Presidenti amerikan Donald Trump tronditi efektivisht nga themelet, të hënën, një prej marrëdhënieve më të mëdha tregtare të botës, teksa shpalli planet për të vijuar me vendosjen e tarifave ndaj importeve kineze me vlerë 200 miliardë dollarëshe në Shtetet e Bashkuara.
E duke ditur ekzistencën e tarifave ndaj produkteve kineze me vlerë 50 miliardë dollarë, kjo do të thotë se thuajse gjysma e gjithçkaje që amerikanët blejnë nga Kina – burimi më i madh i importeve për ta, – është tashmë subjekt i detyrimeve ndëshkuese tatimore të importit.
Pothuajse i gjithë sektori i industrisë pritet të ndiejë efektet, përfshi këtu agrikulturën, prodhimtarinë, tekstilet dhe shitjet me pakicë. Ndërkohë, Kina – e cila nga ana e saj është tregu i tretë më i madh i eksporteve amerikane, – është zotuar të hidhet në kundërsulm me planet për të vendosur tarifa ndaj produkteve amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë, që nënkupton se rreth 80 për qind e eksporteve amerikane drejt Kinës do të jenë subjekt i “hakmarrjes”.
Administrata “Trump” ka njoftuar se qëndrimi i saj i ashpër bëhet si presion ndaj Pekinit që të ndryshojë politikat e tij, të cilat lejojnë vjedhjen e teknologjive amerikane dhe nënvlerëson prodhuesit amerikanë.
Trump nisi gjithçka në muajt korrik e gusht, me një raund modest tarifash që shënjestronte pjesët për avionë, pajisje kompjuterike, makineri dhe pajisje, pajisje optike dhe kirurgjikale, sikurse edhe produkte të tjera, për të cilat Uashingtoni pretendonte se kishin përfituar nga praktika të padrejta tregtare.
Por, shpallja e së hënës i lëviz gjërat me një magnitudë më të madhe. Sipas një liste paraprake të publikuar në korrik, administrata e SHBA-ve po shënjestron tashmë 8.4 mld dollarë produkte plastike, 64.8 mld dollarë makineri elektrike, 55.1 mld dollarë në pajisje dhe 25.8 mld dollarë në mobilje, sikurse edhe një gamë e gjerë produktesh ushqimore të detit dhe mishit.
Importet kineze nga Shtetet e Bashkuara u rritën me afro 500 për qind gjatë 5 viteve të fundit, aq sa në vitin 2017, blerësit kinezë llogariteshin 1 në çdo 5 dollarë në të ardhurat amerikane nga eksporti.
Që prej verës, Pekini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po nisnin “luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike”. Në shenjë hakmarrjeje, Kina shpalli në korrik vendosjen e tarifave ndaj produkteve të agrikulturës dhe automjetet amerikane. Në listën e “zezë” të Pekinit janë edhe eksporti i makinave hibride elektrike, etj.
v.l/Dita