Nga Fatos Lubonja
Arrestimet e fundit kanë bërë kaq shumë bujë jo pse janë kapur disa kriminelë, por se në këto arrestime rezultojnë të implikuar njerëz të rëndësishëm të partisë në pushtet, duke përforcuar akuzat se Rama dhe të tijtë janë të lidhur me krimin. Është kjo që i ka zhvendosur këto arrestime nga kronika e zezë në kronikën e politikës. Mirëpo, duke lexuar këtë kronikë, gjejmë shumë interpretime kundërthënëse ku më i spikaturi është ai se duket sikur kemi një paradoks pasi arrestimet po i bën një prokurori që, njëherësh, akuzohet nga kundërshtarët e Ramës si e vënë në shërbim të maxhorancës për të fshehur lidhjet e saj krimin. Prandaj, shumë njerëz, me të drejtë, ngrenë pyetjen: çfarë qëndron prapa këtyre arrestimeve? Pse Kryeministri, që deri dje ka bërë çmos të mbrohet nga akuzat për lidhje me krimin me të gjitha format, deri duke bërtitur nëpër media “shpifje, shpifje, shpifje!” lejon Prokurorinë, që e ka nën kontroll, të kryejë këto arrestime që e demaskojnë? Mos vallë Edi Rama, befas, ka ndërruar strategji pushteti dhe po i braktis të fortët? Mos ndoshta nuk e ka nën kontroll Prokurorinë, sepse në sajë të Reformës në Drejtësi ajo po funksionon? Mos situatën e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët që duan t’i japin fund këtij sistemi kriminal në Shqipëri? Mos i ka dalë Fatmir Xhafaj nga kontrolli? Apo këto arrestime janë bërë nën presionin ndërkombëtar, por, siç ndodhi në rastin e shkarkimit të Saimir Tahirit, shpresat se ka ndryshuar vullneti për keq i Edi Ramës për të bashkëpunuar me krimin apo se ndërkombëtarët kanë vendosur t’i japin fund kësaj situate, do të pësojnë zhgënjimin e radhës.
Personalisht jam më afër versionit të fundit. Argumentet më dalin me deduksion, duke e parë këtë ngjarje në tërë kontekstin e skandaleve të fundit. Sipas meje, Ramës nuk i duhej një skandal tjetër që të përforconte akuzat e ngritura kundër tij dhe të tijve me dy skandalet e ashtuquajtura “Babale 1” dhe “Babale 2”, prandaj ideja se ai paska vendosur të shkëputet nga të fortët në këtë mënyrë nuk më bind. Kjo është një lëvizje e detyruar nga halli, jo nga vullneti i mirë. Po ashtu, Prokuroria, që ka hapur procese për akuzuesit dhe jo për të akuzuarit në dy skandalet e para, duke e mbrojtur kështu Ramën & Co, nuk mund të shkojë kurrsesi kundër kësaj tendence me këtë operacion. E vërteta është se Prokuroria e ka hapur këtë dosje në vitin 2016, në një kohë kur Rama nuk i kishte vënë ende duart plotësisht mbi Prokurorinë. Aty mund të kenë mbetur ende “segmente” të lidhura me opozitën apo prokurorë që ndërgjegjja personale nuk i lejon të shkojnë aq larg në instrumentalizimin e Prokurorisë nga Rama, por sjelljet e Prokurorisë kohët e fundit tregojnë se, si rrallë ndonjëherë, ajo po punon për të shuar zjarrin e akuzave, prandaj ideja se këto arrestime duhen parë si shenjë se Reforma në Drejtësi po funksionon, nuk qëndron. E njëjta gjë mund të thuhet për idenë se kësaj here ndërkombëtarët e kanë seriozisht. Sikur të ishte kështu, ata do të lëshonin akuza politike – sepse mjafton fakti që dy ish-deputetë të Ramës dalin të implikuar me rrjete kriminale (të cilëve mund t’u bashkonin edhe historinë e Saimir Tahirit apo edhe atë të vëllait të Xhafës) për të kuptuar se rrënjët e problemit në Shqipëri nuk janë thjesht te krimi, por te lidhjet e tij me politikën. Sa për idenë e daljes jashtë kontrollit të rilindësve nga ana e socialistit Fatmir Xhafaj, gjykoj se ai mbetet peng i historisë së të vëllait trafikant dhe nuk mund të dalë dot nga strategjitë e ndërtuara bashkë me Ramën për të fshehur lidhjet e rilindësve me krimin, siç bënë edhe me skandalin që përfshiu të vëllain, veçanërisht në këtë moment.
Prandaj, mendoj se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh nga gjermanët, Rama & Co po rreken të bëjnë një rrugë e dy punë, të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe njëherësh t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. Në favor të këtij versioni vjen fakti se brenda muajit tetor kanë ardhur në Shqipëri në takim me ministrin Xhafaj: Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale, Stephan Mayer (3 tetor), Zëvendëspresidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler, bashkë me drejtues të lartë të Policisë Kriminale (8-11 tetor) si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann (17 tetor). Këtyre fakteve nuk mund të mos u bashkëngjitësh edhe dy informacione të tjera: atë se Gjermania bllokoi në gusht ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, (njeriut të akuzuar për 600 e kusur kg kokainë) duke informuar palën shqiptare se ai ishte nën hetim për trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë si dhe atë se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane.
E vërteta është se dosja e arrestimeve të fundit, me të zbuluarat dhe të pazbuluarat e saj, tregon qartazi sesi funksionon sistemi i pushtetit në çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm në Lezhë, Shijak e Durrës. Problemi është se shqiptarët e dinë se si funksionon ky sistem edhe pa këtë dosje, sepse e kanë përditë mbi kurriz; ata e dinë shumë mirë se Shqipëria ka nevojë për shembjen e këtij sistemi pushteti dhe ndërtimin e një tjetri ku politika dhe krimin të jenë në luftë me njëri-tjetrin dhe jo në bashkëpunim. Mirëpo, ndihen të pafuqishëm ndaj tij se ky sistem është shumë i fortë sepse ka me vete institucionet me në krye Kryeministrin, që është aty në sajë të këtij sistemi dhe për t’i shërbyer atij, e që i quan shpifje akuzat për lidhjet e qeveritarëve me krimin, duke dhënë indikacione të qarta edhe për drejtësinë. Përndryshe, Prokuroria do të duhej të kishte punuar me kohë, madje me urgjencë, për të zbuluar se cili është ky “xhuxhi” që përmendet nga trafikantët si njeri që u siguronte atyre vende pune, pasi ky “xhuxhi” paraqet rrezikshmëri për interesat e shoqërisë. Ai do të duhej të ishte identifikuar një sahat e më parë për të eliminuar këtë rrezikshmëri, ndërsa shenjat janë se Prokuroria nuk e ka bërë këtë, çka flet shumë më tepër për këta arrestime sesa propaganda e Ramës dhe Xhafës.
Po e ndërpres leximin tim mbi arrestimet e fundit me këto nota pesimiste, (deri këtu), në pritje të lajmeve të reja, veçanërisht nga Prokuroria.
Fatos Lubonja/Panorama/