Home Qasje Letrare Historia e lapsit nga Paolo Coehlio

Historia e lapsit nga Paolo Coehlio

Historia e lapsit nga Paolo Coehlio

 

Përktheu Klodeta Dibra

 

Vogëlushi vështronte gjyshen ndërsa ajo shkruante një letër. Në një çast e pyeti:

“Po shkruan ndonjë ndodhi që na ka ngjarë neve? Dhe që me gjasë flet për mua!”

Gjyshja ndërpreu së shkruari, vuri buzën në gaz dhe iu drejtua nipit:

“Është e vërtetë, po shkruaj diçka për ty. Megjithatë, lapsi me të cilin po shkruaj është më i rëndësishëm se vetë fjalët. Do të dëshiroja ta përdorje ti kur të rritesh.”

Vogëlushi, kureshtar, vështroi lapsin, pa gjetur asgjë të veçantë në të.

“Po ky është njëlloj si gjithë lapsat e tjerë që kam parë në jetën time!”.

“Gjithçka varet nga mënyra se si i sheh gjërat. Ky laps ka pesë cilësi: nëse do mundesh t’i mbartësh gjatë jetës do të jesh një njeri në paqe me botën.

“Cilësia e parë: mund të bësh gjëra të mëdha, por kurrë mos harro se është një Dorë që udhërrëfen hapat e tu. ‘Zoti’: ja se si e quajmë këtë dorë! Ai duhet përherë të të udhëheqë drejt vullnetit të tij.

“Cilësia e dytë, herë pas here më duhet të ndaloj së shkruari dhe të përdor briskun. Ky është një veprim që i shkakton një farë dhimbje lapsit por, në fund, lapsi do të jetë me majë më të hollë. Ja përse duhet të mësosh të durosh disa dhimbje: do të të bëjnë njeri më të mirë.

“Cilësia e tretë: vija e lapsit na lejon të përdorim gomën për të fshirë atë çka është e gabuar. Të korrigjosh një veprim apo sjellje jo nevojshmërisht është diçka negative: përkundrazi, është e rëndësishme për t’ia dalë të mbash rrugën e ndershme të drejtësisë.

“Cilësia e katërt: ajo që është në të vërtetë më e rëndësishme tek lapsi nuk është druri apo forma e jashtme, por plumbi brenda tij. Pra, bëj gjithmonë kujdes me atë që ndodh brenda teje.

“Dhe ja cilësia e pestë e lapsit: ai lë përherë shenjë. Po në të njëjtën mënyrë, çdo që që do të bësh në jetë do të lërë gjurmë: për rrjedhojë, rreku fort që çdo veprim tëndin ta bësh me ndërgjegje të plotë”.

Share: