Home KRYESORE “Rama të ndajë mendjen, kryetar i PS apo i asaj palo-partisë së...

“Rama të ndajë mendjen, kryetar i PS apo i asaj palo-partisë së ’91”

E kisha menduar këtë intervistë me historianin Pëllumb Xhufi, si finale apo përmbyllje të një debati që vazhdon prej më shumë se dy javësh lidhur me nderimin shtetëror që iu bë ish-kreut të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërit.

Në të vërtetë, me sa duket debati nuk do të mbyllet këtu. Pavarësisht argumentimit bindës të Prof. Pëllumbit mbi kolaboracionizmin e Mit’hatit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe njollave të tij të pashlyeshme politike, nderimi që iu bë nga Rama ikonës së kolaboracionizmit shqiptar, ka shpërfaqur problemet reale të përfaqësimit të munguar tek e majta.

“Përsa i përket vlerësimit të historisë dhe figurave historike më duhet të konstatoj se z. Rama është produkt i denjë i një shkolle artistike, Liceut e Institutit të Arteve, ku historia renditej e fundit në listën e preferencave. Ndaj, duhet bërë kujdes dhe duhet treguar shumë vigjilencë kur ai flet për historinë, jo më pak se kur për të ligjëronte z. Berisha, ai mjeku” – thotë profesor Xhufi.

Por thelbi i problemit është më i rëndë.

“Unë mendoj se z. Rama duhet të ndahet nga hipokrizia e ta ndajë mendjen nëse do të jetë kryetari i Partisë Socialiste, apo nëse synon ta transformojë këtë parti në atë “palo-partinë”, që tentoi pa sukses ta krijonte nga e para në vitin 1991” – thotë Xhufi në këtë intervistë që mund të lexohet sot e plotë në DITA:

– Profesor, debati për Mit’hat Frashërin dhe Ballin Kombëtar a tregon se qeveria e z. Rama i ka dhënë tashmë shenjat e një revizionimi të historisë nga pozita të djathta, megjithëse përfaqëson dhe votohet majtas?

– Më lejoni që, si një latinist i vjetër, ta nis përgjigjen me një shprehje latine: sit modus in rebus (çdo gjë me masë). E pra, në rastin e sjelljes së eshtrave të Mit’hat Frashërit u kalua çdo masë dhe ajo që më befasoi mua si shumë të tjerë, është se masën nuk e kaluan as simpatizantët “ballistë” të Mit’hatit, as kundërshtarët “komunistë” të tij. Këta, siç e kërkonte rasti dhe tradita shqiptare, e përcollën në heshtje e me dinjitet udhëtimin e fundit të frashërlliut, secili në mënyrën e vet, dikush duke përmbajtur entuziazmin, dikush tjetër duke shtrënguar nofullat ndërsa kujtonte hijet e shumta në historinë e tij.

Ai që e teproi me këtë rast ishte vetë Kryeministri me eminencat e tij dhe ndonjë militant fashistoid, mik i tyre, që ka zgjedhur të jetojë jashtë dhe që zbavitet të hedhë herë pas here ndonjë tufë me miza në shtypin e Tiranës. Këta tentuan të pamundurën: ta shfrytëzojnë rastin për të dalë jashtë kontureve “kulturore” dhe për të zyrtarizuar rehabilitimin politik të Mit’hat Frashërit e për ta vendosur atë “në anën e duhur të historisë”.

Në fakt, qeveria socialiste e z. Rama i kishte dhënë shenjat e një revizionimi të historisë nga pozita të djathta qysh me rivarrosjen e eshtrave të Eqerem Bej Vlorës. E bëri këtë me të gjitha salltanetet që e kërkonte sëra e ideologut të “Shqipërisë otomane” e më vonë të “Shqipërisë fashiste”, i cili kurrë nuk e mendoi e nuk e deshi një “Shqipëri shqiptare”, për të cilën punoi e u shkri kushëriri i tij vigan, Ismail Qemali. Këtij, qeveritarë të paditur e të korruptuar  të periudhës së demokracisë, nuk janë përfillur t’i ngrenë as edhe një monument të denjë, ndërkohë që i kanë mbushur qytetet tona me emra rrugësh e me monumente, që shpesh herë i përkasin individëve të padomethënshëm e banalë, pasqyrë e kohëve banale që jetojmë.

– Ju munguat në atë ceremoni. Pse? 

– Unë nuk mund të isha në atë harbim të hipokrizisë. Së pari nuk mund të pranoja që rivarrimi i Mit’hat Frashërit të përfshihej në veprimtaritë për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, madje të konceptohej si kurorëzim i këtyre veprimtarive. Asociacioni i Mit’hat Frashërit me Skënderbeun ishte fare i papërshtatshëm dhe i panatyrshëm.

Skënderbeut do t’i bënin shumë më tepër nder emra të tjerë të panteonit të vërtetë të shqiptarisë, Naim, Abdyl e Sami Frashëri, Ismail Qemali, Jeronim de Rada, Fan Noli, Ndre Mjeda, Dervish Hima, Luigj Gurakuqi, Ibrahim Temo, Shahin Kolonja, Stavro Vinjau e plot të tjerë. Këta, në veprimtarinë e tyre kanë mishëruar vërtet frymën e Kastriotit të Madh, e megjithatë janë lënë në harresë nga politika dhe historiografia e këtyre kohëve të çmendura. E pra, para figurave të tilla ia vlen vërtet të uli kokën çdo shqiptar e sidomos çdo politikan që për model të tij ka Skënderbeun, dhe jo Hamzain.

Nuk e fsheh, se mospjesëmarrja ime lidhet edhe me një qejfmbetje, që gjithsesi nuk është personale. Si Kryetar i Komisionit Shkencor për vitin e Skënderbeut, kam  vlerësuar nismën e qeverisë e të Kryeministrit për të përkujtuar siç e meriton Heroin tonë kombëtar. Në fakt, me mbështetjen e tyre, u sollën në Shqipëri më se 40 albanologë të shquar nga e gjithë bota, u zhvilluan konferenca e seminare që me risitë që sollën pasuruan nivelin e burimeve e të dijeve për Skënderbeun.

Por më duhet të them, se unë dhe gjithë kolegët e mi, mbetëm thellësisht të zhgënjyer nga z. Rama, kur në fjalën përshëndetëse të tij me rastin e mbylljes së veprimtarive shkencore mbi Skënderbeun, ai nuk e pa me vend të fliste për sebeplliun (Skënderbeun), për veprimtaritë shkencore që, falë edhe angazhimit serioz të qeverisë, u zhvilluan me sukses gjatë këtij viti. Nuk e tha, qoftë edhe një fjalë të mirë, të paktën për profesorët e huaj, shumë prej të cilëve të moshuar, që kishin ardhur për të nderuar me prurje të reja shkencore Skënderbeun dhe epokën e tij e që dëgjuan me vëmendje fjalën e tij.

Por, ndryshe nga ç’pritej, Kryeministri foli gjatë e shtruar, por jo për Skënderbeun e albanologjinë… por për Konfucin, për Kinën dhe për kinezçen. Sigurisht, do ketë pasur arsyet e tij për ta vendosur Kinën e madhe në qendër e në periferi të fjalimit të tij përmbyllës mbi “Vitin e Skënderbeut”. Nëse bëhet fjalë për interesa të larta shtetërore, ani. Por, edhe ashtu sikur të ishte, Kryeministri mund ta lante gojën qoftë edhe me një fjalë, një fjalë të vetme, për objektin e subjektet e asaj mbrëmjeje, që nuk ishte Kina dhe përkthimi nga shqipja në kinezçe, por ishin Skënderbeu dhe “skënderbejanët”. E kam fjalën për ata qindra albanologë shqiptarë e të huaj e për stafin e papërtuar teknik të Kryeministrisë, informaticienë, sekretarë, fonistë, kameramanë, piktorë, të cilët “si dikur”, me punë vetëmohuese e të papaguar realizuan me sukses një veprimtari të jashtëzakonshme shkencore me kohëzgjatje 8-mujore.

Dhe së fundi, unë nuk mund të shkoja në një veprimtari për Mit’hat Frashërin, të kuruara ad unguem nga vetë Kryeministri dhe nga grupi i të iluminuarve të tij, sepse, ashtu si Nastradini, parashikoj se kështu si ka marrë rrugë puna, nesër do të më duhet të marr pjesë edhe në “mbrëmje të përshpirtshme” për patër Anton Harapin, Mustafa Krujën e dom Lazër Shantonë. Ndaj, si shumë të tjerë pres, pres prej vitesh, që Kryeministri i votuar prej meje, të kujtohet se ky vend i detyrohet shumë e shumë më tepër burrave që përmenda më sipër, “frashërllinjve” të vërtetë e të harruar. Për një intelektual, harresa të tilla janë diskredituese. Por për një politikan, aq më tepër për një politikan të majtë, harresa të tilla janë fatale.

– Ata që justifikojnë nderimin për Mit’hatin, (përfshi edhe Kryeministrin), këmbëngulin në vlerat e veprës së tij albanologjike, studimore e letrare…

– Nuk arrij ta kap se ç’e shtyn Kryeministrin t’i bëjë këtë trajtim “ekstra” Mit’hat Frashërit. Mit’hati ka shkruar shumë e për shumçka. Por jeta e tij përfshin një nga periudhat më kritike të historisë sonë, kur luftohej për pavarësinë, krijimin, ruajtjen e konsolidimin e shtetit shqiptar. Njerëzit që kanë jetuar gjysmën e parë të shek. XX nuk mund t’i shmangeshin angazhimit të tyre në funksion të arritjes së këtyre objektivave të lëvizjes kombëtare, që ishin objektiva politikë.

Sigurisht, ai ka jetuar kohët heroike të Rilindjes Kombëtare, dhe ndonëse me ngurrime e vonesa të kritikueshme, edhe ai u përfshi në vorbullën e ngjarjeve që çuan në Pavarësinë e krijimin e shtetit shqiptar. Mit’hati u shqua për publicistikën e tij, sidomos në raport me denoncimin që u bëri planeve e akteve kriminale të kryera nga ushtritë e monarkive fqinje ballkanike gjatë periudhës së Luftrave Ballkanike e të Luftës I Botërore. Mori pjesë në ngjarje madhore, si në Kongresin e Manastirit 1908, atë të Elbasanit 1909 dhe në shpalljen e Pavarësisë.

Por (ka gjithnjë një “por” kur gjykohen sjelljet e tij politike), mezi priti një pretekst për të braktisur qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit, të përbërë nga patriotë demokratë e liberalë, dhe iu qas antiqeverisë antikombëtare të Esat Pashës, për t’u përfshirë pastaj, bashkë me të, në qeverinë e Princ Vidit, që kutërbonte me elementë që përfaqësonin Shqipërinë e vjetër otomane. I padiskutueshëm është angazhimi i tij si diplomat në mbrojtje të interesave kombëtare, në Lidhjen e Kombeve apo në kryeqytetin grek, Athinë. Por, krejtësisht i gabuar dhe në dëm të interesave kombëtare ishte angazhimi i tij, pas një pauze të gjatë, si themelues e drejtues i organizatës “Balli Kombëtar” në vitet e Luftës II Botërore.

Egoizmi e protagonizmi i pafre, i ndrydhur në vitet e qeverisjes së Zogut, e çoi Mit’hat Frashërin në rrugën pa kthim të bashkëpunimit të hapur me pushtuesin dhe me kriminelë të regjur, si Isa Toska, Kadri Cakrani apo Hamit Matjani, e komprometuan rëndë figurën e tij përpara popullit shqiptar e përpara aleatëve anglo-amerikanë, të cilët i ndërprenë marrëdhëniet me të qysh në nëntor të vitit 1943.

Akoma më zi, Mit’hati shkeli mbi historinë e tij personale dhe atë të familjes së tij, kur në fund të luftës, më 1944, i propozoi përfaqësuesve të qeverisë greke, gjeneralëve Chrysochou e Sarandis, krijimin e një federate greko-shqiptare dhe paraqitjen në Konferencën e Paqes me një delegacion të vetëm. Mit’hati propozonte që Shqipëria të hynte në këtë bashkim federal me Greqinë me kufijtë e Londrës, d.m.th. pa Kosovën e Çamërinë dhe me statusin e një province të nënshtruar, përderisa drejtimi i ushtrisë dhe i politikës së jashtme i liheshin prej tij Athinës.

Përse e kreu Mit’hati këtë akt të shëmtuar në prag të përfundimit të Luftës II Botërore, akt që bie ndesh me deklaratat e tij mbi “Shqipërinë etnike”, që i përdori pa rezervë kundër PKSH dhe Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar, siç duket, thjesht për demagogji. Me këtë akt të tij, Mit’hati ndahet prerazi edhe nga Abdyl Frashëri, babai i tij, i cili në vitin 1877 braktisi bisedimet me grekët për një aleancë kundër pushtuesve osmanë, kur Athina vuri si kusht që Epiri shqiptar t’i aneksohej Greqisë.

Meqë ra fjala, bën përshtypje që Mit’had Frashëri hesht për atin e tij, të shquar e të panjollë. Në dy-tre shkrimet e shkurtra që ka botuar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ai as nuk e përmend Abdylin dhe as nuk e zë në gojë rolin e tij vendimtar si truri politik i asaj organizate politiko-ushtarake mbarëshqiptare. Çfarë nuk i falte Mit’hat Frashëri Lidhjes së Prizrenit dhe protagonistit politik të saj, Abdyl Frashërit? Ndoshta nuk i falte faktin që i ati luftoi që në vitet 1870 për një Shqipëri të pavarur, ndërsa ai, akoma në vitet kritike 1908-1912 e konsideronte të parakohshëm konfliktin me Portën e Lartë dhe mëvetësimin e shqiptarëve. Arsye kjo, që siç dihet, e vuri atë ballë për ballë me figura të shquara, si Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Shahin Kolonjën e Dervish Himën, të cilët, ndryshe nga ai, e shihnin shpëtimin e Shqipërisë tek një ndarje e menjëhershme, qoftë dhe e dhunshme, nga Perandoria Osmane.

Duke patur parasysh parabolën e jetës së tij, mbetet të themi se Mit’hati nuk miratonte drejtimin “revolucionar” që mori Lidhja e Prizrenit pikërisht nën ndikimin e Abdylit, ashtu siç nuk miratoi idenë e kryengritjes së përgjithshme, që në fillim të shek. XX u rilançua me forcë e me urgjencë nga Ismail Qemali dhe aktivistët e tjerë të Lëvizjes Kombëtare. Akoma më kontrovers ishte qëndrimi i Mit’hat Frashërit në vitet e Luftës II Botërore. Nuk e kuptoi se ajo luftë ishte ndryshe, ishte një luftë për jetë a vdekje. Mendoi se mund t’i dilej mbanë me spërdredhje diplomatike e ujdira të fshehta. Nuk e kuptoi thirrjen që kryeministri britanik, Churchill u drejtonte gjithë popujve e shteteve të Evropës në 22 qershor 1941: “Kush rreshtohet me ne, do të jetë aleati ynë; por, kush rreshtohet me nazistët, ta dijë se do të jetë armiku ynë”.

Kështu, krijoi të parën parti kolaboracioniste në historinë e Shqipërisë dhe punoi për të futur në rrugën e kolaboracionizmit gjithë popullin shqiptar. Qe fat i madh që shqiptarët zgjodhën një rrugë tjetër nga ajo që u ofroi Mit’hati dhe shpura jo e vogël e fashistëve dhe e kolaboracionistëve të tjerë. Shqipëria ishte përpara sprovës më të vështirë e më të rrezikshme, kur i kërkohej të bënte protagonistin e historisë së vet. Nëse Shqipëria do ishte paraqitur me Mit’hatrët në Konferencën e Paqes, Fuqitë fituese nuk do hezitonin ta zhbënin si shtet. Për fat, në Konferencën e Paqes të Parisit, u paraqit Shqipëria dinjitoze, ajo e vërtetë, ajo që ishte përgjakur në luftë me agresorin nazo-fashist.

– Nuk jeni ju i vetmi që e kundërshtoni nderimin e kolaboracionistëve. Mirëpo kryeministri këmbëngul, madje dërgoi dhe një letër përforcuese këtu në DITA ku përsëriti tezën e tij duke marrë disa shembuj francezë…

– Shikoni, nuk di se sa Kryeministri shkëlqen e meriton të merret si shembull në profesionin për të cilin ka studiuar, atë të piktorit. Përsa i përket vlerësimit të historisë dhe figurave historike më duhet të konstatoj se z. Rama është produkt i denjë i një shkolle artistike, Liceut e Institutit të Arteve, ku historia renditej e fundit në listën e preferencave. Ndaj, duhet bërë kujdes dhe duhet treguar shumë vigjilencë kur ai flet për historinë, jo më pak se kur për të ligjëronte z. Berisha, ai mjeku. Dikush mund të më kundërshtojë e të thotë se Kryeministri ka këshilltarë të mirë që mund t’i japin mësime historie. Po, ka të tillë, por nuk i dëgjon. Preferon të dëgjojë Artanin, atë arqitektin e “rilindjes urbane”. Preferon të dëgjojë Ardianin, atë filozofin e  “universitetit urban”.

– Europa ku ne kërkojmë të integrohemi, mos kërkon të bëjmë ca rektifikime të së kaluarës?

– Për çfarë? Përkundrazi. Sot në Evropë e në Amerikë po diskutohet fort e plot shqetësim për rrezikun e neofashizmit, të kamufluar shpesh nën vellon e populizmit. Në Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Britani të Madhe, në Hungari, Sllovaki, Poloni, Greqi e gjithashtu në Shqipëri po ringjallen forca që kanë për referencë racizmin, ksenofobinë, sovranizmin, nacionalizmin militant, izolacionizmin, të cilat kanë përhapur në Evropën e sotme një frymë liberticide dhe antievropiane.

Mjafton të hapësh një stacion televiziv apo një gazetë të huaj, për të konstatuar se Evropa, edhe ajo më konservatorja, jeton sot me shqetësime të ndryshme nga ato të z. Rama e të grupit të “rilindasve” të tij, të paformë e të pangjyrë. Bota sot jeton me shqetësimin e neofashizmit. Një shqetësim të tillë nuk e gjen sot as në politikat e as në retorikat e Kryeministrit, i cili ka merak të vetëm të tregojë se sa “antikomunist” është, makar duke promovuar elementë ekstremistë të së djathtës, profashistë e antisemitë, që gjallojnë në zyrat e pangjyra të qeverisë së tij.

A lidhet kjo me bindjet e tij ideologjike e filozofike? A lidhet kjo me fillimet e tij të turbullta politike? Nuk e besoj. Z.Rama është, siç do të thoshte miku im Moikom Zeqo, një palimpsest ku mund të gjesh të shkruara e të rishkruara (të pikturuara apo të ripikturuara) gjërat më kontroverse e të pamenduara. Sjelljeve të tij politike u mungon themeli. Janë të sipërfaqshme, konjukturale, pragmatike, reaktive, snobe. Për rrjedhojë, edhe simpatia e publikut ndaj tij s’mund të jetë veçse fluturake, kalimtare. Por nuk është e tillë antipatia, që ai mbjell në mënyrë thuajse të programuar, me paditurinë e me ngacmimet e përditshme e të pavenda, në shtresa gjithnjë e më të gjera të popullsisë, duke filluar nga elektorati i tij socialist, pabesisht i braktisur e i poshtëruar.

– Sipas jush, pse?

– Unë mendoj se z. Rama duhet të ndahet nga hipokrizia e ta ndajë mendjen nëse do të jetë kryetari i Partisë Socialiste, apo nëse synon ta transformojë këtë parti në atë “palo-partinë”, që tentoi pa sukses ta krijonte nga e para në vitin 1991. Por, që të marrë një vendim të pjekur i duhet të lerë për një çast Thoma Akuinin e Konfucin e të lexojë diçka edhe nga historia e Shqipërisë. E di që nuk ia mbushin syrin historianët shqiptarë. Le të lexojë të huajt. Për shembull, për Luftën II Botërore, ku rrëshqet më së shumti, do t’i sugjeroja të lexonte veprën monumentale të historianit më të mirë të kësaj lufte, anglezit Martin Gilbert.

Besoj se nuk do e mërzisë, por do e gëzoj fakti, që Gilbert e rendit Shqipërinë mes 4 vendeve, krahas Francës, Jugosllavisë e Greqisë, për kontributin më të madh të dhënë nga njësitë e tyre partizane të rezistencës në atë luftë. Do ketë rastin të mësojë, gjithashtu, se si u sollën anglezët, francezët, italianët, hollandezët me kolaboracionistët e tyre pas luftës. Gilbert tregon, për shembull, për fatin e oficerit anglez John Amery. Ky ishte vëllai i Julian Amery, që gjatë luftës veproi në Shqipëri me misionin ushtarak anglez. Ishte gjithashtu djalë i Leon Amery-t, bashkëpuntor i ngushtë i Churchill-it në kabinetin e tij të luftës. Por në vitin 1944 John Amery u zu rob nga gjermanët dhe u vu në shërbim të tyre. Pas luftës u soll përpara gjykatës ushtarake, e cila e dënoi me varje. Vendimi u ekzekutua në 23 dhjetor 1945.

– Një ditë pas ceremonisë te Kodrat e Liqenit, pasardhësi i Mit’hatit, kryetari aktual i Ballit, z. Adriatik Alimadhi më bëri mua dhe kolegëve të mi një kërcënim me plumb kokës. Mund t’u vijë radha edhe juve të kërcënoheni…

– Unë njoh disa Alimadhë, jo z. Adriatik. Kam konsideratë e respekt për punën e angazhimin e tyre patriotik, në Shqipëri, në Itali e kudo. E dëgjova regjistrimin e bisedës tuaj me z. Adriatik Alimadhi, ku shquhen nota debati normal, por edhe ndonjë ekses, si ai i kërcënimit me jetë në drejtimin tuaj. Dua të besoj se ishte një dalje jashtë kontrollit prej tij. Me shumë të drejtë ju i ofruat faqet e gazetës suaj për të shprehur çdo ide, qoftë edhe pakënaqësitë e tij lidhur me trajtimin e figurës së Mit’hat Frashërit nga ana e gazetës “Dita”. Dua të shpresoj që ai do zgjedhë këtë rrugë, që është më e drejta dhe që vetë Mit’hat Frashëri, idhulli i tij, do ta preferonte në raport me përdorimin e armëve, për çka ai nuk kishte asnjë talent.

– Profesor, a nuk iu duket i çuditshëm fakti që pikërisht anti-skënderbenjtë, pra kontestuesit e Heroit Kombëtar, tashmë ngrenë në qiell Mit’hat Frashërin?

– Mendoj mos ta ulim piacën e mos humbim kohë me delirantë, nihilistë profesionistë apo me mendje të çekuilibruara, që bredhin nga një studio televizive në tjetrën. Le të shqetësohemi për shëndetin moral, politik e intelektual të atyre që na drejtojnë. Gabimet e tyre na lëndojnë e na dëmtojnë të gjithëve, për ta duhet të shqetësohemi.

Intervistoi Xhevdet Shehu – Botuar sot nga DITA

Share: