Një emigrant shqiptar në Greqi është mes tre emigrantëve të nderuar nga shteti grek për kontributin e dhënë për shpëtimin e jetëve të njerëzve në tragjedinë e ndodhur në Athinë gjatë muajit korrik. Agim Cufe, nga Levani i Fierit, që jeton në Mati, zonën që u thuajse u shkatërrua nga zjarri dhe ku humbën jetën 98 njerëz, do të marrë nënshtetësinë greke, pasi rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar me dhjetëra persona.
Mediat greke bejne me dije se Kryeministri gjatë takimit me ta tha se shteti duhet të njohe veprat e tyre dhe për t’u dhënë atyre shtetësinë greke i ka dhene urdher ministrit te Brendshem.

Agim Cufe
Edhe pse nga zjarri rrezikonte gjithë familja e tij dhe banesa iu dogj krejtësisht, Agimi, me një skaf, shpëtoi dhjetëra jetë njerëzish. Përveç shqiptarit, Ministria e Brendshme greke bën të ditur se i ka dërguar Presidentit një dekret për dhënien e nënshtetësisë Honoros Causa dhe për dy emigrantë egjiptianë, që jetojnë prej vitesh në Greqi.
Gjithashtu, emigrantët heronj janë vlerësuar edhe nga Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, gjatë një takimi që zhvilloi në Mati me familjet e dëmtuara nga zjarri.
“Peshkatarët e Nea Makrit, vendas edhe emigrantë, zhvilluan një betejë heroike gjatë gjithë harkut kohor të tragjedisë, duke shpëtuar jetë. Shteti e vlerëson sakrificën e tyre. I falënderojmë”, shkruan Kryeministri grek në faqen zyrtare në “Twitter”.
Kreu i qeverisë greke, ndër të tjera, tha se shteti nuk do ta harrojë atë që ndodhi dhe do të bëjë çdo gjë për rilindjen e zonës nga shkatërrimi katastrofik. Nga zjarri masiv që përfshiu periferinë e Athinës më 23 korrik, gjetën vdekjen 98 persona, ndërsa me dhjetëra të tjerë mbetën të dëmtuar. Mes viktimave ishin dhe dy shqiptar, ndërsa 13 të tjerë u plagosën./360grade.al