“Nuk doja ta vrisja gjyshen, më doli situata nga kontrolli”. Kështu është shprehur dje, në Gjykatën e Durrësit, 21-vjeçari i arrestuar Redmond Gruda.
Ai akuzohet për vrasjen e gjyshes së tij 81-vjeçare, Floresha Gruda, ngjarje e ndodhur tri ditë më parë. I riu ishte braktisur dje në Gjykatë nga familjarët, të afërmit dhe shokët e tij. Askush nuk u paraqit në seancën ku trupa gjykuese do të vlerësonte masën e sigurisë.
Me atlete sportive dhe duar të lidhura pas shpine, ai pranoi autorësinë e krimit dhe shprehu pendesë, por nuk dha shpjegime rreth motivit që e shtyu drejt këtij akti të rëndë. Në momentin që gjyqtarja Eda Kaja e pyeti se përse e vrau gjyshen, 21- vjeçari heshti dhe uli kokën.
HETIMI
Nga hetimet dyshohet se ai ka qenë i pavetëdijshëm për efekt se ishte përdorues i lëndëve narkotike. Ai ka qëlluar mbi 13 herë me thikë gjyshen, duke e lënë të vdekur në vend. Dinamika e krimit është zhvilluar në dhomën e saj të gjumit, ndërsa organi i akuzës, i përfaqësuar nga Pali Decolli, tha se i riu e ka masakruar me thikë 81-vjeçaren. Sipas prokurorit, e moshuara u gjet e pajetë në dhomën e gjumit, ndërsa kishte plagë në kokë, qafë, krahë dhe duar, të shkaktuara me mjet prerës (thikë).
Ndërsa në tualet u gjeten rrobat, një çantë, si dhe një thikë e këputur, që dyshohet të jetë arma e krimit. Organi i akuzës u shpreh gjatë seancës se ekziston dyshimi për vrasje në kushte të marrëdhënieve familjare, dhe për këtë, autori i dyshuar është Redmond Gruda. Sipas hetimeve, Gruda ka tentuar të fshehë krimin.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 dhe ai ka lajmëruar Policinë rreth dy orë më vonë. Ne dyshojmë se ai ka tentuar të zhdukë kufomën, por nuk ka pasur mundësi. Ai rreth këtyre dy orëve ka bërë gjithçka që të fshinte provat nga skena e krimit. Lau rrobat që i kishte bërë me gjak, copëtoi thikën dhe gënjeu në polici duke thënë se kishte gjetur derën hapur kur kishte mbërritur ne shtëpi, duke lënë të kuptohet se krimin e kishin kryer persona të tjerë. Vetëm pasi përdorëm metodat speciale të hetimit, rreth dhjetë orë më pas, ai pranoi se kishte kryer krimin”, thanë burime për gazetën.
AUTORI
Pavarësisht se vetëm 21- vjeç, Gruda është një personazh i njohur për Policinë në Durrës, pasi është person me precedentë të mëparshëm penalë. Mësohet se Redmond Gruda është dënuar edhe dy herë të tjera për plagosje, herën e parë kur ishte vetëm 11 vjeç. Prokurori tha se Gruda ka pranuar se është autori i vrasjes së gjyshes se tij dhe ka prova të mjaftueshme që e vetëtojnë ketë duke kërkuar “arrest me burg”.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja e çështjes, Eda Kaja, e cilësoi arrestimin e ligjshëm duke i dhënë masën e sigurimit personal “arrest me burg”. Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes, në lagjen Nr. 16 të qytetit të Durrësit, për motive të dobëta.
360grade.al