Shkrimtari Besnik Mustafaj, të martën, është ndalur tek figura e Azem Hajdarit, si një nga personazhet e portretizuar në librin e tij më të ri, të titulluar: Letrat e mia kredenciale.
Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, përballë gazetarit Blendi Fevziu, Mustafai u shpreh se Azem Hajdari edhe në atë kohë kishte një instikt të lindur të sjelljes politike.
Duke shtuar se ecuria e nivelit të tij intelektual brenda pesë viteve, pati një rritje mbresëlënëse.
Mustafaj: Do t’iu them një mësim që unë e kam marrë prej tij. Kur fituam me 22 Mars, Azemi më kërkon mua t’i shkruaj fjalimin që do mbante në sheshin ‘Skënderbej’. Unë u mora gjithë ditën, e bëra aq mirë sa munda. Por, kur u zhvillua mitingu, Azemi nuk tha asnjë fjalë nga fjalimi që unë kisha përgatitur. Mbrapa i them unë, – o Azem si më fute mua gjithë këtë ditë për të shkruar fjalimin- por më tha, ai është fjalimi. Si është fjalimi, – i them unë. Ai do botohet nesër në RD, këtu nuk dëgjonte njeri, por ata do ta lexojnë atje ata që do të duan ta lexojnë. Përballë asaj turme ai nuk mund të elaburonte asnjë ide, por po ju them se në të gjitha librat që kisha lexuar në gjuhë të huaj nuk e kisha gjetur dhe as nuk do më shkonte kurrë në mendje një gjë e tillë. Azemi edhe në atë kohë e kishte atë instikt, instiktin e sjelljes politike./Opinion.al