Home Gjeo-Ekonomia Vendimi i Qeverisë, kriteret e reja për regjistrimin e makinave

Vendimi i Qeverisë, kriteret e reja për regjistrimin e makinave

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili nuk do të lejojë që të importohen më makina me vjetërsi mbi dhjetë vjet. shkruan Ervin Koçi për gazetën Panorama.

Vendimi u miratua gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë, ku janë përcaktuar edhe kriteret për regjistrimin e automjeteve. Sipas vendimit, autoveturat e reja me zero kilometra dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5 të Bashkimit Europian, regjistrohen automatikisht në Shqipëri.

Gjithashtu, edhe mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë me zero kilometra dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5 të Bashkimit Europian, regjistrohen automatikisht.

Kushtëzimet

Për makinat e përdorura janë vendosur edhe kushtet e reja. Vendimi i qeverisë bazohet në nivelin e ndotjes që shkaktojnë këto automjete. Konkretisht për autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me zero kilometra dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4, duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Kësisoj, me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave nuk do të pranohen makina me vjetërsi më shumë sesa 10 vjet. Ndërsa për mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, për automjetet e tonazhit të rëndë është vendosur vjetërsia 15-vjeçare e tyre. Kështu që, me hyrjen në fuqi të kësaj VKM-je, nuk do të pranohen të regjistrohen më në Shqipëri automjete të tonazhit të rëndë me vjetërsi prodhimi mbi 15 vjet. Vendimi i qeverisë ka sanksionuar edhe procedurën për automjetet që janë futur në Shqipëri ose do të futen deri më 31 dhjetor të vitit 2018. Konkretisht, automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme. Pas skadimit të këtij afati, nëse ato nuk përmbushin kushtet e përcaktuara të vjetërsisë së tyre, nuk do të mund të regjistrohen.

Përjashtimet

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka parashikuar edhe rastet e përjashtimit. Sipas VKM-së, ky vendim nuk zbatohet për importin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970, automjete të prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë, automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale. Krahas këtyre, në vendim thuhet se: “Përjashtim bëjnë edhe mjetet motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare”

v.l/Dita

Share: