Kryeministri Edi Rama në një takim zhvilluar pasditen e sotme me strukturat e PS-së për anëtarësimet e reja dhe lançimin e fushatës “E gjithë vëmendja tek ju” ka marrë në mbrojtje deputeten e PS, Klotilda Ferhati (Bushka) që u akuzua dje nga PD. Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, akuzoi dje deputeten socialiste se bashkëshorti i saj, kishte 10-fishuar pasurinë permes tenderave.
“Klotilda u bë shënjestër e luftës politike, subjekt i luftës për pushtet. Ajo që kjo politikë prodhon është një dozë negativiteti dhe neverie. Nëse hyjmë në meritën e asaj që u tha është e kundërta e asaj që mundohem të predikoj”, tha Rama.
Më tej Rama foli edhe për rolin e medias në jetën e qytetarëve. Rama tha se media në Shqipëri është përfshirë në ‘manipulimin’e publikut. Sipas kryeministrit, media synon audiencën por pa parë sesi e ushqen publikun.
“Një perde e rënë midis nesh, kur nuk është më politika por edhe media përfshihet në mënyrë të rëndomtë në një aktivitet që nuk synon më të vërtetën dhe faktet, bazuar në një punë paraprake, por veç synon publikun.
Siç synohet një gjah, synon audiencën me çdo kusht, pa parë fare se me çfarë e ushqen, përtej të gjithave. Ajo që mund të bëhet është shumë e thjeshtë, dhe e rëndësishme, që ato ‘mrrokllat’ që secili ka në dorë, të përdoren për të mbajtur krah”, u shpreh ai./Opinion.al