Home KRYESORE Hashim Thaçi në gjurmët e Vuçiq, qytetarët në shesh kundër tij!

Hashim Thaçi në gjurmët e Vuçiq, qytetarët në shesh kundër tij!

Nga Enver Bytyçi

Në ditën që në Sheshin “Skënderbej” të Prishtinës u mblodhën mijëra e dhjetra mijë qytetarë të Kosovës për të protëstuar kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ia mbathi gjurmëve të Aleksandër Vuçiq deri në Ujmar ose Gazivodë (serbisht), në veri të Kosovës. Shkoi aty ku para pak javësh shkeli sin ë shtëpinë e tij homologu e sivëllau i Thaçit e Ramës, presidenti i Serbisë. I shoqëruar nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ROSU, zoti Thaçi deshi të japë dy sinjale për qytetarët dhe organizatorët e protestës: – Të thotë se unë jam trim dhe shkoj edhe në veri të vendit. Dhe të shprehë forcën e mbështtetjes së tij militare!

Ndërsa protesta në qendër të Prishtinës dëshmoi se presidenti i Kosovës vetëm qytetarë nuk ka. Rreth tij ka militarë, prokurorë, gjykatës, oficerë policie, madje dhe gjyqtarë të kushtetueses, por jo edhe qytetarë! Qytetarët janë kundër Hashim Thaçit. E derisa qytetarët janë kundër tij, atëherë ai duhet të llogarisë dy mundësi: Ose të vendosë regjim ushtarak e të bëjë puç kushtetues në Kosovë, ose të japë dorëheqjen.

Në sheshin e Skënderbeut ia numëruan atij të gjitha bëmat, rrenat e mashtrimet. Foli nëna me djalin e masakruar e pa varr, minatori i grevës së urisë të Trepcës së vitit 1989, si dhe lideri I Vetëvendosjes Albin Kurti. Ndërkohë në ndihmë i erdhi presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ky i fundit vuri në alarm ushtrinë e vendit të tij, sepse donte ta proklamonte Hashim Thaçin si “rrezik për Beogradin”! Loja e alibive mashtruese vazhdon në traditën e para disa kohëve, kur presidenti i Kosovës urdhëroi ROSU-në të arrestonte Gjuriqin. E tillë ishte sjellja e sotme e Vuçiq. Ai ka njoftuar për një konferencë shtypi në orët e vona të mbrëmjes së sotme.

E sigurt është se do të përpiqet që me deklarata antiThaçi të tërhqë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga protesta e sotme e qytetarëve të Kosovës kundër idesë së të dy presidentëve për ndarjen e vendit. Dhe në një farë mënyre ata ia kanë arritur kësaj, sepse mediat në Serbi dhe e dashura Mogherimi reaguan për vizitën e presidentit të Kosovës në Ujmar dhe asnjë fjalë nuk thanë për protestën e Albin Kurtit. Por këto lloj skenash të shout politik Thaçi-Vuçiq janë demaskuar në Alpach të Austrisë, kur presidenti i Serbisë i thoshte presidentit të Kosovës “Mos i nxirr të gjitha në publik, mbaji disa gjëra secret”!

Megjithatë protestën po e lexojnë dhe do ta lexojnë kancelaritë e huaja, pa patur nevojën e ndërmjetësimit të Beogradit dhe komisares për politikë të jashtme në Bruksel, siç ndodh me zotin Thaçi. Lideri I Vetrëvendosjes sot dëshmoi se ka ndryshuar plotësisht kursin e tij politik në mbrojtje të Republikës së Kosovës, të shtetit dhe institucioneve të tij e mbi të gjitha të territorit të vendit. Ai u shpreh qartë dhe prerë se është e do të mbetet aleat i sigurt i NATO-s, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë. Ai stigmatizoi hapur politikën e shout mediatik të Edi Ramës dhe dha të kuptojë se i përket forcave progresive properendimore shqiptare. Në të njëjtën linjë u shfaq dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sapo u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës .

Ndaj një aleancë e madhe midis Haradinajt, Kurtit, Limaj dhe LDK-së, ose së paku krahut të Vjosa Osmanit, duket se do t’i kundërvihet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ka shumë gjasa që kësaj aleance t’i bashkohet edhe Kadri Veseli, i cili sot stigmatizoi gjithashtu vizitën e zotit Thaçi në veri të vendit. Në këto kushte kreu i shtetit të Kosovës do të bëhet akoma më qesharak, nëse në ditët e javët në vazhdim do të sponsorizojë artikuj në shtypin e huaj për ndarjen e Kosovës. Por pas gjithë kësaj fushate ai nuk mund të flasë më as për mbrojtjen e territorit të vendit, sepse është krejt i pabesueshëm. Në këto kushte i mbetet vetëm dorëheqja, fillimisht nga detyra e kryenegociatorit me Serbinë e më pas edhe nga detyra e presidentit të Republikës.

Megjithatë ka mundësi që absurdi të vazhdojë. Në të ardhmen mund të shohim spektakle të tjera. Sputniku i Moskës do të sulmojë Edi Ramën, TANJUG-u i Beogradit do të sulmojë Thaçin dhe kësisoj do të shtohen përpjekjet e Serbisë e të Rusisë që të dy këta bashkëpunëtorë të projekteve të përbashkëta të promovohen si “patriotët më të mëdhenj të kombit shqiptar”, ndërkohë që janë ushtarët besnikë të Beogradit, Kremlinit dhe Ankarasë!
Tiranë, 29.09.2018

Share: