Nga Voltana Ademi*
72- vite më parë burrat e shquar të Postribës, Shkodrës e më gjërë iu kundërvunë me armë një të keqeje që sapo kishte nisur të fuste në thonjtë e saj vendin tonë. Ata burra, më shumë dhe më shpejt se kushdo kishin arritur të kuptonin të keqen që do të pushtonte Shqipërinë për mëse 45 vjet.
Për po kaq vite, kemi dëgjuar se 1944-a ishte çlirimi nga nazi-fashistët por në fakt ishte fillimi i një pushtimi të egër që traumatizoi një komb të tërë. Prandaj jam mëse e bindur se diktatura komuniste ishte një pushtim për Shqipërinë e shqiptarët.
Murtaja që na erdhi nga stepat e Bashkimit Sovjetik, nuk kursente askend. Nuk kurseu këta patriote që 72 vjet më parë i dolën përballë, nuk kurseu familjet e tyre që përjetuan një kalvar vuajtjesh të pashoqe dhe nuk kurseu as fëmijët e tyre, edhe ata të e palindur akoma.
Nga viti 1990 dhe deri më sot, jemi përpjekur të nxjerrim në dritën e diellit të vertetat e historisë, mes tyre edhe Kryengitjen Antikomuniste të Postribës. Falë kujtimeve të dëshmitarëve okularë, familjarëve të heronjve të kësaj kryengritje, kemi mundur të ridimensionojmë historinë.
Diçka madje edhe kemi shkruar, ashtu siç është edhe botimi kushtuar pikërisht kësaj ngjarje, promovimin e të cilës e bëjmë sot. Por a është mjaftueshëm? Jo! Duhet bërë shumë më shumë se kaq. Sepse Kryengritja Antikomuniste e Postribës është ndër unikalet në të gjithë Lindjen Komuniste.
Duke thënë të vertetën për të, vëmë në vend dinjitetin e atyre trimave dhe familjeve të tëra që u martirizuan për gjatë 45 viteve. Njëkohësisht, i bëjmë një shërbim të madh kombit, të sotmes e sidomos të ardhmes së tij.
Postriba sot mban urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”. Si pjesë e territorit të Bashkisë së madhe të Shkodrës, Postriba na bën të ndjehemi krenar. Historia nuk është treguar përherë bujare me këtë krahinë, ashtu siç nuk është treguar as me Shkodrën, as me Malësinë e Madhe dhe më gjërë. Kjo sidomos gjatë 45 viteve të rënda të diktaturës komuniste.
Por historia mbetet përsëri mësuesi më i mirë, sidomos për ne dhe fëmijët tanë. Që kapitujt tragjikë të historisë të mos përsëriten, ato nuk duhen harruar kurrë! E sidomos, historia u duhet rrëfyer e vertetë, atyre që kanë lindur pas 1990-ës, ashtu siç ka ndodhur. sado e hidhur, e rëndë e tragjike të ketë qenë ajo për të parët tanë. Ky është misioni ynë por edhe amaneti i tyre.
*FJALA E MBAJTUR NË CEREMONINË E 72- VJETORIT TË KRYENGRITJES ANTIKOMUNISTE TË POSTRIBËS, 9 SHTATOR 2018