Home KRYESORE Netanyahu vizitë zyrtare në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Të njohë Kosovën

Netanyahu vizitë zyrtare në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Të njohë Kosovën

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, pasi ka shprehur kënaqësinë për vizitën në Tiranë të Kryeministrit të Izraelit Netanyahu, ku sipas tyre kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, kërkon nga kryeministri i Izraelit njohjen e Republikës së Kosovës.

“Populli shqiptar i ka dëshmuar në kohëra shumë të vështira ndjenjat e tij miqësore ndaj popullit hebre, duke e renditur veten ndër shembujt e rrallë të atyre që morën në sy rrezikun nazist për të mbrojtur hebrenjtë e përndjekur. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Izraelit dhe ka mbrojtur vazhdimisht ekzistencën e tij si shtet i pavarur.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh në këtë rast shpresën se kjo vizitë do të ketë si rezultat të rëndësishëm edhe zhbllokimin e njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga ana e shtetit të Izraelit”,– thuhet në deklaratën e Këshillit të ambasadorëve shqiptarë.

Sipas Këshillit të Ambasadorëve, njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit, do t’i shërbejë fuqishëm forcimit të ndjenjave miqësore të të gjithë shqiptarëve ndaj popullit hebre.
“Pavarësia e Kosovës është pjesë e natyrshme e procesit historik të shpërbërjes së ish – Jugosllavisë dhe është kryer jo vetëm në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës, por edhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare siç është provuar edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit do t’i shërbejë fuqishëm forcimit të ndjenjave miqësore të të gjithë shqiptarëve ndaj popullit hebre”, – thuhet më tej në deklaratë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon drejtuesit e lartë të shtetit e të qeverisë tone, që çështjen e njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës ta shtrojnë përpara Kryeministrit të Izraelit me vendosmëri dhe argumente, gjithnjë në frymën e mirëkuptimit, si një çështje e mbetur pezull.

“Njohja zyrtare e Kosovës do të vlerësohej jo vetëm si një hap miqësor nga ana e shtetit të Izraelit ndaj shqiptarëve në mbarë botën, por edhe si një vendim që i shërben paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne presim që Izraeli të ndjekë shembullin e aleatëve të vet të mëdhenj, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB, të cilët e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe zhvillojnë tashmë me të marrëdhënie të ngushta politike, diplomatike, ekonomike e kulturore”– theksojnë ambasadorët.

Share: