Home KRYESORE DËMTIM PRIVATËSIE APO LOJË PËR TË FSHIRË PROVA?

DËMTIM PRIVATËSIE APO LOJË PËR TË FSHIRË PROVA?

Nga Dritan Kaba

Rasti i hotel Plaza nuk ka të bëjë me parregullsinë, përkundrazi sipas ligjit “Masat shtesë të Sigurisë” e ka të detyrueshme t’i vendosë ndryshe ngarkohet me gjoba deri në pezullim të aktivitetit. Neni 4 dhe 5 i këtij ligji, shumë të debatuar edhe në Parlament, perifrazon qartë detyrimin e vendosjeve të kamerave jo vetëm me rezolucion të lartë, por edhe me infra të kuqe për të xhiruar edhe me errësirë. Në këtë ligj jepet qartë edhe detyrimi ligjor që subjektet, në këtë rast hotel Plaza, e ka detyrim t’i ruajë të paktën dy muaj pamjet e regjistruara si minimum dhe nuk aspak të drejtë t’i fshijë ato.

Ligji përkundrazi vendos minimumin e ruajtjes, por nuk e detyron kohëzgjatjen e mbajtjes së regjistrimeve. Edhe në këtë rast debati ishte se subjekteve të ndryshme ekonomike do i duhej server i madh dhe i kushtueshëm kështu qe u la një afat dy mujor detyrimin e mbajtjes së të dhënave.

Ky ligj detyron gjithashtu z. Besnik Dervishi si komisioner i ruajtjes se të dhënave personale që gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, që po bën gati dy vite i miratuar, të ngrinte rregulloren dhe regjistrin e subjekteve që disponojnë këtë teknologji. Deri këtu e ka hapin ligjor Besniku, asnjë çap më tej.

Hotel Plaza në këtë rast ka zbatuar ligjin pikë për pikë, ndërsa Besniku e ka shkelur atë, qoftë me shkresën e tij arbitrare, qoftë edhe me mospërmbushjen e detyrimit ligjor që i jep ligji i miratuar nga Parlamenti. Në rastin më të mirë për Dervishin duhej të kërkohej shkarkim nga detyra për mos plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji dhe në rastin e vërtetë ligjor, që Besniku e njeh mirë, deri në ndjekje penale për shpërdorim detyre, si për shkresën por edhe për mospërmbushjen e detyrimeve që atij si pozicion në mënyrë taksative ia ka përcaktuar ligji.

Pyetja që vjen është çfarë takimi të kujt me kë, kërkon të fshijë Besnik Dervishi? Letra e tij si e thamë është në kundërshtim të plotë me ligjin, e propozuar nga Tahiri dhe mbështetur me forcë nga grupi i deputetëve të Rilindjes.

Kur ligji u miratua në Parlament ka pasur një përplasje të fortë edhe vetë mes mazhorancës. Grupi i deputetëve të LSI ishte kundër miratimit të këtij ligji dhe shumica votuan kundër. Ishte nga ato ligje që u miratua me 49 vota pro. Presidenti Nishani e ktheu ligjin sërish në Palament. Diskutimet ishin shumë të mëdha. U desh të ndryshohej rreth 50% e ligjit që ai të rimiratohej në Parlament, sepse grupi i Rilindjes nuk i kishte 71 bota për të rrëzuar dekretin e Presidentit. Pa asnjë hezitim e them që pa këmbënguljen e z. Petrit Vasili sot do kishim një ligj monstër, si ishte formuluar në fillim, të quajtur antikushtetues si nga PAMECA dhe ICITAP. Në atë kohe si Syri.net edhe Hashtag.al e denoncuan dhe çmontuan ligjin si antikushtetues.

Media tjetër heshti, sidomos ajo televizive, po shume turpshëm, se duhej vetëm lavdëruar iniciatori i atij ligji monstër, Tahiri. Ishte koha kur Shqipëria mbulohej nga hashashi dhe televizionet jepnin paradat e asgjësimit të 99.99% të sipërfaqes së mbjellë me hashash dhe ne korr lavdëronin “policinë që donin” Kryeministri dhe pronarët e tyre.

Tani të dalim tek ajo që nuk shkon. Çfarë e detyron Besnik Dervishin të tejkalojë ligjin me shkresën e tij. Ai, si jurist, e di që për të sekuestruar pamjet duhet vendim gjykate, por edhe për fshirjen e tyre, ndryshe ligji penalizon direkt administratorin e Hotel Plaza. Këtë gjë nuk mund ta bëjë Dervishi, as me letër as me urdhër.

Pyetja është kujt i djegin xhirimet e Plazas?

Kush ka darkuar apo pirë kafe me kë? Kush ka takuar kë? Kjo gjë nuk bëhet për gjakun e punëtore, as për xhirimet për ta. Kjo është një përralle absurde që nuk ka gomar ta hajë. Njësoj si ajo “bomba” poshtë makinës së Dervishit që “u zbulua” nga punonjësit e Gardës. Duke mos marre dot një vendim gjykate, Dervishi bën letra paçavure për fshirjen e serverit dhe shton atë punën e gjakut, e cila si i thonë “tironcit” është të mbulosh mutin me gjethe të thara që të mos vijë era.

Interesant është puna e zërit që e tremb atë që ka urdhëruar Besnikun të bëjë shkresën antiligjore drejtuar Hotel Plaza. Kush ka bërë pazar dhe me kë? Kush ka kërcënuar dhe kë ka kërcënuar dhe për çfarë . Kjo i dhemb urdhëruesit të Besnikut të Rilindjes, jo analizat e gjakut dhe filmimet e punëtorëve që janë shumë të ligjshme.

Nxjerrja në media si e një skandali të “madh” hedh edhe më shumë hije dyshimi. Pronarëve të Hotel Plaza do ju rekomandoja, jo vetëm gjyq për dëmtim imazhi, por edhe padi penale për Dervishin për tejkalim të kompetencave që i njeh ligji.

P.S. Të mos harrojmë aty është xhiruar edhe takimi i famshëm i Blushit me Dvoranin, që e “kaloi” vetingun, pas caktimit të këtij të fundit në trupën gjyqësore që do gjykonte pronësinë e Top Channel. Kush e ka pas radhën?! Kjo është çështja!

Share: