Vizion Plus ka zbardhur relacionin që kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar presidentit Ilir Meta, mbi emërimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshem.
Burime nga Qeveria thonë për Vizion Plus se në shkresën me dy faqe, kryeministri evidenton domosdoshmërinë per të pasur një Ministri të Brendshme funksionale në këto momente delikate.
Një frazë të tillë përdori edhe ambasada amerikane, kur kërkoi një ministri funksionale.
“Kryeministri i Shqipërisë me përgjegjësinë kushtetuese për plotësimin e funksionit të mbetur vakant të ministrit të Brendshëm, në një fazë delikate dhe të rëndësishme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në një moment të rëndësishëm për demokracinë e një vendi, siç është periudha përgatitore e organzimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, i drejtohet Presidentit të Republikës për të propozuar Sandër Lleshaj për t’u emëruar në detyrën e Ministrit të Brendshëm”.
Po ashtu në dokument evidentohet karriera e gjeneral Sander Lleshit si dhe vlerësimet që ai ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë. E në fund, Rama ripërsërit dhe njëherë vendosmërine e qeverisë së tij për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku roli i ministrit të Brendshëm është thelbësor.
“Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve e arritjen e rezultateve në sajë të një kontributi e bashkëpunimi institucional që janë thelbësore në këtë proces”.
Me shumë gjasa, propozimi i kryeministrit do të qëndrojë të paktën deri të mërkurën në zyrën e kreut të shtetit pa një përgjigje, ditë kur dhe presidenti Ilir Meta kthehet në atdhe pas një vizite zyrtare në Francë.