Nga Aurel Plasari
(Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”)
Duke numëruar një më një hilet që është shtrënguar të përdorë pushteti për të kryer aktin vandal të rrënimit të kompleksit kulturor-historik të ndërtesave të ish-fondacionit “SKANDERBEG” (ku sot funksionojnë dy teatrot kombëtarë), hilja e radhës rezulton etiketimi i tyre si ndërtesa “fashiste”. Shpresojnë fort që me këto truke hileqare epitetesh të mund ta përligjin krimin që kanë gatitur. Prandaj më duhet të vazhdoj ta rrjep skilen, simbas mësimit popullor “Kush bân me hile, rripet si skile”.
Afërmendsh që populli i ka fjalën për rrjepje figurative, përndryshe lëkura e skileve me të cilët të duhet të merresh në këtë debat për kujtesën historike nuk vlen as dhe 1 lek. Monumentin në fjalë, për kohën kur u konceptua, u projektua dhe u realizua si një kompleks, nuk kam ngurruar ta përshkruaj edhe vetë të përfunduar së ndërtuari më 1940 “në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste”. Sepse ky është fakt historik dhe në atë kontekst politik nuk ndërtoheshin monumente “komuniste”.
Të konceptuara, të projektuara e të realizuara në të njëjtin kontekst Tirana nuk ka pak vepra, siç ka edhe Shqipëria aty-këtu, disa syresh me vlera unikale, ndërsa Italia ka me shumicë. Të aktualizosh për to apelativin “fashiste”, si përligjje për rrënimin e tyre, vetëm skileve ordinere mund t’u vejë nëpër mend. Të qe argument ai kontekst historik, le të provojnë ta zbatojnë fjala vjen për monumentin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ngritur në Romë pikërisht gjatë Njëzetvjetshit “fashist”, siç emërtohet ajo ndërkohë në histori. Për regjimin “fashist” rezulton historikisht një ndërkohë e praktikave për të emërtuar edhe në Itali rrugë me emra shqiptarë, sidomos lokalitetesh shqiptare.
Ndër ato praktika bëri pjesë edhe nisma për një monument në kryeqytetin e Italisë “fashiste” kushtuar Skënderbeut tonë dhe të Europës. Në atë që quhet sot në Romë “Archivio del Comune Postunitario”, ku ruhen akte dokumentare të komunës së Romës, gjendet edhe vendimi nr. 2452 i guvernatorit të Romës, i datës 7 korrik 1940: me anë të atij vendimi sheshit “Raudusculana” në Romë i ndërrohej emri në “Piazza Albania”. Ashtu vijon të quhet ende sot. Në atë shesh më 1941 u vendos monumenti ekuestër (kaluar në kalë) kushtuar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.
Monumenti u realizua si vepër në bronz nga skulptori Romano Romanelli. Po në Arkivin e përmendur, në fondin “Antichità e belle arti”, tok me shumë ilustrime veprash “fashiste”, si qytete universitare, spitale, kisha, ministri, site arkeologjike etj., ruhen edhe skicat dhe fotografitë e monumentit në fjalë (1941, zarfi 186, fashikulli 14). Nuk mund t’i ikë syrit fakti që ky vendim i prillit 1940 vjen fill mbas dekretligjit të 8 prillit 1940, nr. 114, për krijimin në Shqipëri të Fondacionit “SKANDERBEG”, si ent kombëtar i organizuar në dy seksione autonome: Rrethi italo-shqiptar “SKANDERBEG” dhe “Instituti i Studimeve Shqiptare”. Monumenti i Skënderbeut në Romë u përurua më 28 tetor 1940. Pavarësisht “shiut të rrëmbyer”, të cilin kanë pasur kujdes ta përshkruajnë pa përjashtim kronikat e kohës, në përurimin e monumentit mori pjesë vetë Benito Mussolini i shoqëruar nga hierarkia “fashiste”.
Romano Romanelli (1882-1968 ose 1969) nuk qe një autor sidokudo. Ishte në atë kohë njëri ndër skulptorët më në zë të Njëzetvjetshit “fashist”: ishte bir dhe nip skulptorësh, kishte studiuar në Paris me emërmadhin Rodin, ishte anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë (1930). Ishte edhe autor shumë i shumë veprave monumentale, ndër to edhe i monumentit në altoreliev të Mussolini-t ekuestër te “Kulla e Revolucionit” në Breshia.
Marrja përsipër nga ana e tij e monumentit kushtuar Skënderbeut nuk ngjan të ketë qenë rastësi. Si protagonist i epokës së vet, skulptori ishte edhe ushtarak i dalluar, luftëtar në Luftën e Parë Botërore, i dekoruar për “trimëri ushtarake”. Romanelli jetoi për të marrë pjesë edhe më 1968, në ceremonitë përkujtimore të organizuara nga komuna e Romës te momenti vepër e tij, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Romanelli ishte i njohur për miqësinë e ngushtë me të madhin personalitet ekscentrik të kulturës italiane, njëherësh edhe ushtarak e politikan, Gabriele d’Annunzio (1863-1938), i interesuar posaçërisht ky për kulturën dhe historinë shqiptare. Në pronën e D’Annunzio-s “Il Vittoriale” vizitohet edhe sot studioja e tij, tryeza e punës etj., siç i ka lënë.
Dhe mund të vihet re që mes librave mbi tryezën e punës ndodhet edhe një “Fjaluer i Rii i Shcypes”, ai i shoqërisë “Bashkimi” i vitit 1908. Mban kushtimin e Hasan Prishtinës për D’Annunzio-n. Ka qenë vetë D’Annunzio i interesuar për shqipen apo thjesht dhuratë simbolike nga Hasan Prishtina? Por përse e mbante pikërisht mbi tryezën e punës? Edhe ekzemplari i vetëm i tragjedisë “Francesca da Rimini” të arbëreshit Gavril Dara (të Riut) është ruajtur në fondin “D’Annunzio” të bibliotekës në “Il Vittoriale”. Koliqi ka përmendur edhe një foto të formatit të madh, që D’Annunzio ia ka pas dhuruar Fishtës me këtë kushtim: “Al gran poeta della gloriosa gente d’Albania Pater Fishta fratermanente. Gabriele d’Annunzio”. Etj. Është lidhje që mbetet për t’u hulumtuar mes Shqipërisë, Romanelli-t dhe D’Annunzio-s, por jo në këtë shënim.
Në foto: Përurimi në Romë më 28 tetor 1940 i monumentit të Skënderbeut