Home KRYESORE 14 vite burg për Shullazin. Historia kriminale e bandës te Rruga e...

14 vite burg për Shullazin. Historia kriminale e bandës te Rruga e Kavajës

Gjykata e Krimeve të Renda po jep sot vendimin për bandën ‘Shullazi’. Kreu i kësaj bande, Emiljano Shullazi, ështē dënuar me 14 vite burg për akuzat e gjobëvënies dhe krijim grupi të strukturuar kriminal. Pjesa tjetër e bandës kanë marrë këto dënime. Gilmando Dani 12 vite burgim; Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me 10 vite burg; Blerim Shullazi me 9 vite burg. Prokuroria kërkoi 64 vite burg për anëtarët e bandës. Por kush është Emiljano Shullazi, personazhi që trazoi për një kohë të gjatë edhe politikën në vend.

Emiljano Shullazi është një emër i njohur për drejtesinë dhe policinë. Ai është ndaluar disa herë nga policia për kërcenime dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa në nëntor të vitit 2011 ai u lirua nga burgu pasi kreu dënimin prej 7 vjetësh e 4 muaj burg për trafik droge.

Emiljano Shullazi për një kohë të gjatë ishte cilësuar si anëtari dhe si drejtuesi i një grupi kriminal që vepronte në rrugën e Kavajës në Tiranë. Me bandën e tij lidhen shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur Tiranën që prej vitit 1999. Prej atij viti dhjetra të vdekur numërohen nga të gjitha anët e botës së krimit në kryeqytet. Më të përmendurat janë vrasjet e Denis Ginës, Edgar Libohovës, Ervin dhe Ergys Borovës, Alban Danit apo Erald Harshovës dhe mjaft të tjerë që kanë humbur jetën në përplasjet mes grupeve rivale me Shullazin.

Vetë Emiljano Shullazi drejtonte atë pjesë të grupit që përbëhej nga; Pajtim Serjani, Ervin Ferhati, Artan Allushi, Erges Ymeri, Artan Shabani, Selfo Driza, Ermal Gogu, të gjithë të arrestuar. Ky grup kriminal, sipas policisë, merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Përpara vitit 2016, Shullazi ishte arrestuar edhe në 9 nëntor 2011, kur ai së bashku me një shokun e tij u ndaluan për veprën penale të armbajtjes pa leje. Emiljano Shullazi dhe Gilmand Dani, u arrestuan nga forcat e komisariatit të policisë nr. 2. Policia tha se menjëherë pas kapjes së tyre, janë ushtruar kontrolle në banesat përkatese. Efektivët që u morën me kapjen e tyre thanë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta, maskat, telefonat e dy të ndaluarve, si dhe makina e cila ishte në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë. Po ashtu edhe gjatë ditës së zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011, Shullazi është kapur me armë, por ka deklaruar se ajo ishte artizanale dhe e kishte dhuratë, duke hedhur poshtë dyshimet se po planifikonte ndonjë ngjarje kriminale.

Beteja e Emiliano Shullazit me bandën rivale në kryeqytet.

6 qershor 2011– Krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani i shpëtoi me një plumb në këmbë atentatit të kurdisur pranë shtëpisë së tij në lagjen “21 Dhjetori”. Kjo ngjarje shënoi edhe rinisjet e përplasjes së dy bandave në Tiranë

30 korrik 2011–Vritet Sokol Doçi, një jurist me profesion, por i njohur edhe për miqësinë e tij të hershme me rivalët e Shullazit. Një vrasje mafioze me dy plumba në kokë ka terrorizuar kryeqytetin, ndërsa Sokol Doçi, 33 vjeç, është ekzekutuar vetëm pak metra pranë shtëpisë, sapo kishte dalë nga makina e tij luksoze, një BMV të serisë 7

26 shtator 2011–U vra i fejuari i Inis Gjonit nga i cili ajo priste nje femije, Arjan Selimi, një emër i njohur për shkak të arrestimit në vitin 2004 për trafik ndërkombëtar droge në operacionin “Kompas”. Selimi nuk ka qenë i rreshtuar me dy grupet rivale në Tiranë, por gjatë kohës së burgut ai kishte qenë shok dhome me Shullazin

20 mars 2012–Ekzekutohet me 6 plumba pranë shtëpisë së tij Arlind Fuga. 34-vjeçari nuk ka precedentë penalë dhe njihet prej fqinjëve të tij si person pa probleme. Hetimet ufokusuan te miqësia e tij e hershme me Emiljano Shullazin.

6 prill 2012–Pajtim Serjani, i cili mbeti i plagosur në janar 2015, u qëllua me armë zjarri në Yzberisht. Plumbat dëmtuan vetëm makinën e personit që për policinë ishte i njohur edhe më parë. Serjani gjithashtu njohet për lidhjen e tij me Emiljano Shullazin.

Emiljano Shullazi u arrestua nga policia në 17 prill 2016, pak orë pasi ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi atë se kishte kërcënuar me pengmarrjen e djalit kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në rast se ky i fundit nuk tërhiqej nga gara. Më pas atij iu mblodhën edhe akuza të tjera, si ajo i kërcënimit dhe gjobvënis ndaj biznesmenit Ylvi Beqja për cështjen e hotel ‘Vollgës’ në Durrës.

Emri i Emiljano Shullazit është lakuar shpeshherë nga politika në Shqipëri, por edhe nga ish- ambasadori amerikan Donald Lu, i cili e ka përmendur atë si një nga personat që pengonte reformën në drejtësi./LAPSI.al

Share: