Home KRYESORE Çështja Tahiri, Soreca: Pres të paraqiten rezultate nga Prokuroria

Çështja Tahiri, Soreca: Pres të paraqiten rezultate nga Prokuroria

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, të martën, është shprehur në lidhje me zhvillimet e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri .

Soreca tha gjatë intervistes me drejtuesin e emisionit ‘Opinion’, gazetarin Blendi Fevziu se pret që çështja të ecë dhe të përfundojë duke paraqitur rezultate nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi është e rëndësishme të kemi një formulim të qartë për atë që ka ndodhur.

Fevziu: Kam dëgjuar një koment nga ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri që thoshte se disa ambasadorë, fliste për ambasadorët Lu dhe Vlahutin, po luanin një rol në Shqipëri që kurrë nuk mendonin ta luanin në vendet e tyre.

Ambasadori: Nuk mund të spekuloj për atë që ka thënë ish-ministri. Ajo që mund të them sa i takon Bashkimit Evropian është se individët ne pozicione te ndryshme, nuk punojnë kurrë vetëm. Ata mbështeten nga institucionet e tyre.

Fevziu: Këto janë deklaratat e institucioneve të tyre?

Ambasadori: Është e qartë që kështu funksionon. Në periudhën afatgjatë veprimet e tyre janë veprimet e institucionit që përfaqësojnë.

Fevziu: Çështja Tahiri është në qendër të vëmendjes. Keni ndonjë koment për këtë?

Ambasadori: Pres që çështja të ece, të përfundojë dhe të paraqiten rezultatet nga Prokuroria e Përgjithshme, sepse mendoj se është në interes të të gjithëve, përfshirë të akuzuarin, të kemi një formulim të qartë për atë që ka ndodhur.

Fevziu: Por Tahiri pretendon se rasti i tij është mbyllur në Itali nga Prokuroria e Katanias.

Ambasadori: Nuk i kam parë qartë dokumentet, por ajo që mund të them është se autoritetet gjyqësore shqiptare ende po hetojnë. Presim që ky hetim të përfundojë dhe pastaj do te dimë çfarë mendojnë autoritet sovrane shqiptare./Opinion.al

Share: