Kanë dalë në dritë sot të tjera dokumenta që shtojnë hijet e dyshimit mbi Fredi Alizotin, personin që fillimisht tha se kishte aktruar zërin e Agron Xhafajt, por më daljen e një videoje të dytë u zbulua se ai kishte “kaluar në krahun tjetër” pasi oferta kishte qenë më e mirë. Deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj që publikoi këto dokumenta u shpreh se Fredi Alizoti është blerë dhe shantazhuar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas akuzave për përfshirje të vëllait të tij Agron Xhafaj në pazare droge.
Sipas përgjimeve telefonike, rezulton se:
Në datën 1 qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij Fredi Alizoti është vetëofruar në prokurori në orën 8 të darkës, ai është regjistruar duke pohuar se “ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi” që i ka thënë “hap gojën sa do”.
Menjëherë më pas, ai telefonohet nga Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, me numër telefoni 0694110316, dhe lë takim tek QTU në Fier.
Në orën 17.13 minuta, Fredi Alizoti i drejtohet Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, me fjalët: “Do ta zgjidhësh ti këtë punë, apo ta zgjidhi Shefi lart”?
Vetëm 7 minuta më vonë, aktori i Edi Ramës, nga zona e QTU Fier, vendi ku është lënë takimi me vartësin e Fatmir Xhafës, telefonon dikë dhe i drejtohet me fjalët “Mora një pako të mirë”.
Më 7 Qershor 2018, aktori i vetëshpallur nga Edi Rama, telefonohet përsëri, personalisht nga Drejtori i Policisë Qarku Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet, dhe Alizoti i përgjigjet “lart ku më latë”.
Alizoti i kërkon Drejtorit të Policisë Fier që të takojë “Shefin e madh” me patjetër atë ditë, duke e garantuar se “nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa”.
PD pyeti Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda “çfarë “pako” ka marrë Fredi Alizoti? Kush ia ka dhënë atë? Kush është Taulanti nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”? Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë? Pse e ka telefonuar përsëri në datën 7 Qershor 2018 Drejtori i Policisë së Qarkut Fier shtetasin Fredi Alizoti? Cili është “shefi i madh” i Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier që kërkon të takojë Fredi Alizoti? /LAPSi.al