Përktheu nga origjinali anglisht Elvis Zaimi
[AnAPA-Andra-burrë-njeri] Cili është kuptimi që i duhet njohur se e shenjon kjo fjalë e parë e poemës “Odisea”1? Çështja e parë që dëshiroj të ngre për shqyrtim është sesa shembullore, sesa përgjithësuese, na paraqitet të jetë figura e subjektit të poemës (mashkull, madhor). Kjo sepse kjo fjalë (Andra), së pari, është e veçuar dhe e papërcaktuar nga ndonjë nyjë apo përemër dëftor, dhe si e tillë domethënia e saj për Grekët ishte e hapur për më shumë se një kuptim të vetëm. Për rrjedhojë vështirësia e diskutimit të çështjes së parë në përkthimin anglisht të -Andra- qëndron e fokusuar në vështirësinë e zgjedhjes ndërmjet tre fjalëve; “burrë”, “burri” (pra,duke e specifikuar), ose si një fjalë e madhe në një mënyrë dhe stil të fryrë të shprehuri- d.m.th si “Njeriu”.
Shqetësimi trazues që vjen nga tendosja tipike në reprezentacionin e heronjve, për shkak të marrëdhënies së paqëndrueshme dhe të paqartë ndërmjet modelit
paradigmatik dhe individit unik, është dukshëm dhe veçanërisht e shenjuar në rastin e figurës së Odiseut. Nga njëra anë, kohëve më të fundit, kritikët kanë theksuar sesi riintegrimi i Odiseut përfaqëson “një rikthim tek njerëzimi në kuptimin më të gjerë të mundëshm që mund të ketë kjo fjalë”-një reprezentacion paradigmatik i riafirmimit të identitetit shoqëror të (një) njeriu(t). Kufijtë dhe vlerat e oikos (vatrës familjare) janë shestuar nëpërmjet kalimeve të përkohshme nëpër gjendje të ndryshueshme, si dhe transgresioneve në udhëtimin e Odiseut; -të cilat lënë pas jo vetëm caqet fundore të qytetërimit të përjetuar nga përvojat e fenikasve, por gjithashtu kapërcejnë edhe skajet e transgresioneve të njohura kulturore, të ardhura nga takimet jonjerëzore me një kulturë të shpërfytyruar në udhëtimin e Heroit të endur detrave drejt Fenikasve, gjersa këmba i preku truallin e vendlindjes, ndërkohë që çan me mundim dhe përleshet me telashe të shumta për të rifituar oikos-in (vatrën familjare), të rënë në rrëmujë, dhe të tollovitur e shamatosur prej mungesës së tij. Ekzistenca shoqërore njerëzore, dhe vendi i njeriut në të, ravijëzohen dhe përkufizohen nëpërmjet këndvështrimeve të ndryshme dhe alternative mbi këtë rend të korruptuar. Kështu që forca shtytëse si karakteristikë vlerësuese e veprimit të heroit të poemës, Odiseut, nuk është e zbulueshme thjesht në ndëshkimin e keqbërjes së bandës së mëtonjësve, por edhe në projektimin dhe promovimin e normave kulturore-një lloj artikulimi i vendit të njeriut. (Dhe veçanërisht që prej analizës klasike të Vidal-Naquet mbi tokën, bujqësinë, ushqimin dhe sakrificën, kemi të skicuara shumë nga aspektet normative dhe trasgresive të këtij modeli, duke filluar nga institucionet themelore të martesës, mikpritjes apo shoqërisë, dhe deri në ato shenja kaq të ndryshme të sistemeve kulturore si pemët, qentë, endjes në avlëmend të pëlhurës, të notuarit…)
Tek andra, atëherë, duhet njohur një reprezentacion normativ dhe paradigmatik i asaj çfarë duhet me qenë vendi i një burri në shoqëri, sakaq shpallja e narrativës që do të vijojë pas hyrjes së poemës, do të eksplorojë kushtet në të cilat vendi i një mashkulli madhor është për t’u përcaktuar.
Nga ana tjetër, Odiseja nuk është një figurë alegorike si ajo e një njeriu apo burri të zakonshëm. Ai është gjithashtu burri (mbreti) cilësitë e veçanta të të cilit atij i lejojnë t’i mbijetojë një takëmi të papërsëritshëm bredhëritjesh, me mendimin unik për ta rikthyer veten në pozicionin e mëparshëm, në përpjekje për t’ia dalë mbanë në përpjekjen për ta nxjerrë veten nga gjendja fatkeqe dhe mjerimi shpirtëror për mbretëreshën e munguar dhe mbretërinë e humbur. Kështu që, në të vërtetë, andra kualifikohet nga epiteti i tij (i parë dhe dukshëm më i qarti) -polutropon- d.m.th “ dredharaku- i shumë kthesave apo shtigjeve”. Që nga lashtësia, ambiguiteti i këtij termi ka qenë i debatuar fort. Ashtu siç është analizuar gjerë edhe gjatë nga Pucci polutropos është i pari nga një seri epitetesh që nisin me polus, dhe të cilat e dallojnë apo e shquajnë Odiseun, duke vënë në dukje “karakteristikën e tij
kryesore, zhdërvjelltësinë, burimet, truket, historitë…”. Në këtë mënyrë, pjesa hyrëse e poemës vijon duke theksuar “endjet dhe shëtitjet e shumta (polla)” të Odiseut, për të parë “qytete dhe vise” me “ gjithfarë popujsh …d.m.th me shumë (pollon) lloj njerëzish”, dhe se “ shumë (poll) vojti zemra e tij në det me dallgë”. Polutropos, apo “dredharaku-i shumë shtigjeve apo kthesave” nënkupton njëkohësisht si “i shumë hileve dhe dinakërive”, ashtu edhe “i shumë udhëtimeve”, dhe kjo dykuptimësi është domethënëse sepse janë dredhitë e mendjes dinake që i mundësojnë atij t’i mbijetojë vërtitjeve dhe “endjeve…poshtë e lart” me të cilat ndeshet dhe përballet gjatë rrugëëtimit të tij. Eksperiencat e shumta të Odiseut dhe cilësia e tij e të qenurit polutropos janë të lidhura nga më shumë sesa nënkupton përsëritësi pol (shumë). Por ka edhe më shumë se kaq në kuptimin e shenjuar nga kjo fjalë, sepse Pucci shton një sens të tretë “ i shumë shtigjeve në të ligjëruar”,sens të cilin ai e nxjerr si të prejardhur nga tropos, në sensin e “mënyrës figurative e të shprehurit”-trope- megjithëse nuk ka evidenca të sigurta për këtë sens të tropos përpara shekullit të pestë. Ajo çfarë mund të thuhet, gjithsesi, është se një nga aspektet që e përvijon dinakërinë e Odiseut është është se ai është një mjeshtër i përdorimit të gjuhës të ndërlikuar dhe dredharake (dhe Hermesi, figura tjetër e quajtur polutropos në korpusin homerik, është hyjnia e asociuar veçanërisht me komunikimin mashtrues dhe problemet gjatë shkëmbimit). Në këtë mënyrë, dhe për më tepër, Odiseu i shndërruar në objektin e një përshkrimi (retorik) të shumëfishtë në rrjedhën epike të poemës nuk përfaqëson vetëm një element integral të reprezentacionit shumëplanësh të heroit, por gjithashtu, dhe më veçanërisht, – nisjen e mishërimit të kleosit-njohjes të famës së pavdekshme poetike të tij, të bujës së adhuruar poetikisht (Këndomë o Muzë) për arritjet e heroit, të cilat do të kalojnë gojë më gojë dhe “do të fliten nga të shumtë…”. Ka arsye atëherë për të njohur tek andra, veçanërisht teksa ajo e fillon fjalorthin e saj shpjegues me fjalën specifike dhe polivalente polutropos, shenjën e një figure të veçantë “burrin (e veçantë, të paimitueshëm, dhe të famshëm)”.
Ndërsa Odiseu lufton të rivendosë normat e oikos, dhe provohet të jetë i vetmi burrë i aftë për ta fituar betejën, ky status paradigmatik ambivalent frymëzon dhe kallëzon arsyet e narrativës të poemës për nostos-kthimin e Odiseut në Itakë. Dhe andra është programatike për këtë.