Prokuroria e Përgjithshme reagoi të mërkurën pas emisionit ‘Opinion’ se nuk ekziston asnjë fletë-arresti për kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Më herët, ishte zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili u shpreh në studion e emisionit se nuk ekziston asnjë mandat arresti ndaj Dakos, duke përgenjështruar PD-në, pasi kjo e fundit tha se ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi i tij është bllokuar.
Hodaj tha në studion e emisionit “Opinion”, se policia nuk mund të refuzojë një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria dhe për rrjedhojë t’mos arrestojë kryebashkiakun e Durrësit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, të mërkurën pasdite në një deklaratë për mediat nga selia blu, u shpreh se Prokuroria duhet t’u thotë shqiptarëve pse dhe kush po ndalon arrestimin e “xhuxhit” në bazë të përgjimeve të dosjes 339.
Ai tha se Vangjush Dako është peshku i madh i ‘dosjës 339’ dhe këtë të vërtetë askush nuk mund ta zhbëjë.
“Askush nuk mund ta zhbëjë të vërtetën se kriminelët e Durrësit e të Shijakut kanë blerë vota për pushtetin e Vangjush Dakos dhe Edi Ramës dhe, si shpërblim, kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera miliona eurosh”, – tha Noka.