Përktheu nga poezi të përzgjedhura “Paroles”, Elvis Zaimi
Njeri
Duke vështruar mbi më zemërlënduarën dhe të frikshmen lule tokësore
si gjithë të tjerave ti i dhe asaj një emër
E quajte Mendim
Mendim
Ishte, siç është bërë thashethem, emër i vërejtur dhe shqyrtuar mirë
I mirëmenduar
Dhe këto lule të marrosura që as jetë nuk kanë por as edhe nuk fishken kurrë
Ti ato i kërkove të quhen të pavdekshme…
Dhe kjo u shërbeu më së miri…
Porse jargavanët i quajte ti jargavanë
Për jargavanin emri ishte saktësisht po i njëjti
Jargavan…Jargavan…
Margaritave, u dhe emrin e një gruaje
Ose ndryshe, grave u dhe emrin e një luleje
Ishte e njëjta gjë
Më kryesorja ishte të ishin të bukura
Detyrimisht duhet të falnin kënaqësi
Së fundmi u dhe emra të thjeshtë çdo luleje të thjeshtë
Dhe më të madhes, emrin më të bukur
Asaj që mugullon për të mbirë vetëtimthi mbi plehnajën e mjerimit
Asaj që i qëndron pranë hoveve të vjetra dhe të ndryshkura pranverore
pranë qenve të vjetër të pikëlluar
pranë dyshekëve të vjetër barkçarë
pranë barrakave me dërrasa ku jetojnë të nënushqyerit
Kësaj luleje, të shndritshme mrekullisht me aq gjallësi
Gjithë e verdhë, gjithë brilante
Që të diturit e quajnë Helianthus
Ti e quajte atë Diell
…Diell…
Sa fatkeqësi! Sa fatkeqësi ! dhe plot herë të tjera sa për fat të keq!
Kush vështron për nga Dielli, hë?
Kush e sheh Diellin?
Askush nuk e sheh më Diellin
Njerëzit janë bërë çfarë janë bërë
Njerëz inteligjentë…
Një lule zhardhokore e kancertë, tepër përpikshëm e mbërthyer kujdeshshëm si sumbull në thile
Ata ecin rrotull duke shikuar përtokë
Dhe sakaq mendojnë për qiejt
Ata mendojnë…Ata mendojnë…ata nuk e ndalin të menduarin
Ata nuk mund të dashurojnë më lulet e gjalla dhe të vërteta
Ata dashurojnë lulet e fishkuara, lulet e përthara
Të pavdekshmet dhe mendimet
Dhe ata ecin në baltovinën e kujtimeve, rropaten të lerosur në llumin e keqardhjeve
Ata pa dëshirë e tërheqin vetveten më tej zvarrthi
Me shumë mundim
Në moçalishten e të shkuarës
Dhe ata i tërheqin…i tërheqin vargojtë e tyre
Dhe ata I zvarrisin me hap ritmik këmbët e tyre
Ata shkojnë para me shumë vuajtje
Të zhytur përfund ligatinave të të tyreve Champs Elyse
Duke kënduar me zërin në kupë të qiellit këngët e tyre mortore
Ose duke kënduar
Me gjithë zërin që kanë në kokë
Atë që në kokët e tyre ka vdekur
Sikur të gjithë botën të ma dhuronin nuk do t’ua hiqja kapelen në nderim
Sepse
Brenda kokëve të tyre
Mbiu dhe nxitet të rritet
Lulja e vogël, e hollë dhe e ndyrë
Lulja e hidhur
Lulja përherë e fishkur
Lulja personale…
…Mendimi…