Home KRYESORE Protesta/ Policia procedon penalisht Boçin dhe disa banorë të Mengëlit

Protesta/ Policia procedon penalisht Boçin dhe disa banorë të Mengëlit

Deputetit i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe disa banorë të fshatit Mengël të Elbasanit janë proceduar penalisht nga policia lokale për disa vepra.

Policia sqaron se janë referuar në prokurorinë e Elbasanit materiale në ngarkim të tyre për veprat penale “Shtyrja e të miturve në krim”, (neni 129) “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullimin e manifestim të paligjshëm”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në deklaratë thuhet se nuk është ushtruar dhunë ndaj fëmijëve nga ana e policisë, duke shprehur keqardhje për akuzat e ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike.

“Policia e Shtetit ri-thekson edhe njëherë se nuk ka ushtruar asnjë lloj dhune, ndaj asnjë fëmije. Është pyetur në prani të të afërmve dhe psikologes, i mituri që u shfaq në disa media si i keqtrajtuar. Është kryer një akt ekspertimi për fëmijën, si dhe janë marrë në shqyrtim pamjet filmike në dispozicion. Nga të gjitha veprimet proceduriale të kryera, nuk rezulton që fëmija të jetë keqtrajtuar nga Policia apo të ketë ndonjë dëmtim”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, po sot deputeti Boçi paralajmëroi një kallëzim penal për tejkalim kompetencash dhe dhunim të fëmijëve në protestë.

Boçi: Për keqtrajtimin e grave dhe fëmijëve, gjëra që ndodhën realisht. Ne posedojmë edhe materiale video./Opinion.al

Share: