Një ceremoni e veçantë do të mbahet ditën e premte në datën 2 Nëntor, ora 14.00 në nderim të viktimave në Ish-Kampin e Përqendrimit në Tepelenës.Qendra MEMO dhe Fondacioni Kujto organizojnë “Përshpirtje ndër varret e mohuara”, në nderim të kujtimit të 300 fëmijëve që humbën jetën në këtë kamp.
Kjo ceremoni që realizohet për herë të parë do të mbahet nga përfaqësuesit e të 4 besimeve fetare në Shqipëri. Kësaj nisme i janë bashkuar njerëz të njohur të jetës publike të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. .
Ngritja e Ish-kampit të Përqendrimit në Tepelënë ishte një nga aktet me brutale të diktaturës që shkaktoi tragjedi për mijëra familje shqiptarësh. Rreth 300 fëmijë humbën jetën në këtë kamp nga kushtet e vështira dhe trajtimi çnjerëzor duke iu mohuar edhe mundësinë për të pasur një varr. MEMO dhe Kujto kërkojnë respektimin e traditës në nderim të tyre ndaj dhe i bëjnë thirrje kujtdo të marrë pjesë duke u lutur që me vete të merrni të gjithë një qiri.
Organizatorët kanë menduar edhe për çdo të interesuar që dëshiron t’i bashkëngjitet këtij aktiviteti. Në orën 9.30 të mëngjesit tek Sheshi “Avni Rustemi” kryhet nisja e organizuar për në Tepelenë.