Home KRYESORE Emigrantët, Trump: Do çojmë 15 mijë trupa në kufi me Meksikën

Emigrantët, Trump: Do çojmë 15 mijë trupa në kufi me Meksikën

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi këtë të mërkurë se mund të dërgojë deri në 15 mijë ushtarë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, për të ndalur ato që ai i përshkroi si grupe të rrezikshme emigrantësh.

E ndërsa janë dërguar deri më tani pak më shumë se 5.000 trupa ushtarake, Trump iu tha reporterëve të interesuar se “mund ta çonte diku rreth 10-15 mijë trupa, personelin ushtarak në gatishmëri”.

“Ai është një grup i rrezikshëm njerëzish”, tha Trump në lidhje me karvanin e fundit të emigrantëve, shumica e të cilëve nga vendet e varfra të Amerikës Qendrore, që përpiqen të kalojnë përmes Meksikës për në Shtetet e Bashkuara. “Ata nuk do të hyjnë në vendin tonë”, tha më tej ai.

Siguria në kufirin jugor rrallë ka përfshirë trupa aktive të shërbimit ushtarak, ndaj, nëse do të dërgohen 15 mijë trupa atje, kjo do të ishte një dërgesë e ngjashme me përpjekjet e luftës amerikane në Afganistan.

Trump e ka kthyer fushatën goditëse, ndaj atij që ai e përshkruan si një “pushtim” emigrantësh të paligjshëm, në epiqendrën e fushatës së tij për kandidatët republikanë për zgjedhjet e së martës së ardhshme legjislative të mesmandatit në SHBA.

Kundërshtarët thonë se retorika e tij është alarmuese dhe e mbushur me nota racizmi. Departamenti i Sigurisë së Brendshme njoftoi këtë të mërkurë për atë që e përshkroi si “një krizë e paprecedentë në kufirin tonë jugor”.

Gjithsesi, sipas shifrave të vet këtij Departamenti, numri i emigrantëve të paligjshëm të kapur në vitin 2018 është vetëm 400 mijë, me rreth 25% më pak sesa në vitin 2000. Ndryshimi i vetëm që veçohet prej Departamentit në fjalë është fakti se, në vitin 2000, thuajse të gjithë emigrantët e paligjshëm ishin të rritur beqarë, ndërsa sot gjysma e tyre vijnë familjarisht, apo si minorenë të pashoqëruar.

v.l/ Dita

Share: