Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
Historicistët e rinj, dhe të mllefosurit e tjerë në aleancë përrreth tyre, janë përpjekur ta ulin në rëndësinë e tij Shekspirin, ta fragmentarizojnë dhe hapërdajnë atë, duke synuar me këtë përpjekje ta zhbëjnë Kanonin (Listën e Shenjtë të autorëve të mëdhenj) të Letërsisë Perëndimore, duke shpërbërë një nga bërthamat e tij. Për t’u habitur, Dante, ose bërthama e dytë e këtij Kanoni, nuk është nën një kasaphanë të tillë, as në SHBA dhe as në Itali. Padyshim se sulmi do të vijë, qëkur se multikulturalistët e gjithëfarësojshëm vështirë se mund të gjejnë një poet më të madh për t’u kundërshtuar sesa Dante, shpirti i fuqishëm dhe i egër i të cilit është politikisht jokorrekt në shkallën më sipërore. Dante është nndër shkrimtarët e mëdhenj perëndimorë, më agresivi dhe polemizuesi, duke eklipsuar madje edhe Miltonin në këtë drejtim. Ashtu si Miltoni, ai ishte një parti politike, si dhe përfaqsonte sektin e një njeriu. Intensiteti i tij heretik ka qenë i maskuar nga komentet shkollareske, të cilat, edhe në rastin më të mire, shpesh e trajtojnë atë si të ishte Shën Agustini vjershëtor. Por më e mira e të mirave është t’ia nisim duke shenjuar guximin e tij të jashtëzakonshëm, të cilit nuk i gjindet shoku në të gjithë traditën e të ashtuquajturës letërsi të krishterë, duke përfshirë këtu edhe Miltonin.
Askund dhe asgjë tjetër në letërsinë perëndimore, në të gjithë cilklin e saj jetëgjatë, me shtrirje që zë fill nga Jehovai dhe Homeri, dhe duke vazhduar më pas përmes në rrjedhën e shekujve me të tjerë autorë për të aritur deri tek Xhojsi dhe Beketi, nuk na paraqet apo përfaqësohet çlirimi përmes letërsisië i një shpërthimi kaq të egër sesa ekzaltimi i Dantes për Beatriçen, e sublimuar prej poetit nga të qenurit imazhi i një dëshire, në cakun më të lartë të statusit ëngjëllor, duke e shndërruar Beatriçen pas ngjitjes në lartësinë sublime të këtij roli, edhe në elementin krucial të shpëtimit në hierarkinë kishtare. Për shkak se Beatriçja fillimisht ka rëndësi vetëm si një instrument i dëshirës së Dantes, apoteoza e saj përfshin gjithashtu pashmangshmërisht, njëkohësisht po aq edhe zgjedhjen e tij. Poema Komedia Hyjnore është një profeci, e cila merr funksionet e një Dhjate të Tretë, pa kurrfarë lidhjeje dhe që nuk i kryen kurrfarë lloj shërbimi në varësi të Dhjatës së re dhe të Vjetër.Dante nuk do ta pranonte se Komedia Hyjnore duhej të ishte një trillim apo sajim letrar, fiksioni i tij suprem. Përkundrazi, dhe më mirë, poema përfaqëson të vërtetën universale, dhe jo atë të përkohshme dhe kalimtare të kësaj bote. Atë që Dante si pelegrin e sheh duke e shprehur në narracionin e Dantes poet, ka si qëllim të na bindë deri në në pafundësi se ai e ka të pamundur të dalë dhe t’i shpëtojë poetikës dhe fetarizmit. Gjestet e përulësisë në poemë, të kryera nga pelegrini apo poeti, lënë përshtypje tek shkollarët e Dantes, por në të vërtetë janë më pak bindëse sesa subversioni i poemës ndaj të gjithë poetëve të tjerë, dhe sesa këmbëngulja në vazhdimësi e vetë poemës për të nxjerrë në ballë të saj, potencialin apokaliptik të Dantes.
Këto vëzhgime, nxitoj të shpjegohem, janë të drejtuara më së shumti kundër studimeve shkollareske rreth Dantes, dhe aspak kundër atij. Nuk shoh ndonjë mënyrë sesi ne mund të lirojmë, duke i shkëputur nga njëri-tjetri, fuqinë marramendëse poetike të Dantes nga ambiciet e tij shpirtërore, të cilat janë pashmangshmërisht të veçanta (idiodinkratike), sepse shprehin shijet e tij personale, dhe që i shpëtuan damkosjes si blasfemike vetëm sepse Dantja e fitoi bastin e tij me ardhmërinë brenda një gjenerate nga vdekja e tij. Nëse Komedia Hyjnore nuk do të ishte rivali I vetëm autentik poetik i Shekspirit, Beatriçja do të ishte një ofendim jo vetëm për Kishën, poende edhe për shkrimtarët apo letrarët katolikë. Për një poet neo-të krishterë si T.S. Eliot, Komedia Hyjnore është së tepërmi e fortë dhe e thekshme për t’u mohuar nga të krishterët duke mos e njohur si të tyren, kështu që poema bëhet për ta një tjetër Shkrim i Shenjtë, Dhjata më e re, në shtojcë të Biblës së krishterë kanonike. Charles Williams-një guru për neo të krishterë të tillë si Eliot, C.S. Lewis, W.H.Auden, Dorothy L.Sayers, J.R.R.Tolkien, dhe të tjerë, shkoi aq larg sa të pohonte duke shpallur si tw vwrtetw se “kredoja Athanasjane ”për ta sjellë Njerëzimin tek e Perëndishmja” nuk gjeti shprehje të plotë, deri përpara se tw shfaqej Dante. Kwshtu pra, kishës i ishte dashur të priste për Danten, dhe për figurën e Beatriçes.
Ajo çfarë Williams ravijëzon, duke mxjerrë shndritshëm në pah në të gjithë studimin e tij intensiv “Figura e Beatriçes” (1943), është skandali më i madh i arritjes së poemës së Dantes-shpikja më spektakolare e Poetit është Beatriçja. Asnjë personazh I vetëm I Shekspirit, madje as Hamleti karizmatik apo Liri I ngjashëm me Zotat, nuk arrin të krahasohet me Beatriçen si një shpikje letrare e një guximi kaq të papërmbajtshëm dhe të harlisur.Vetëm J e shkrimtarit të Yahweh, dhe Ungjilli I Markut për Jezusin janë reprezentacione më surprizuese dhe të ekzaltuara.Betriçja është nënshkrimi për origjinalitetin e Dantes, dhe vendosja e saj triumfuese më së miri brenda makinerisë kristiane të shpëtimit është akti më I
guximshëm I poetit të kryer për shkak të saj, për ta transformuar në poemë fenë e tij të trashëguar në diçka që është më së shumti nga dhe për veten e tij.
Shkollarët e Dantes pashmangshmërisht e hedhin poshtë vërtetësinë e pohimeve të tilla të bëra prej meje, por duke gjykuar kësisoj atyre u mbetet të jetojnë nën hijen e subjektit të studiuar prej tyre, sepse kështu ata priren ta humbasin vetëdijësimin e plotë mbi çuditshmërinë, apo ekstravagancën e Komedisë Hyjnore. Poema mbetet vepra letrare më e panatyrshme apo e pashpjegueshmeme që mund të ndeshet nga lexuesi ambicioz, e cila i mbijeton si përkthimit ashtu edhe mësimdhënies së gjerë. Gjithçka që I mundëson dhe e lejon lexuesin e zakonshëm në leximin e Komedisë vjen prej cilësive të shpirtit të Dantes, që nuk janë asgjë tjetër veçse asaj që njihet përgjithësisht si besimi I stërfalë i një shprese të kotë. Më së fundmi Dante nuk ka asgjë positive për të thënë për pararendësit apo bashkëkohësit e tij poetë, dhe është për t’u vërejtur se e përdor pragmatisht fare pak Biblën , me përjshtim të Psalmeve. Duket se ai ndjeu se mbreti David, paraardhësi i Krishtit, ishte I vetmi pararendës I denjë për të, I vetmi poet tjetër që mund ta shprehte në mënyrë të qëndrueshme të vërtetën.Lexuesi I ardhur për herë të parë te Dantja do të shohë se asnjë autor tjetër laik nuk ka një bindje kaq absolute se vepra e tij është e vërteta, gjithçka nga e vërteta që ka më shumë rëndësi.Miltoni, dhe ndoshta më vonë Tostoi i vijnë afërs zjarrit të papërmbajtur apo bindjes të egër të të qenurit të drejtë, por ata të dy jo vetëm se reflektojnë realitete të debatueshme, por edhe shfaqin një rraskapitje të tendosur që vjen pas kapjes fort pas një vizioni individual.Dantja është kaq I fortë në planin retorik, psikologjik, dhe shpirtëror, sa e lë pas duke e eklipsuar vetbesimin e tyre. Teologjia nuk është sundimtarja, por burimi I tij, një burim ndërmjet shumë të tjerave.Askush nuk e mohen dot se Dantja i përket të mbinatyrshmes në shprehjen e tij artistike si poet, duke qenë një i Krishterë dhe një teolog, ose së paku një shprehës apo interpretues alegorik i teologjisë. Por të gjitha konceptet dhe imazhet që merr nga teologjia kalojnë duke iu nënshtruar transformimeve të jashtëzakonshme poetike të Dantja, I vetmi poet origjinaliteti i të cilit, dhuntitë inventive, dhe pjelloria jonormale e mbinatyrshme, munden të rivalizojnë me ato të Shekspirit. Një lexues që punon me Danten për herë të parë, nëpërmjet përkthimit të një terza rima të arrirë për nga nivelii i përkryerjes artistike sipas Lorence Binyonn, ose në versionin e kthjelllët në prozë të John Sinclair, humbet një pafundësi duke mos e lexuar poemën në italisht, por prapëseprapë i njëmendësuar, i gjithë kozmosi dantesk i poemës aty mbetet. Por është e çuditshmja dhe sublimja e asaj çfarë mbetet që kanë rëndësinë më të madhe, sepse janë edhe këto të dyja cilësi që përfaqësojnë fuqitë unike poetike dhe krejt të pashoqe që mbart dhe vë në shprehje artistike në letërsinë botërore Dante, duke përjashtuar këtu vetëm rastin e Shekspirit. Ashtu si tek Shekspiri ne gjejmë te Dante një forcë njohëse të pakrahasueshme, të kombinuar me dhuntinë për invencion, e cila nuk ka thjesht kufij pragmatikë.
Kur lexon Danten ose Shekspirin është si të kalosh nëpër përvojën e përjetimit të limiteve të vetë artit, dhe atëherë ti e zbulon se këto limite ose janë shtrirë ose janë shpërthyer. Dantja çan përmes limiteve të artit në mënyrë shumë më personale dhe të hapur sesa e bën Shekspiri, dhe nëse ai është më I mbinatyrshëm sesa Shekspiri, transcedenca e natyrës tek Dantja mbetet po aq vetjake sa është I papërsëristshëm dhe sipas shijeve personale natyralizimi i Shekspirit. Aty ku dy poetët e sfidojnë më shumë njëri-tjetrin janë reprezentacionet e dashurisë, -e cila për Danten na kthen aty ku dashuria fillon dhe mbaron për të, te figura e Beatriçes.
Beatriçja e Komedisë zë një vend në hierarkinë e Parajsës, kuptimi i të cilit është i vështirë për t’u rrokur. Ne na mungojnë udhëzimet për ta kuptuar atë, nuk ka asgjë në doktrinë që të bëjë thirje për ekzaltimin e kësaj gruaje të veçantë fiorentinase me të cilën Dante ra në dashurinë e amëshuar.Komenti më ironik për këtë rënie në dashuri është nga Jorge Luis Borges, te “Takimi i një Ëndrre” në Inkuizicione të tjera (1937-1952)
“Të biesh në dashuri është të krijosh një religjion me një Perëndi të gabueshëm ose të rremë. Që Dante u bë profeti I një admirimi idhujtar për Beatriçen mbetet një e vërtetë e pakundërshtueshme, sepse një herë ajo e vuri në lojë për ta tallur dhe se një herë tjetër e refuzoi prerazi, dhe këto janë fakte që na bëhen të ditura nga Vita Nuova. Disa i përmbahen qëndrimit se këto fakte janë simbolike edhe për fakte të tjera.Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të na e forconte edhe më shumë qartësinë për një dashuri supersticioze dhe të palumtur.”
Borges së paku e kthen Beatriçen në origjinën e saj si një “takim iluzor”, dhe në tjetërsinë e saj enigmatike për të gjithë lexuesit e Dantes. Beatricja ekzistoi pafundësisht për Danten, Dantja ekzistoi fare pak, ndoshta aspak për Beatriçen.
”Nderimi ynë i thellë dhe veneracioni bëhen shkak që ne ta harrojmë këtë disharmoni të vajtueshme dhe për të ardhur keq ndërmjet poetit dhe Beatriçes, por që për Danten ishte e paharrueshme”
Pak rëndësi ka nëse Borges e projekton ironinë që përdor për pasionin e tij absurd për Beatriçe Viterbon (shih historinë e tij kabalistike “Alef”). Ajo çfarë ai me dhelpëri dhe në mënyrë tinzare thekson është shpërpjesëtimi skandaloz ndërmjet të gjitha gjërave që Dantja dhe Beatriçja përjetuan sëbashku (thuajse asgjë), dhe vizionit të Dantes për apoteozën e tyre të ndërsjellë në Paradiso.Shpërpjesëtimi është rruga me shkëlqim princëror e Dantes për kah Sublimja. Ashtu si Shekspiri, ai mund të heqë qafe duke e kapërcyer çdo vështirësi, sepse të dy poetët e jashtëzakonshëm depërtojnë në largësi dhe lartësi që janë të paparashikueshme për poetët e tjerë. Ironia përshkonjëse (ose alegoria) e veprës së Dantes është se ai profetizon të ketë limite, edhe pse ai i dhunon ato. Çdo gjë e konsideruar jetike dhe origjinale, pwr Danten është arbitrare dhe personale, por pavarësisht kësaj ajo jepet dhe paraqitet si e vërteta, e përputhur harmonishëm me traditën, besimin dhe racionalitetin. Thuajse pashmangshmërisht, ai lexohet shtrembër dhe keqinterpretohet deri sa përzihet me ligjësitë e bindjes ndaj rregullave të sjelljes, dhe më së fundmi ne ballafaqohemi me një sukses që vetë Dantja nuk do ta kishte mirëpritur.Dantja teologjik I teorive moderne amerikane është një përzierje e Shën Agustinit, Toma Akuinasit, dhe shokëve të tyre. Ky është Dantja doktrinal, i mësuar si shumë i errët dhe i pakapshëm, si dhe po kaq habitshëm besimtar I një devocioni të stërfalë, saqë kuptimi i tij mund të rroket plotësisht vetëm nga profesorët e tij amerikanë.
Pinjollët e Dantes janë ndër shkrimtarët ata që me të vërtetë e kanonizuan atë në listën e të mëdhenjve, dhe ata jo gjithmonë përbëjnë një përzierje të të devotshmëve të sinqertë dhe të hapur; Petrarka, Bokaço, Chaucer, Shelley, Rossetti, Yeats, Joyce, Pound, Eliot, Borges, Stevens, Beckett. Ajo çfarë kanë të përbashkët kjo dyzinë shkrimtarësh është Dantja, ndonëse bëhen dymbëdhjetë Dante të ndryshme në pasjetën e tij poetike, Kjo është krejtësisht e përshtashme për një shkrimtar me forcën e tij, dhe ka pothuajse po aq Dante, sa ka edhe Shekspirë.