Home KRYESORE “Akademikë, o të dhjerë, s’ju kuptova asnjëherë”! Nga Kasem Seferi

“Akademikë, o të dhjerë, s’ju kuptova asnjëherë”! Nga Kasem Seferi

Pas një shkrimi/komenti në lidhje me Buxhetin e vitit 2019, që më “frymëzoi” paneli i Zotit Sokol Balla, pata një telefonatë nga një prej të njohurve të mij të shumtë.

Nuk e komentoj telefonatën për hir të faktit se kurrë dhe kurrë nuk do të nxjerr në shesh ato që thuhen ndër mjedise miqsh, ose ish – miqsh, si një prej dobësive të strukturës së qënieve njerëzore në shekuj të shekujve.

Le të jetë parashtrimi i mësipërm një prej “dobësive” si individ!

Por për ta shpjeguar më mirë arsyen e një shkrimi të tillë, sikundër e kam thënë, e them dhe do ta them pa rezervë për disa individë që në kohën e Zogut të Parë i quanin “sumtekelek”, po përpiqem të përsëris diçka për borxhin dhe akademikët “sumtekelekë”.

Ekonomia e Republikës së Shqipërisë, një vend (për fat të keq) ende në tranzicionin drejt një ekonomie tregu të konsoliduar, pas ndikimit të efekteve të krizës globale financiare dhe ekonomike, në këtë periudhë ka mbetur ende në emergjencë për investime të huaja direkte.

Marrëdhëniet politike, emigracioni, tregtia dhe marrëdhëniet kulturore ndërmjet investitorëve dhe Republikës së Shqipërisë si vend mikpritës, kanë efekte të forta në rrjedhat e IHD, gjë që tregon se marrëdhëniet e ndryshme shoqërore formojnë këmbimin ekonomik, një përfundim që, më së pari dhe më së shumti, vërteton arsyen e përqindjes së investitorëve të huaj në Shqipëri.

Atyre që hartojnë strategjitë e rritjes ekonomike të një vendi, u duhet kujtuar se studimet e fundit u kanë sjellë mesazhet që vijojnë:

(i) avantazhi konkurrues mund të krijohet, ose tek e fundit fare të rritet në mënyrë domethënëse;

(ii) (ii) përmirësimi i konkurrueshmërisë brenda një ekonomie duhet të jetë një element kyç i strategjisë së eksportit kombëtar. Michael Porter, Drejtor i Institutit për Strategji dhe Konkurrueshmëri në Harvard Business School thotë: “Lulëzimi kombëtar krijohet, nuk trashëgohet.”.

Prandaj, në një botë ku tregtia liberalizohet gjithnjë e më shumë, strategjia e një vendi të vogël duhet të përqendrohet në gjenerimin dhe ruajtjen e avantazhit konkurrues nëpërmjet rritjes së kapacitetit për t’i joshur firmat vendase dhe të huaja që ta përdorin vendin si platformë prej nga ato të drejtojnë bizneset e tyre (nuk është pa domethënie fakti që Europa Juglindore ka rreth 65 milion konsumatorë).

Pikërisht, sipas strategjisë “diamant”, formuluar nga Michael Porter, situatat që përcaktojnë forcat dhe dobësitë konkurruese të ekonomisë së një vendi si dhe sektorët madhorë të saj janë ekzistenca e burimeve (për shembull, e burimeve njerëzore, e kërkimit dhe infrastrukturave të informacionit); e një mjedisi biznesi që investon në shpikje; dhe e pranisë së industrive mbështetëse.

Fazat nëpër të cilat kalon proçesi i avantazhit konkurrues përcaktohen nga kosto e ulët e punës dhe burimet natyrore;

prodhimi i produkteve të sofistikuara me anë të importimit të teknologjisë; përqendrimi në strategjinë e eksportit kombëtar;

përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit nëpërmjet revizionimeve, përgatitjeve rregullatore (dogana, tatime etj);

shtrirjes së kompanive në zinxhirët e vlerës ndërkombëtare dhe përmirësimit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe politikat që ndiqen për arritjen e qëllimit janë partnershipi kombëtar, që përfshin veprime plotësuese nga qeveria dhe sektori privat;

rrugëzgjidhjet e një “liberalizimi plus”, që përfshin përzierjen e nxitësit me masat e politikës së anës së furnizimit; dhe atje ku është e përshtatshme për themelet e ekonomisë, politikat për promovimin e konkurrueshmërisë së klasterave (clusters) të veçantë të industrisë.

Në analizën e saj, në një seminar të organizuar në Greqi në lidhje me hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2004 , Julia Gray e Universitetit të Pistsburgut (SHBA), ndër të tjera, do të vinte në dukje se impasi i kohëve të fundit në proçesin e zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, po krijonte një mjedis ekonomik që po karakterizohej nga pasiguria.

Liderët vendorë, gjithnjë e më shumë, po bindeshin se hyrja në BE është një rrugë e gjatë (gjë që është vërtetuar nga deklaratat e ditëve të fundit të zyrtarëve të Kryeministrit Rama dhe Haradinaj, por jo pa tejzgjatjen e zyrtarëve të Brukselit në lidhje me zgjerimin) dhe për rrjedhojë nuk kanë zbatuar reforma që do t’i ndihmonin ata të lëviznin drejt Europës, veçanërisht, në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Organizimi nga BERZH i takimit të janarit 2014 mbajtur në Londër, takimi me Kancelaren Merkel jo pak herë më vonë dhe takimet e pritshëm të Vienës, jo vetëm e nënkuptuan një gjë të tillë, por pothuajse e thanë troç një gjë të tillë.

Për më shumë, në këtë këndvështrim, BERZH (EBRD) Shqipërinë, prej disa vitesh, e ka caktuar si projekt pilot dhe, në mënyrë më domethënëse, kjo po dukej si një nga përpjekjet për krijimin dhe funksionimin e një Këshilli Investimi në përkujdesje të Zyrës Përfaqësuese të BERZH në Tiranë, e cila në thelb si qëllim kishte përmirësimin e klimës së biznesit (ose e thënë më troç të investimit).

Si rezultat një ekonomi që vazhdon të rritet me një ritëm të zvogëluar, ose me mundësinë që të rrijë në vend, do të shkaktojë zemërime të mëtejshme në popull si dhe pasiguri në vend dhe në rajon, që në kthim (ose si përgjigje) do të shtonin skepticizmin e njerëzve rreth hyrjes në BE, gjë që do të rriste vetëm interesin për të emigruar në vendet anëtare të BE – së, në vend që të mendonin për zhvillimin e ekonomisë së vendit të tyre.

Ngelej dhe ende ngelet një pyetje:

A paraqisin vendet e Ballkanit Perëndimor (të paktën Shqipëria dhe Kosova në këtë kontekst) rëndësi për BE – në?

Konkretisht Shqipëria nga investitorët e huaj është parë si një vend ku mund të prodhohen tekstile dhe veshje; ku mund të përpunohet lëkura dhe të prodhohen këpucë; ku agrobiznesi ka perspektivë për prodhimet bio; ku mund të rriten shërbimet e biznesit, hyrje në të dhënat, telemarketingu, mbështetje zyrash, etj; infrastruktura dhe turizmi.

Në këtë kontekst cilësia e administratës publike e vendit mikpritës është një konsideratë, për arsye se pasiguria, dykuptimshmëria, ndryshimet tejet të shpeshta në legjislacion, paqëndrueshmëria në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit, zyrtarët e korruptuar, ndëshkime që e tejkalojnë masën, janë faktorë të tillë që përbëjnë një antinxitës të ashpër për investimin.

Një faktor i mëtejshëm, që neglizhohet shpesh, është përpjestimi shumë i madh i IHD në formën e riinvestimit, ose shtesat te investimet ekzistuese.

Shpesh nga punonjësit ekzekutivë të biznesit dëgjon vërejtje të tilla si “ në qoftë se unë do ta kisha vërtetuar se sa e vështirë është të bësh biznes në këtë vend, kurrë nuk do të vija këtu”.

Zakonisht, ndërmjet arsyeve të dhëna për pakënaqësinë e krijuar nga një vend që duhej të ishte vend mikpritës janë ligjet e paqëndrueshme, administrata publike e çrregullt dhe, mbi të gjitha, barra administrative tejet e madhe.

Në mënyrë të paevitueshme, faktori ”kurrë përsëri” ka një efekt të rëndësishëm mbi planet e ardhshme të investimit dhe tërheqja e rrjedhave të ardhshme të investimit është vendimtare për sigurimin e një rritje ekonomike stabël gjatë dekadës ku ka hyrë ekonomia e vendit.

Prandaj, përmirësimi i mjedisit dhe klimës së biznesit mbetet një qëllim shumë sfidues i betejave që duhet të bëjë komuniteti i biznesit për të qartësuar imazhin që kanë investitorët për Shqipërinë.

Për të mos lejuar që burokracia të vazhdojë të rrisë koston e investimit, që kufizon potencialin e ekonomisë së vendit për investime në shumë fusha, qeveria duhet të marrë në konsideratë të veçantë rolin që luan klima e biznesit në lidhje me thithjen e investimit të huaj dhe vendas, prandaj qeverisë i duhet të rivlerësojë dialogun e hapur privat – publik si një prej mjeteve më efektivë dhe më efiçentë të strategjisë së saj.

Reformimi dhe revizionimi i barrierave administrative që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit duhet të shmangin favorizimin e disa grupeve të caktuar si dhe të rrisin rolin, efektivitetin dhe efiçencën e agjensive shtetërore që merren me problemet e menaxhimit të reformës për nxitjen e investimit të huaj.

Këto janë disa arsye përse BE – ja mendon se, politikisht, ta ketë më mirë me Serbinë se sa me Shqipërinë dhe Kosovën e diku më tej në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore.

Peter Ferdinad Drucker, i quajturi ”Babai i Menaxhimit Modern” në SHBA ka thënë se ”menaxherët krijojnë treg”.

Çfarë tregu krijojnë menaxherët e politikës shqiptare?!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: