Zhdukja e personave pa lënë gjurmë po konsiderohet nga krimet më të frikeshme, prej shërbimeve të posaçme. Nuk dihet saktësisht numri i njerëzve të dyshuar të zhdukur, por një burim i besueshëm i tha ABC News, se vetëm në Vlorë diskutohet mbi 25 persona që nuk dihen ku ndodhen. Dhe për ta dyshohet se janë viktimë e pengmarrjes dhe më pas e vrasjes. Të njëjta burime i thanë ABC News që bëhet fjalë për persona në borxh me pagesat e drogës, ose të përfshirë në krime.
Spastrim i territorit ose zhdukja e dëshmitarëve që kanë dijeni ose kanë kryer vrasje me porosi. Ky është përkufizimi që eskpertët po i japin situatës së krijuar në vend. Më të prekur nga ky krim i egër janë Vlora, Durrësi, Shkodra dhe Tirana. Flitet për krime të tilla që, pasi personi rrëmbehet pa lënë gjurmë, vritet dhe groposet ose hidhet në det. Megjithatë duket se policia nuk është shumë e orientuar në këtë drejtim. Mungojnë bashkëpunëtorët dhe zbulimi i provave.
Rastet më të bujshme janë zhdukja e Albasano Xhaferri 34 vjeç nga Vlora dhe ajo e Elvis Troqe. Xhaferri është zhdukur që në muajin qershor dhe bashkë me Troqin ishin persona që vinin nga vendet e Evropës. Më herët referuar denoncimet të familjarëve ishte zhdukur biznesmeni Adriano Jaho, 52 vjeç dhe ndihmësi i tij, Ariseld Maze, 28 vjeç. Jaho dhe Maze kanë dalë më 3 korrik të 2017-s në mëngjes nga Porti i Vlorës për të provuar një skaf dhe nuk u kthyen. Ksandro Imeraj, 32 vjeç, është një tjetër i ri I zhdukur në Vlorë. Me bujë është përcjellë në publik edhe zhdukja e dajë e nipi në Shkodër. Gëzim Hysaj, 56 vjeç dhe nipi i tij Agron Molla, 47 vjeç janë larguar më 23 gusht nga banesat e tyre ne Dobrac dhe nuk janë kthyer më./Abcnews