Skandal me inspektorët tatimorë në Tiranë, të cilët kërkojnë nga menaxheri i një lokali 50 mijë lekë të reja ryshfet, pasi e kanë kapur pa kuponë tatimorë gjatë një kontrolli në administruar prej tij. Skandali u denoncua në Fiks Fare nga qytetari, i cili ka rënë pre e kërkesave abuzive të inspektorëve të tatimeve dhe në këto kushte ka regjistruar me zë bisedën me ta.
Sipas bisedës së transmetuar në Fiks Fare rezulton se rasti korruptiv ka ndodhur në zonën e ish-stacionit të trenit në Tiranë gjatë kontrollit në një lokal. Sipas bisedës, rezulton se dy inspektorë kanë hyrë në lokalin e një qytetari dhe pasi kanë konstatuar disa tavolina me klientë pa kuponë tatimorë i kanë kërkuar menaxherit 500 mijë lekë të vjetra ryshfet. Pas kësaj bisede, menaxheri kthehet te inspektorë dhe sipas bisedës së regjistruar u thotë se kishte folur me gruan e pronarit, e cila do të shkonte në shtëpi të merrte 500 mijë lekë dhe për gjysmë ore do ua sillte. Inspektorët i kërkojnë që ai të mos i tregojë njeriu për këtë çështje.
V.L/ Dita