Home KRYESORE Një stiliste shqiptare në ‘Milano Fashion Week’, Rezarta Skifteri zbulon emocionet e...

Një stiliste shqiptare në ‘Milano Fashion Week’, Rezarta Skifteri zbulon emocionet e eksperiencës së veçantë

Nga Lorena Resulaj, Revista Who.com

Javët e modës në Paris, Milano apo New York janë një nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm në fushën e stilit, por edhe në atë të arteve të bukura. Për disa ditë me radhë shtëpitë më të njohura të modës nga mbarë bota, paraqesin krijimet e tyre të kuruara në çdo detaj. Shpesh stilistët që përfshihen në të tilla organizime të modës, e cilësojnë si diçka mjaft të rëndësishme për karrierën e tyre, madje si një triumf. Këtë vit edhe një stiliste shumë e njohur shqiptare, Rezarta Skifteri, arriti të provonte magjinë e ‘Milano Fashion Week’. Në këtë mënyrë Skifteri u bë stilistja e parë shqiptare, që të gjithë punën e saj të hedhur nga letra në veshje, arriti ta shfaqte në javën e modës në Milano, krahas dizenjatorëve më të famshëm italianë. Në një rrëfim ekskluziv për ‘revistawho.com’, Rezarta zbulon të gjitha detajet dhe emocionet që përjetoi kur 12 veshjet e saj parakaluan në pasarelën e ‘Milano Fashion Week’. Jo vetëm kaq, stilistja ka treguar edhe planet e saj për të ardhmen për t’u përfshirë sërish në të tilla evente dhe pse jo për t’u bërë e njohur edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Si u bëtë pjesë e ‘Milano Fashion Week’?

Vitin e kaluar mora çmimin si stiliste e kategorisë së re në Itali, po i njëjti person, organizatori që merrej me këtë event, duke parë punimet e mia dhe duke parë suksesin që pati sfilata vjet, më bëri kërkesën dhe më propozoi që unë të merrja pjesë në ‘Milano Fashion Week’.

Kanë kaluar vetëm pak javë, si e kujtoni momentin kur stilimet tuaja u shfaqën përpara gjithë atyre syve kureshtarë në ‘Milano Fashion Week’?

Sigurisht që për mua ishte diçka shumë e rëndësishme dhe diçka totalisht e paarritshme. Nëse shqiptarët kanë shkuar në ‘Milano Fashion Week’ kanë shkuar vetëm për të parë sfilatën, por kurrsesi deri më sot një stilist apo një stiliste shqiptare nuk ka arritur të sfilojë me veshjet në ‘Milano Fashion Week’. Ishte një emocion i fortë shfaqja e 12 veshjeve në sfilatë përpara 400 të ftuarve. Isha e vetmja shqiptare ndër shumë stilistë të tjerë italian, ndër ta edhe emra shumë të njohur. Për këtë arsye nuk e prisja që italianët të më përgëzonin dhe nuk e di se sa më kanë takuar dhe më kanë pyetur ku e kam ‘showroom’-in në Milano. Sigurisht që pata shumë emocion, sepse shikoja reagimet e sallës, ndërkohë që sfilonin veshjet e mia, njerëz me aparate celularë që bënin foto, video. Reagimet e njerëzve dhe duartrokitjet e tyre më ngrohën dhe më dhanë shumë emocion. Bëra pak a shumë dhe një lloj dallimi mes stilistëve atje dhe punës time, kështu që ishte një sukses.

Sa kohë u mori dizenjimi i veshjeve? Çfarë përmbante koleksioni juaj?

Kam punuar rreth 1 muaj e gjysmë por në mënyrë intensive për 12 veshjet, sepse të gjitha veshjet janë të punuara me punim dore. Pra, janë të krijuara, dizenjuara dhe më pas të punuara totalisht me punime dore. Ishte një punë kolosale nuk janë thjesht, të prera dhe të qepura, por çdo gjë është e ndërtuar nga A-ja. Për këtë arsye unë dhashë këtë lloj sfilate, dhashë këtë lloj imazhi të një femre elegante, të rafinuar, feminile, sensuale, të brishtë. Unë e kam përzemër që femra të jetë shumë femërore, pra në momentin që e shikon të transmetojë feminilitet. Duke qenë se një pjesë e madhe e këtyre veshjeve janë transparente, ndonjëherë veshja kthehet dhe në vulgaritet, por këto veshje absolutisht nuk kishin asnjë prekje dhe asnjë gramë vulgariteti, sepse ishin shumë të rafinuara në mënyrën si ishin punuar, me shumë delikatesë, me perla shumë të vogla, me dantellë shumë elegante, ngjyrat ishin neutrale. Ngjyrat ishin gri e sfumuar, roza antike në pudër dhe e zeza dhe materialet kanë qenë të shumëllojshme, duke filluar nga puplat shumë elegante, gurët ‘swarovski’, lulet, gurët e gjatë në formë varsesh, perla, gurë xhami. Kështu veshjet ishin vërtet shumë të kuruara deri në detajin më të vogël.

Në veshjet tuaja kishte ndonjë element shqiptar që simbolizon kulturën tonë si një formë për të përcjellë këtë kulturë tek të huajt?

Veshjet e mia nuk kishin elementë tradicional shqiptarë, sepse bëhej fjalë për ‘Milano Fashion Week’. Unë shkoja atje për të treguar talentin tim dhe çfarë unë prezantoja nëpërmjet punës sime, pra kush është Rezarta Skifteri. Nëpërmjet kësaj pune do tregoja deri ku arrin talenti im. Nuk flitej për kultura të ndryshme, aty ishin të gjithë dizenjatorë italian dhe i vetmi person që ishte i huaj, i ardhur nga Shqipëria, isha vetëm unë.

I gjithë organizimi i ‘Milano Fashion Week’ a ishte ashtu siç ju e kishit menduar?

Steven Torrisi kishte organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte, kishte një super staf që ndihmonte për të veshur modelet. Nuk kishte nevojë të merrja njeri nga Shqipëria, por unë për siguri mora dhe një miken time. Ishin rreth 14 kurues imazhi, parukierë, për të rregulluar vajzat modele, të cilat kishin ardhur nga Roma, Napoli, Firence. Modelet ishin të gjitha të gjata nga 1.80 ose 1.85, minimumi ishte 1.78. Nuk më linin as mua të hyja nëse nuk kisha kartë, sepse kishte shumë ‘bodyguard’, kishte shumë kamera, fotografë që kapnin momente të ndryshme të sfilatës.

A mund të na rrëfeni ndonjë ngjarje të veçantë që do e mbani mend gjithmonë?

Deri në qendër të Piazza del Duomo arrita me taksi dhe më pas më bllokon policia dhe thotë: “Duhet të zbresësh nga taksia”. Ndërkohë unë isha e veshur me fustan të gjatë me bisht dhe u thashë: “Nuk mundem të lëvizë kështu, është e pamundur jam e veshur me fustan të gjatë si mund të ecë nëpër Piazza del Duomo kështu”. Polici më pa çuditshëm, sepse për mua ishte hera e parë që unë bëja një sfilatë në Milano dhe nuk e kisha idenë se çfarë ndodhte atje. Ndërkohë polici më thotë: “Po çfarë problemi ka, kështu lëvizin të gjithë tani brenda për brenda deri në orën 23:30 nuk lëviz më asnjë lloj makine janë të gjithë të bllokuar. Ka vetëm polici, duke qenë se ka sfilata në të gjithë Piazza del Duomo, jemi të detyruar të ketë siguri për sfilatat”. Në fakt polici kishte patur të drejtë, sepse pasi zbrita nga taksia pashë njerëz të veshur me tyl transparentë, me rrjeta, meshkujt me smoking, femra të veshura me ngjyra, me taka shumë të larta dhe me veshje me shumë stil. Në javën e modës ndodh çdo vit kjo gjë.

Mendoni të merrni sërish pjesë në të tilla evente ndërkombëtare?

Shpresoj shumë që të marrë pjesë sërish në evente të tilla dhe normal që do vazhdoj të punojë dhe shpresoj të arrij akoma dhe më shumë. Në momentin që ka mbaruar sfilata shumë njerëz më kanë takuar, shumë më kërkonin dhe më thonin: “ku e ke dyqanin” dhe në rrjete sociale më kanë shkruar: “jemi të interesuar të shikojmë dyqanin tënd mund të na thuash ku ndodhet në Milano”, ndërkohë që unë realisht nuk e kam këtë dyqan në Milano. Të njëjtën gjë më tha dhe organizatori Torrisi: “Më kanë pyetur shumë njerëz, biznese dhe stilistë që janë të interesuar për ty, për të parë veshjet e tua në ‘showroom’-in tënd këtu në Itali, por ti nuk e ke dhe ky është problemi”. Kështu që shpresoj shumë që të bëj një përpjekje apo lëvizje që të kem mundësi të ecë më përpara.

Krijuat ndonjë kontakt me stilistë të njohur?

Në fakt i krijova kontaktet, por këto kontakte nuk shkojnë më tej nëse unë nuk kam mundësi të hap diçka andej. Kur shkova në prova gjenerale dhe në momentin që kam vendosur fustanet në varësen e rrobave, ajo që vura re ishte se stilstët u kthyen për të parë fustanet dhe dy nga këta që janë dhe shumë të njohur, erdhën dhe më thanë: “mundemi t’i prekim pak këto fustane, sepse janë shumë të bukur të gjitha punime dore”. Më pas më thanë: “Absolutisht shumë të bukura! Bravo! Shqipëria paska talente të tilla?”. Normal që kjo ishte kënaqësi dhe arritje jashtëzakonisht shumë e madhe për mua. /revistawho.com

Share: