Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
Është po aq e rëndësishme se ata shërbejnë gjithashtu për të përhapuur dije dhe përmirësuar mendjet, por nëse arrijmë të vlerësojmë sesi t’i lexojmë librat për kënaqësi dhe jo sesi të sigurojmë një pension të përshtashëm për vejushën e ndokujt, atëherë kjo cilësia tjetër e tyre do të na duket më me vlerë dhe më e rëndësishme. Por edhe këtu, përsëri, sekush duhet ta dijë se çfarë gjëje po i shkon pas. Dikush lexon duke shkuar pas prehjes, apo dëfrimin, apo të çuditshmes e veçantësive, apo edhe nxitësve që i përtëritin fuqitë e tij të kapitura krijuese. Dikush, lë kullën e tij të zhveshur dhe këndore për t’u endur poshtë e lartë në rrugë me vështrimin për nga dritaret e hapura. Pas vetmisë dhe përqëndrimit, ajri i freskët, fytyrat e njerëzve të tjerë, jetët e të cilëvë janë gllabëruar në veprimtari të pafundme, shfaqen dhuke mësyrë rishtas pamjen tonë, për të na dhuruar një magjepsje të papërshkrueshme. Dritaret e shtëpive janë të ulura, grilat janë ngritur. Çdokush mund të vështrojë gjithë gjindjen e shtëpisë, ndërkohë që këta të fundit nuk e kuptojnë se janë të vëzhguar.Çdokush mundet t’i shohë ata të ulur përreth tryezës në mbrëmje, tek bisedojnë, lexojnë, apo duke u argëtuar në lojra të ndryshme. Disa herë duket se ata po grinden, po për çfarë? Ose janë duke qeshur, por cila është shakaja? Poshtë, në bodrum, guzhinieri është duke lexuar me zë të lartë një gazetë, ndërsa shërbëtorja duke përgatitur një rrisk buke të thekur; brenda hyn ndihmëskuzhinierja dhe prej atij çasti të gjithë sëbashku fillojnë të flasin njëherazi -por çfarë janë duke thënë? Në katin e sipërm, një vajzë e re është duke u veshur si për një mbrëmje argëtimi. Po, për ku është nisur? Një zonjë e moshuar qëndron ndenjur në dritaren e dhomës të gjumit, me një soj pune leshi në duar dhe një papagall jeshil të vockël brenda një kafazi pranë saj. Dhe për çfarë ajo është duke u menduar? E gjithë kjo jetë ka ardhur kësisoj sëbashku, ka një arsye për këtë ngjizje, një lidhje që e përbashkon vijueshëm dhe krijon harmoninë; a nuk mundet dikush ta kapë? Biografi u përgjigjet pyetjeve tona të panumërta teksa qëndrojmë jashtë mbi shtrojën e rrugës, me vështrimin e hedhur nga dritarja e hapur. Por nëse flasim mbi vërtetësinë nuk ka asgjë më interesante sesa të shkosh përpara duke ndjekur me kujdes shtegtimin vetjak përmes këtyre magazinave të mbushura përplot me fakte, të gatitësh jetët e burrave dhe grave, të krijosh nga kjo bollshmëri e jashtëzakonshme vatrat e shtëpisë dhe mendjet e tyre të komplikuara, të ndriçosh konfuzionin që e mbulon dhe e shpërhap gjithandej këtë lëndësi jetësore. Ne na është dhënë një gishtëz, një kafkë, një palë gërshërë dhe një tufë sonetesh, me të cilët duhet të krijojmë, t’i kombinojmë, t’i bëjmë përkitazi bashkë duke u dhënë një kuptimësi këtyre gjësendirave; në dukje pa lidhje dhe me kuptime të mëvetësishme dhe të paputhitshme.
Prapësëprapë është e pranishme, sepse në ndjejmë një cilësi emocionale edhe tek faktet e thjeshta, të pakombinuara nga imagjinata, një emocion që buron nga se e dijmë se në realitet burrat dhe gratë i kanë përmbushur disa vepra dhe i kanë vuajtur disa fakte jetësore, dhe kësaj cilësie ia dalin mbanë ta tejkalojnë vetëm romancierët e mëdhenj. Kapiteni Scott, duke vdekur i uritur nga ngrica mbi dëborë, na i prek ndjenjat njëlloj si çdo histori aventurash e sajuar prej Conrad osee Defoe, por na i prek ato ndryshëm. Biografia ndryshon nga romani. T’i kërkosh një biografi të na japë të njëjtën kënaqësi që marrim nga një romancier, është ta keqpërdorësh dhe ta lexosh atë së prapthi. Duke u shprehur kryefilli drejtpërsëdrejti se “John John u lind në pesë e gjysmë të mëngjesit, në 13 Gusht, 1862” ai ka marrë mbi vete një angazhim duke e fokusuar thjerrëzën e tij mbi faktin, dhe nëse mbaj kësaj ai nisë romancën, perspektiva mjegullohet, qartpamësia errësohet, duke na i rritur dyshimet, deri në atë pikë sa besimi ynë në integritetin e tij si shkrimtar rrënohet krejtësisht. Në të njëtën mënyrë fakti e shkatërron rremtësinë artistike që buron nga imagjinata (fiksionin). Nëse Thackaray, për shembull, do të kishte
cituar të dhëna nga një raportim rreth Betejës së Vaterlosë, i marrë nga gazeta Vanity Fair, krejt thurja e tij letrare për tregimin reth ngjarjes historike do të ishte shkatërruar, ashtu si shkatërrohet një flluskë nga një gur.
Porse gjithsesi nuk ka dyshim se këta libra hibridë, këto depo ku gjejmë të magazinuara faktet, luajnë një rol të madh për qetësimin dhe shplodhjen e trurit, për t’i rikthyer atij gjallërinë dhe vrullin, dhe për ta grishur të kërkojë përsëri shijimin e këndshëm të imagjinatës. Puna e të ndërtuarit të jetës për vetveten nga kafkat, gishtëzat, gërshërët dhe sonetet, e nxit dhe e ngazëllen interesin tonë për të krijuar, por edhe e lartëson dëshirën tonë për të vështruar veprën e fuqishme dhe të bukur të Tolstoit dhe Floberit. Për më tepër, sado interesante të jenë faktet, ato janë një formë më e ulët e trillesës artistike, dhe gradualisht ne e humbasim durimin me dobësinë, pra me shumësinë e tyre dhe hapërndarjen e paqendërsuar, me kompromiset dhe shmangiet e tyre, me fjalitë e çrregullta dhe shtrembaluqe që ata sajojnë për vetveten. Atëbotë, të padurueshëm, ne mezi ç’presim dhe ndjehemi të etur ta ringjallim vetveten me më shumë intensitet dhe vërtetësi duke u zhytur tek rremtësia artistike.