Home KRYESORE Mentor Kikia i shkruan Arta Markut: Mundësia juaj e fundit të jeni...

Mentor Kikia i shkruan Arta Markut: Mundësia juaj e fundit të jeni prokurore!

Zonja kryeprokurore, kjo është mundësia juaj e fundit të jeni prokurore!

(Në vend të një letre për zonjën Arta Marku)

Tashmë topi është në fushën e prokurorisë. Në fushën tënde zonja Marku!

Përveç çfarë është thënë publikisht, ka edhe një padi penale nga deputeti Taulant Balla, për shpifje, ndaj kreut të PD Lulzim Basha, gazetarit Basir Çollaku dhe oficerit të policisë që bëri dëshminë, Emiljano Nuhu.

Prokuroria ka shansin e fundit për të treguar se është një organ hetimor dhe i pavarur. Ajo duhet të sqarojë me urgjencë, një skandal që është njësoj skandal dhe i madh, edhe nëse është i vërtetë edhe nëse është i trukuar. Eshtë një detyrim ndaj shqiptarëve për t’i sqaruar nëse dy ligjvënës dhe një i zgjedhur vendor, i kanë vënë apo jo pistoletën në kokë një oficeri policie dhe kanë çliruar nga prangat një bandit. Po, ne duam ta dimë sa më shpejt, me urgjencë madje. Nëse kjo është e vërtetë, ata deputetë dhe ai kryetar bashkie duhet të fshihen nga lista e politikës e të shkojnë në burg. Nëse ky është një trukim për arsye politike, atëherë duhet të shkatërrohet “laboratori” ku përgatiten këto trukime, dhe ata që e bëjnë duhet të shkojnë në burg. Ne nuk mund të mbajmë më të tilla dalldi politike, që po shkatërrojnë mendërisht një shoqëri të tërë e po na bëjnë të marrim arratinë të gjithë, natën madje.

Dhe e vëretëta duhet të dalë sa më shpejt!

Kaq për pjesën politike.

Për pjesën tjetër, nuk ka ende asnjë lëvizje(ose të paktën ne nuk e dimë). Por, me po aq urgjencë, shqiptarët duhet të shikojnë tashmë jo të vërtetën, pasi atë e dinë, por duan të shikojnë që një bandit që ka imunitet për shkak të mandatit politik të të atit, të shkojë në burg. Ne tashmë kemi lexuar të gjithë që një vajzë është rrahur, dhunuar, kërcënuar, përdhunuar, djegur me cigare. Kemi parë dokumente që këtë e vërteton edhe ekspertiza mjeko-ligjore e bërë në kohën e ushtrimit të dhunës. Kemi dëgjuar që një vajzë bridhte komisariat më komisariat, pasi nuk i merrnin denoncimin. Kemi lexuar e dëgjuar që një djalë deputeti dhe banda e tij, kishin akses për të shkuar e marrë zvarrë një vajzë të pambrojtur, duke ne detyruar të tërhiqte denoncimin. Prokuroria nuk ka nevojë të dëgjojë dëshminë e babait të këtij horri, që e mbron të birin duke thënë se padia ishte bërë nga xhelozia. Nuk ka nevojë as të rimarrë dëshminë e vajzës, tashmë nën terror psikologjik, as t’i referohet intervistave të shëmtuara televizive të saj. Prokuroria duhet të firmosë urdhër-arreste për fajtorët e kësaj historie, përfshi dhe ata policë e komisarë, që si spurdhjakë i kanë hapur dyert e komisariatit një njeriu të armatosur, të futet e të dalë sa herë t’i dojë qejfi.

Mos u merrni më me vajzën. Ajo e ka bërë dëshminë e saj. Asaj sigurojini mbrojtje se është nën terror, tashmë prej të gjithëve.

Share: