edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili mendohet se ka kryer përgjimin. Të dhëna për “Ermalin” ka dhënë vetëm Albert Veliu dhe në bazë të të dhënave të tij po kryhen verifikimet.

Më herët, në Prokurori ka qenë edhe vëllai i ministrit Xhafaj, që ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka lënë një regjistrim të zërit për krahasim me përgjimin. Agron Xhafaj pretendon se zëri nuk është i tiji dhe se përgjimi i publikuar nga PD-ja është montazh. Ai është nisur drejt Italisë ku ka shkuar me avokatin për të zgjidhur çështjen e dënimit në Itali./Panorama

Share: