Home KRYESORE Don Kishoti, ose Drama e mallit të amëshuar dhe zemëratës së përbotshme....

Don Kishoti, ose Drama e mallit të amëshuar dhe zemëratës së përbotshme. Harold Bloom

Përktheu nga origjinali anglisht Elvis Zaimi

Ç’kuptim do të kishte marrëzia, nëse ai që vuan prej saj nuk do të mashtrohej nga burra apo gra të tjerë? Askush nuk e shfrytëzon Don Kishotin, madje as vetë Kishoti vetveten.

Gabueshëm, ai i merr mullinjë e erës për gjigantë, dhe shfaqjet me kukulla për realitete, por ai nuk është për t’u përqeshur, sepse është më mendjemprehtë se ju, dhe ka për t’ua hedhur.Marrëzia e tij është një marrëzi letrare, dhe ka dobi të ballafaqohet në një krahasim që mund të prodhojë vlera, me të vetmen marrëzi letrare, edhe ajo e pjesshme; atë të oratorit në poemën madhështore kalorësiake të Robert Browning “Çajld Roland në Kullën e Errët erdhi”. Don Kishoti është i marrë, sepse prototipi i tij i madh, Orlando (Rolandi) i “Orlando Furioso” të Aristos, ra në një marrëzi dashurore. Po ashtu, sikundër Doni ia vë në dukje Sanços, atij i ndodhi njëlloj si edhe Amadisit të Galisë, një pararendësi tjetër të tij heroik.Çajld Rolandi I Browning dëshiron vetëm të jetë ”i përshtatur për të dështuar”, në të njëjtën mënyrë sesi kalorësit-poetë, njëri pas tjetrit, dështuan përpara tij në Kullën e Errët. Don Kishoti është shumë më i shëndoshë nga mendtë prej tij, ai dëshiron të fitojë, pak rëndësi ka sesa herë ai dystohet i dërrmuar dhe i përplasur fort përdhe.Marrëzia e tij, siç na e bën vetë të qartë, është një strategji poetike e përpunuar nga të tjerë përpara tij, dhe ai nuk është asgjë tjetër veçse një tradicionalist në këtë linjë….

Servantesi ishte i matur dhe syçelët se kishte një pararendës spanjoll tepër të afërt, afërsitë e tij më të thella ishin me converso-n Fernando de Rojas, autori i dramës të madhe narrative “Celestina”, e cila nuk mundet saktësisht të cilësohet të jetë një vepër katolike për shkak të amoralizmit të saj të egër dhe

mungesës së pandehmave teologjike. Servantes vërejti për librin e tij “Don Kishoti” se: ”në këndvështrimin e tij, ai do të ishte më tepër i perëndëishëm, pra një libër I shkruar me hirin e zotit, nëse do ta fshihte më shumë njerëzoren”, duke nënkuptuar qartësisht me këtë refuzimin e seksualitetit njerëzor për të pranuar shtrëngesa morale. Don Kishoti, natyrisht, u imponon shtrëngesa morale dëshirave të tij seksuale, duke arritur deri atje sa ai fare mirë mund të shihet sikur të ishte një prift, ndërkohë që sipas Unamuno-s ai vërtet ka qenë tillë; prifti i kishës së vërtetë, asaj “të përnjëmendtë” Spanjolle, kishës Kishotiake.Është fare e qartë se gatishmëria e pareshtur dhe e përjetshme për betejë e Donit, edhe kur nga të gjitha gjasat e situatës është e parashikueshme thuajse me siguri të plotë disfata e tij, nuk është asgjë tjetër veçse sublimimi i shtytjevve që i vijnë nga ngasja seksuale.Objekti I errët i dëshirës së tij, Dulqinja e magjepsur, emblemë e lavdisë për t’u arritur në dhe përmes shtënies në përdorim të forcës, gjithmonë na jepet nga Servantesi si një absurditet. Si i mbijetuar i Lepantos dhe betejave të tjera, si dhe për shumë vite I mbajtur rob nga Maurët, dhe prej këndej në burgimet spanjolle, Servantes- i njihte drejtpërdrejti, nga vetë përvojat personale të jetës, betejat dhe skllavërinë. Qëllimi i tij ka qenë që ne ta konsiderojmë heroizmin shokues të Don Kishotit me një ironi të konsiderueshme por edhe me respekt të madh, pozicion i marrë ky prej Servantesit ne veprën e tij, i cili është më i lehtë për t’u dalluar por aspak i tillë për t’u analizuar. Kurajoja e Don Kishotit, në shfaqjet e saj ekstravagante përsëjashtmi të një furie të tërbuar dhe vrullit zemërak të papërmbajtshëm, tejkalon bindshëm atë të çdo heroi tjetër në letërsinë perëndimore.

Ballafaqimi i drejtpërdrejtë me madhështinë e Don Kishotit nuk mund të shkojë shumë larg pa kurajën e kritikës. Servantesi, megjithë ironitë e tij, është i lidhur ngushtë me një ndjenjë të thellë dhe të fuqishme dashurie për Don Kishotin dhe Sanço Pançën, dhe njëlloj si ai ndjehet çdo lexues që e dashuron të lexuarin.Të shpjegosh dashurinë është një ushtrim I kotë në jetë, sepse fjala “dashuri” nënkupton gjithçka dhe asgjë, por ky shpjegim duhet të jetë një mundësi e arsyeshme kur i vjen radha të bisedohet për letërsinë e madhe. Ndaj këtu Servantesi mund ta ketë prekur universalen me më shumë siguri sesa Shekspiri, qëkurse unë mbetem I hutuar dhe i çoroditur nga fakti se studentët e mi nuk ndjejnë të njëjtën dashuri të fortë dhe të thellë për Sir John Falstaff, të vetmin rival të Don Kishotit ndërmjet kalorësve të arratisur endacakë dhe të fantaksur-pa folur këtu për kolegët e mi mësimdhënës. Askush nuk e quan Don Kishotin “një gërdallë plak të neveritshëm dhe të dalldisur”, i cili ka qenë komenti gjykues i G.Bernard Shaë për Falstaff-in, ndonëse ka gjithmonë kritikë Cervantinë që ngulmojnë pa u epur në etiketimin e Don Kishotit si një “kacek I pamend” apo “I cmendur”, duke na treguar se Servantesi e shkroi Don Kishotin si një satirë për të vënë në lojë “egocentrizmin e padisiplinuar” të heroit të veprës. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, ky libër nuk do të kishte ekzistuar, sepse kush do të ishte I interesuar të lexonte për Alonso Kishanon, të Mirin? I Çmagjepsur, në fundin e fundit të historisë, ai vdes si besimtar I mirë dhe I shëndoshë nga mendtë, duke më kujtuar ata shokë të rinisë time që iu nënshtruan përmes dekadave trajtimit të stërzgjatur psikoanalitik, duke u tkurrur dhe u rëgjuar, derisa të përtharë dhe me çdo pasion të fikur, mbetën të përshatshëm vetëm për çastin e mbramë, për të vdekur të shëndoshë analitikisht nga mendja. Edhe pjesa e parë e atij libri të madh mund të jetë çdo gjë perveç satirës së heroit, ndërsa pjesa e dytë siç pranohet përgjithësisht është e kompozuar në mënyrë të atillë që t’I shkaktojë lexuesit një identifikim më të ngulitur me Don-in, dhe me Sançon.

Herman Melville, me një shije autentike amerikane, e quajti Don Kishotin “ai më i mençuri i të mençurve që kanë jetuar ndonjëherë”, duke shpërfillur lumturisht dhe për fat të mirë, karakterin fiktiv të personazhit. Për Melville ka pasur tri karaktere origjinale parësore ndër personazhet e letërsisë, Hamleti, Don Kishoti, dhe Satanai i “Parajsës së Humbur” të Miltonit. Ahab, mjerisht, nuk ishte mjaftueshëm një i katërt, sepse ai shkriu tiparet e të treve-porse ekuipazhi i tij fitoi një atmosferë Servantine, e kërkuar drejtpërsëdrejti nga Melville në një pasazh përmbledhës të mrekullueshëm, që e vendos Servantesin dukshëm dhe për mos t’u harruar, ndërmjet nga njëra anë “Progresit të Pelegrinit” të John Bunyan, një alegori simbolike e vizionit të pelegrinazhit të njeriut të mirë përgjatë jetës, dhe nga ana tjetër, Presidentit Andrew Jackson, heroit të të gjithë Demokratëve Amerikanë.

“Mbështetmë dhe bëju dëshmitar I të vërtetës që gjen në të, ti o Zot i madh Demokratik! Ti që nuk ia mohove zeshkanit të dënuar, Bunyan, të zbehtën, regëtitëse perlë të poezisë;Ti që veshe me ornamentin e fletëve të dyfishta nga floriri më i shkëlqyeshëm krahun cung dhe prej varfanjaku të plakut Servantes; Ti që e more nga guralecët e zallit Andrew Jackson-in, për ta ngritur dhe hedhur më pas mbi një kalë lufte; duke bërë që të ushtojë zëri I tij më lart sesa nga ai i një froni mbretëror; Ti që në gjithëfuqinë e pushtetit tënd, në marshimet tokësore, i përzgjedh ndër më të dobëtit kampionët për të mbrojtur dhe t’u dalë zot të mirave tona të përbashkëta, të vyera si të ishin prej mbreti, mbështetmë në të dhe bëju dëshmitar i kësaj të vërtete, o Zot!”

Kjo është nje ekstazë e religjionit amerikan, e cila ka pak të përbashkëta me katolicizmin mosbesues dhe dyshues të Servantesit, por që ka shumë paralelizma me krishtërimin Don Kishotiak, të parashtruar dhe argumentuar nga komentet e Unamuno-s. Sensi tragjik i jetës, i zbuluar prej Unamunos tek Don Kishoti, është gjithashtu edhe besimi “fetar” i Moby Dick. Ahabi është një monomaniak, i tillë është edhe shpirtmiri i përndezur Don Kishot, por të dy janë idealistë të torturuar që e kërkojnë drejtësinë përmes dhe në terma njerëzorë, jo si njerëz teocentrikë, por si njerëz pa perëndi, ose të përngjashëm me perënditë. Ahabi kërkon vetëm shkatërrimin e Moby Dick, ambicia për ta bërë të shquar dhe për t’I dhënë nam emrit të tij nuk është asgjë për Kapitenin Kuaker, hakmarrja është gjithçka.

Askush, me përjashtim të një takëmi të ndoca magjistarëve mitikë, nuk i ka bërë ndonjë dëm Don Kishotit, I cili prapëseprapë i gëlltit fshikullimet dhe të rrahurat që pëson me një stoicizëm të pafund. Motivi I Donit, sipas Unamunos, është fama e tejjetshme, në amëshim, e interpretuar si një “shtrirje dhe zgjerim I personalitetit të tij në kohë dhe në hapësirë”.E lexoj këtë interpretim të famës si barasvlerësin laik për bekimin nga Jehovai (Zoti Perëndi), domethënë për më shumë jetë në një kohë që nuk njeh kufij. Bujaria fisnike dhe mirësia me thjeshtësi, janë virtytet e Don Kishotit. Vesi i tij, nëse e ka ndonjë, është bindja në Epokën e Artë Spanjolle, kur fitorja që vjen nga armët është gjithçka, por qyshkur pëson disfata të shpeshta, ky cen I karakterit të tij mbetet edhe në rastin më të keq, kalimtar.

Ashtu si dhe unë, Unamuno e mori me seriozitetin më të madh dëshirën e sublimuar të Don-it për Aldonza Lorenzo-n, si dhe për ekzaltimin e saj të mëpasshëm duke e ngritur në një status ëngjëllor, ngjashmërisht me Beatriçen, ndonëse fatkeqësisht të një ëngjëlli të magjepsur, veçse Dulqinja e Tobozës, na lejon ta shohim kalorësin në diçka që është pranë kompleksitetit të tij të plotë. Don Kishtoi jeton nëpërmjet një besimi edhe pse duke e ditur, siç e tregojnë shpërthimet dhe shfrimet e tij mendjekthjellëta, se ai beson në një fiksion, dhe duke e ditur po ashtu- të paktën në çaste të shkurtra

përshkëndritjeje që i kalojnë ndërmend-se ajo çfarë beson është thjesht dhe vetëm një fiksion. Kishoti i Unamunos është një personazh i angushtuar dhe i pushtuar nga paradokset, paraardhësi i kërkuesve në dimensione më të vogla sesa ai, që enden të shpërqëndruar dhe flasin përçart në kaosin tonë, tek Kafka dhe Beket-i. Të krijonte heroin e një “pashkatërrueshmërie” laike, ndoshta nuk ka qenë ky qëllimi I Servantesit kur e shkroi veprën e tij, por se heroi i tij i arrin lartësitë e kësaj apoteoze, në komentimin e zjarrtë të Unamunos. Ky Don Kishot është një aktor metafizik, në gjendje ta rrezikojë veten të shndërrohet në objekt talljeje apo përqeshjeje, me qëllim që të mbajë të gjallë idealizmën.

Share: