Në muajin shkurt emisioni “BOOM” ka denoncuar abuzimin seksual të një 30 vjeçareje, të sëmurë mendore, endacake, në qytetin e Kuçovës. Vetëm pak muaj pas këtij paralajmërimi, e reja me inicialet M.G është në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Sipas saj ky abuzim ka ndodhur në mënyrë të vazhdueshme, nga njerëz të cilët nuk i njeh.
Gazetarja: Kush është babai i fëmijës?
30-vjeçarja: Nuk e di kush është, erdhën 3-4 veta. Njëri më përdhunoi rrugës në qendër të Kuçovës, njëri këtej, tjetri brenda.
Gazetarja: Ka qenë natën apo ditën
30-vjeçarja: Natën
Edhe pse “BOOM” e referoi rastin në shkurt pranë shërbimit social, por edhe komisariatit të policisë Kuçovë, asnjë masë nuk u mor për strehimin, apo mbrojtjen e saj.
7 muaj më pas, policia nuk jep asnjë informacion për veprimet konkrete të kryera nga ana e saj pas marrjes së sinjalizimit për përdhunimin e të sëmurës mendore që në shkurt.
Sipas Drejtorisë së Shërbimit Social Berat “Shërbimet në qendrat e zhvillimit janë shërbime komunitare që synojnë sigurimin dhe përmirësimin e statusit dhe cilësisë së jetesës së individëve me aftësisë të kufizuar , deri në 21-vjeç.”, duke e quajtur këtë një rast përjashtimor.
Në këto kushte gazetaret e BOOM në bashkëpunim me drejtorinë e Shërbimit Social Kuçovë kontaktuan me shoqata të ndryshme, ku njëra praj tyre mori përsipër strehimin e vajzës derisa të lindë, por vetëm pas 24 orësh edhe shoqata është dorëzuar duke e quajtur këtë rast shumë të vështirë për tu menaxhuar.
“BOOM” kërkoi një takim me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të negociuar një zgjidhje për rastin, por ministria kërkoi që gazetarët t`i drejtohen zyrës së shtypit .
Abuzimet me persona të pazotë fizikisht apo mendërisht, kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.
/Ora News/