Home KRYESORE Zëvendësministri i FSK-së reagon ndaj Rusisë pas paralajmërimit për ushtrinë e Kosovës

Zëvendësministri i FSK-së reagon ndaj Rusisë pas paralajmërimit për ushtrinë e Kosovës

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar pas lajmit se Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj përpjekjes së Kosovës që të krijojë ushtrinë e saj, raporton Gazeta Express.

MPJ e Rusisë ka shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit të Kosovës për t’i shndërruar Forcat e Sigurisë së Kosovës në ushtri të plotë.

Kjo ministri ka theksuar se një vendim i tillë dëmton stabilitetin e Ballkanit.

Ramadani, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se në asnjë rrethanë Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, dukë përfshirë edhe FSK’në, nuk paraqesin kërcënim.

Madje, ai ka shtuar se rajoni do të përfitojë nga tranzicioni i FSK’së, pasi që ajo është multi-etnike, profesionale, kredibile dhe me diversitet të madh etnik.

“Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, përfshirë këtu FSK-në, nuk janë kërcënim. Përkundrazi, ato janë multi-etnike, profesionale, kredibile dhe me diversitet më të madh etnik se popullata të cilës i shërbejnë”, ka shkruar Ramadani.

“Këto institucione janë të trajnuara në standardet më të larta demokratike. Rajoni do të përfitojë nga tranzicioni i FSK-së. Kosova kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale dhe do ta rris kontributin”, ka thënë ai.

“Rusia po përdorë propagandë krejtësisht mashtruese kundër Kosovës, ndërsa Serbisë po i merr qindra miliona euro nga buxheti duke i shitur armatim përmes aferave të mëdha të korrupsionit”, thuhet në fund të shkrimit të Ramadanit.

v.l/Dita

Share: