Home Gjeo-Ekonomia Sa automjete ka në Shqipëri, qyteti me numrin më të madh të...

Sa automjete ka në Shqipëri, qyteti me numrin më të madh të makinave për banorë

Ashtu si edhe në tregues të tjerë të zhvillimit ekonomik, qendra e vendit ka diferencë të madhe me rajonet e tjera edhe për numrin e lartë të automjeteve për banorë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë numrin më të lartë të automjeteve për banorë, ndërsa në krahun tjetër, Elbasani, Korça, Kukësi dhe Dibra kanë numrin më të ulët të automjeteve në raport me popullsinë.

Në vitin 2017, Tirana numëroi 233 automjete për 1000 banorë, ose sa dyfishi i makinave për 100 banorë në Qarkun e Dibrës.

Më pas shihet se Durrësi ka numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, me rreth 213 automjete për 1000 banorë.

Gjithashtu Vlora renditet ndër qarqet me numër të lartë makinash në raport me popullsisë, me rreth 203 të tilla për 1 mijë banorë.

Numër të lartë automjetesh mbi 190 të tilla për 1000 banorë kanë edhe qarqet e Lezhës, Gjirokastrës dhe Shkodrës.

Dibra rezulton të ketë numrin më të ulët me vetëm 101 automjete për 1000 banorë, e ndjekur nga Korça me 119 dhe nga Elbasani me 121 automjete për 1000 banorë.

Shihet se qarqet që kanë numrin më të lartë të të papunëve si Lezha dhe Vlora kanë numër të lartë automjetesh për frymë në raport me qarqet e tjera.

Shqipëria vijon të jetë vendi europian me numrin më të ulët të automjeteve për 1000 banorë, tregues ky që tregon se niveli i jetesës në vendin tonë vijon të ketë një diferencë të madhe nga kontinenti ku jemi të pozicionuar gjeografikisht.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016, BE kishte mesatarisht 505 autovetura për 100 banorë, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT, Shqipëria kishte 420 mijë autovetura më 2016 ose 146 automjete për 1000 banorë me një rritje te lehte nga viti 2015, shkruan ‘monitor’.

Gjithashtu sipas të dhënave të Nation Master Shqipëria, vijon të ketë numrin më të ulët të automjeteve për 1000 banorë edhe në krahasim me rajonin, ku shihet se me 2016 në Malin e Zi u regjistruan 309 makina, në Serbi 288 autovetura për 1000 banorë dhe në Bosnjë 2014 automjete për 1000 banorë, teksa të dhënat për Kosovën mungojnë.


360grade.al

Share: