Fiks fare denoncoi një skandal në zyrën e Hipotekës në Bilisht, ku një përgjegjëse i merr një qytetari 200 mijë lekë në zyrën e shtetit për t’i bërë aktet e ekspertimit për tokat që do regjistronte. Zyrtarja u filmua nga qytetari dhe gazetarët e Fiksit teksa i jep zgjidhje sorollatjes 3 vjeçare të një qytetari, vetëm pasi ai e pagoi. Punonjësja i mori përsipër që të përgatiste privatisht edhe plan rilevimet e pronës, për tokat që qytetari donte të regjistronte.
Në qershor 2018, një qytetar që kishte shtëpi banimi në fshatin Sinicë të Devollit, u ankua se përgjegjësja e Hipotekës së Bilishtit, Valbona Beshi, i ka kërkuar 300 mijë lekë për t’i bërë aktet e ekspertimit. Këto akte i përgatiste bashkëshorti i saj, Gazmend Beshi.
Disa muaj më pas, në Fiks Fare u ankua një tjetër banor i Bilishtit, i cili tha se prej tre vitesh sorollatet nga hipoteka. Gëzim Agastra thotë se ka shkuar disa herë në Hipotekën e Bilishtit, dhe pasi ka kaluar dy drejtorë, prona i del mangut 3 mijë e 100 e 40 metra.
Pas ankesës, qytetari, bashkë me gazetarët shkuan në zyrën e Hipotekës dhe takuan zonjën Valbona, ku i thotë se ka mangut tokën. Ajo i thotë se duhen bërë skicat dhe do t’i rregullojë ajo të gjitha. I kërkon që të shkojë pas 2-3 ditësh.
Qytetari shkon pas disa ditësh dhe përgjegjësja i thotë se këto skica mund të bëhen me inxhinierë dhe i thotë se duhet të bëjë disa akte. Ajo i thotë se këto skica bëjnë 200 mijë lekë. Qytetari i thotë te kush do t’i bëjë, ndërsa ajo i përgjigjet “te Gazi (bashkëshorti)”. Madje, i thotë se do i thotë ajo vetë, ndërsa bën edhe pazarin, ku 1 skicë bën 40 mijë lekë të vjetra.
Fiksi shoqëron sërish qytetarin në zyrën e Hipotekës së Bilishtit, teksa në takimin e tretë qytetari i kërkon nëse i ka bërë apo jo këto skica. Ajo i përgjigjet se të gjitha skicat bëjnë 600 mijë lekë të vjetra. “S’ka pse vjen atje (bashkëshorti) tani i kam gati. Do t’i rregullojmë këto, pastaj kur të vish me datën 28 do t’i kesh gati” i thotë Valbona qytetarit.
Në takimin e katërt, të dy lënë takim për të nesërmen. Të nesërmen, qytetari shkoi në Hipotekë dhe ajo i la takim pas 45 minutash. Më pas, i jep dokumentet dhe orienton qytetarin që të bëjë një deklaratë personale te noteri. Qytetari e pyet përgjegjësen për koston e skicave të inxhinierit. “Katër që venë 200 (mijë)”, i thotë ajo./Fiks Fare