Home KRYESORE Gjin Gjoni përplas KLD me ministren: S’je korrekte, mungove në mbledhje

Gjin Gjoni përplas KLD me ministren: S’je korrekte, mungove në mbledhje

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, se KLD i ka dhënë një leje prindërore gjyqtarit Gjin Gjoni, në mënyrë të paligjshme. KLD sqaron me anë të zëdhënësit të këtij institucioni, se më datë 11 tetor, është zhvilluar mbledhja për shqyrtimin e kërkesës së Gjonit. KLD thotë se ministrja Gjonaj nuk ka qenë e pranishme në këtë mbledhje, dhe se deklarata e sotme ka qenë e pasaktë. KLD thekson se vendimi për leje është marrë me kuorum të plotë, dhe se vetë gjyqtari Gjonaj nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje.

Reagimi i plotë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë:
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy çështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese KLD ka vendosur: “Të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, shprehim keqardhjen për pasaktësitë në përmbajtjen e saj, pasi së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj. Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj.

Është i pavërtetë gjithashtu dhe deklarimi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka patur kuorumin e nevojshëm për vendimarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar. Gjithashtu sqarojmë se z.Gjin Gjoni, nuk ka marë pjesë në votimin e kësaj pike shtesë të rendit të ditës.

Në funksion të pyetjes suaj, sqaroj se, çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë, jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi përsa kohë ky organ do të jetë funksional./Opinion.al

Share: